Përse s’duhet të shqetësohemi për abortet nga seksi fetal

Oct 7, 2011 | 11:07

ORION GLIOZHENI

Kohët e fundit ka pasur disa prononcime në media lidhur me një shqetësim të disa mjekëve për problemin që ndërprerjet e shtatzënisë për arsye të përzgjedhjes së seksit fetal,  mund të kenë një ndikim në të ardhmen demografike të popullatës sonë dhe se po të vazhdojmë kështu, shumë shpejt do të kemi më shumë meshkuj, sesa femra në Shqipëri.(?) Për këtë arsye, shkohet edhe më tej, duke propozuar se duhet të ndalohet me ligj njohja e prindërve me seksin e fëmijës së tyre, para lindjes?
Do të dëshiroja të sqaroja opinionin publik se ky fenomen, nëse mund të përbëjë një problem për disa vende të Azisë si Kina, Pakistani, India, etj, realisht nuk ka asnjë ndikim në demografinë e popullatës Shqiptare.
Nëse do të shikonim fenomenin në aspektin social, sigurisht që kryerja e abortit për hir të përzgjedhjes së seksit, të lë një shije të hidhur. Por, po të bazonim gjykimin tonë vetëm në opinione sipërfaqësore lidhur me këto lloje abortesh, dhe pa u bazuar në shifra reale, do të arrinim në konkluzionin e gabuar që një ditë do të kemi në Shqipëri më shumë meshkuj, sesa femra.
Natyra ka bërë një shpërndarje pothuajse të barabartë të lindjeve midis femrave dhe meshkujve. Në vendin tonë ka pasur kurdoherë në vite një numër lehtësisht më të rritur të meshkujve, në krahasim me femrat (101 meshkuj për 100 femra). Mesatarisht, në botë, në vitin 2009, 49.59% e popullsisë përbëhej nga femra. Ndërsa në vendet e BE-së, ky indikator ishte 51.16%. Edhe Shqipëria është luhatur rreth këtyre kufijve. Sipas të dhënave të INSTAT, në periudhën 1998-2010, raporti i femrave ndaj popullsisë totale ka variuar nga 49.8%-50.17%. Mesatarisht, në vendin tonë, raporti është 99.99 femra për 100 meshkuj, pra pothuajse 1 me 1. Në 1998-n, kishte 12 246 meshkuj më shumë sesa femra, apo 0.8% më shumë. Me kalimin e viteve, raportet nisën të ndryshonin, duke u rritur numri i femrave dhe në 2004-2005, diferenca shkoi në rreth 11 000.
Numri total i lindjeve në Shqipëri në vitet e fundit është rreth 35 000 lindje në vit. Mundësia e përcaktimit të saktë të seksit fetal nëpërmjet ekografisë, është vetëm pas javës së 15-të. Pra, që një grua të ketë mundësi të shohë me saktësi seksin e fëmijës së saj, duhet të kalojë java e 15-të, dhe shpesh edhe më shumë. Me ligj, kryerja e abortit në vendin tonë lejohet deri në javën e 12-të, pasi pas tremujorit të parë, rreziqet për gruan janë mjaft të mëdha. Që të kryhet një ndërprerje e shtatzënisë në spitalet shtetërore, pas javës së 12-të duhet patjetër një raport mjekësor, i cili të vërtetojë se gruaja vuan nga një sëmundje dhe duhet të kryejë një ndërprerje terapeutike të shtatzënisë. Duhet të jemi koshientë që jo shumë gra e kanë të mundur të marrin një raport fallco nga një komision mjekësor, për të pasur mundësi të kryejnë abortin. Kryerja e kësaj procedure në klinikat private, sigurisht që ka më pak burokraci, por për hir të rreziqeve të larta që paraqet një abort në këtë moshë shtatzënie, fare pak klinika mund të marrin përsipër kryerjen e këtyre aborteve në tremujorin e dytë të shtatzënisë. Nga të dhënat e dritanishme, rezulton se numri i ndërprerjeve të shtatzënisë 15-20 javë, është rreth 30 në vit, por jo të gjitha këto janë të lidhura me përzgjedhjen e seksit fetal. Në tabelën më poshtë raportohen të dhënat e INSTAT-it mbi fëmijët e lindur gjallë, sipas gjinisë në vitet 1990–2008. Siç e shihni, nuk ka asnjë diferencë statistikisht të rëndësishme në raportin e lindjeve meshkuj-femra në këto 18 vjet.
Për të vlerësuar përmasat e këtij fenomeni ne kemi realizuar në vitin 1999 një studim, nga i cili rezultoi që në të gjitha maternitetet e Shqipërisë, gjatë këtij viti, ishin kryer vetëm 27 ndërprerje të vullnetshme të shtatzënisë midis 15-20 javë. Në atë kohë, pothuajse të gjitha abortet kryheshin nëpër spitale, pasi kishte fare pak klinika private që kryenin këtë aktivitet. Të mos harrojmë dhe faktin që jo të 27-ta ndërprerjet janë kryer vetëm për shkak të seksit fetal (një pjesë e tyre kanë pasur edhe shkaqe të tjera për kryerjen e abortit). Po të bëjmë një llogari të thjeshtë, bazuar në të dhënat e INSTAT-it për vitin 2009, kjo do të thotë që sikur të gjitha këto ndërprerje të jenë bërë për arsye të seksit fetal, koeficienti i maskulinitetit do të rritej me 1 të mijtën, pra nga 1.101, të shkojë në 1.102, gjë që përbën një shifër krejtësisht të papërfillshme.
Një tjetër konkluzion i kolegëve, akoma dhe më i gabuar, është dhe propozimi për të nxjerrë një ligj që të mos i lejojë prindërve njohjen e seksit të fëmijës së tyre me anë të ekografisë. Ky është sigurisht një absurditet dhe të kujton disa vendime të sistemit të vjetër totalitar. Së pari, kështu prekim të drejtat e ç’do individi për t’u informuar lidhur me krijesën e tyre. T’u privosh 35 000 grave ose 70 000 bashkëshorteve të drejtën legjitime që të njohin seksin e frytit të tyre, për hir të 27 çifteve që kërkojnë ndërprerjen e shtatzënisë për arsye të seksit, është pak absurde apo jo? Po për mijëra ndërprerje të tjera të shtatzënisë, për arsye nga më të ndryshmet, nuk duhet të bëhemi merak?
Të mos harrojmë edhe një fakt tjetër. Sot në vendet e zhvilluara ka dalë dhe një metodë tjetër, shumë më e thjeshtë se ekografia, për të përcaktuar seksin e fëmijës në mitrën e gruas, vetëm nëpërmjet një analize gjaku të nënës. Shumë shpejt, kjo analizë do të jetë e mundur të realizohet edhe në Shqipëri. Mos vallë do të ndalonim edhe kryerjen e një analize gjaku me ligj?
Për të gjitha sa më sipër, mendoj se sigurisht që ndërprerja e shtatzënisë me qellim përzgjedhjen e seksit fetal, është një veprim absurd dhe moralisht i dënueshëm, por fenomeni në fjalë, për përmasat që ka deri më sot, nuk përbën absolutisht asnjë rrezik social, që mund të ketë ndikim në të ardhmen demografike të popullatës sonë.

© Panorama.al

Te lidhura