Përplasje në Kuvend/ Balliu: Që kur buxheti i jepet ministrisë që vjedh më shumë? Balluku: Dëgjojeni Klevisin kur flet për grabitje, tezja e tij vodhi 150 milionë euro, rast unikal

Nov 19, 2025 | 17:28

Një debat i ashpër u zhvillua sot në seancën plenare mes deputetit demokrat Klevis Balliu dhe zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila aktualisht është nën hetim nga SPAK për shkelje tw barazisw nw tenderi e Tunelit të Llogarasë.

balliu-balluku

Përplasja nisi teksa Balliu akuzoi qeverinë për shpërndarjen e buxhetit 2025 dhe për lidhje me grupe kriminale, ndërsa Balluku iu kundërpërgjigj me deklarata të forta personale ndaj tij dhe familjarëve të tij.

Akuzat e Balliut

Duke marrë fjalën gjatë diskutimeve për buxhetin, Balliu ngriti një sërë akuzash ndaj mazhorancës, duke përmendur edhe deklarata të DASH.

“Pse sot nuk diskutohet që DASH deklaroi se Sinaloa fle në zyrën e kryeministrit? Atje e shpallin organizatë terroriste dhe ju e fusni në kryeministri,” tha ai, duke vënë në pikëpyetje se kujt policie po i shkon buxheti i vitit të ardhshëm.

Ai përmendi edhe çështjen e hetimeve financiare:

“Pse nuk keni hedhur buxhet për hetim financiar për këto kulla që denoncon edhe vetë SHBA? Dumani juaj thotë se ka 241 fletë-arreste që policia nuk i ekzekuton. Ju nuk po e mbroni qytetarin, por krimin,” u shpreh Balliu.

Replikat e Ballukut: “Edukata e vjedhjes në familjen Balliu”

Në replikë, zv.kryeministrja Balluku iu përgjigj me tone të ashpra, duke iu referuar familjarëve të tij dhe duke përmendur një rast të vjetër që, sipas saj, lidhet me abuzime financiare.

“Klevis Balliun duhet ta dëgjoni me vëmendje, sepse ka eksperiencë si askush. Është rritur në një familje ku vjedhja ka qenë pjesë e edukatës familjare,” deklaroi Balluku.

Ajo përmendi rastin e tezes së deputetit, të cilën e akuzoi se ka qenë e përfshirë në një kompani që përfitonte fonde publike.

“Merrte fonde 150 milionë euro nga shteti. Rast unik në Shqipëri. Po të kishte qenë SPAK atëherë, do të ishte ende në burg,” tha zv.kryeministrja.

Pjesë nga debati

Klevis Balliu: Pse sot nuk disktohet që DASH deklaroi se Sinaloa fle në zyrën e kryeministrit. Atje e shpallin organizatë terroriste dhe ju e fusni në kryeministri. Cilës polici po ja jepni buxhetin, policisë së Ilir Prodës, policisë që ishte në makinë me Gilmando Danin e Shullazit, ccfarë, që të garantoni që krimi të vazhdojë pa u shqetësuar, kësaj policie që të heshtin?

Pse nuk keni hedhur buxhet për hetim financiar për këto kulla që denoncon edhe vetë SHBA. Pse nuk keni hedhur ju buxhet financiar kur dhe vetë Dumani juaj thotë se kjo polici nuk i arreston, plot 241 fletë arreste për grupet kriminale. Nuk është dëgjuar në asnjë vend të botës si ngjarja e Rinasit…..Pse nuk çoheni ju ministrat e tjerë? Sepse jeni bashkëpunëtor në krim. Juve nuk iu intereson për qytetarët.

Belinda Balluku: Klevis Balliun duhet ta dëgjoni me vëmendje, sepse ka eksperiencë si askush në këtë vend, është rritur në një familje ku vjedhja ka qenë pjesë e edukatës familjare pasi është rasti unik në Shqipëri, kur tezja e tij ose kunata e tij, ose e dashura kunatë e Fari Balliut ishte sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe njëkohësisht administratore e Alpin Bau, një kompani e sajuar me një serb Sllobodan e kishte emrin si gjithë serbët dhe nga ana tjetër, zonja sekretare e përgjithshme e Ministrisë Blegina Agolli, e dashura kunatë e Fari Balliut, tezja e Klevisit. Ju them dëgjojeni Klevisin kur flet për vjedhje sepse është i masterizuar, ja kanë bërë që të vogël edukatën në shtëpi. Ajo ishte dhe administratore e një kompani e cila merrte tendera infrastrukture nga fondet e shtetit. Merrte fonde 150 mln euro të cilat i kanë ngrënë shpresoj bashke me Klevisin që flet kaq bukur për vjedhjet. Rast unikal në Shqipëri dhe nuk e di me cilën fytyrë shtyp mikrofonin, me cilën fytyrë del e flet aty. Po të kishte qenë SPAK në kohën e tezes tënde do ishte me siguri akoma në burg sot.

© Panorama.al

Te lidhura