
TIRANE – Ligji “Antimafia”, që bën fjalë për sekuestrimin e pasurive të vëna nga aktiviteti kriminal, është bërë shkak për përplasje të qëndrimeve institucionale nga zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe drejtues të Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë. Zv. ministri i Financave, Alferd Rushaj, debatoi dje me kryetaren e Gjykatës së Krimeve të Renda në Tiranë, Etleva Deda, gjatë diskutimit në lidhje me praktikat e zbatimit të ligjit “Antimafia”. Debati u zhvillua në një tryezë për funksionimin e shërbimit përmbarimor privat, të organizuar në Ministrinë e Drejtësisë. Zv. ministri i Financave, i cila ka në varësi Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara ngriti me shqetësim pesë çështje, që sipas tij e bëjnë jofunkisonal dhe jo praktik aplikimin e shpejte për sekuestrimin e aseteve kriminale. “Sekuestrimi i një llogarie bankare do të ishte thuajse humbje kohe, nëse nuk do të kishim paraprakisht një koordinim të prokurorit, të gjykatësit, të përmbaruesit dhe të administratorit, sepse ndjekja në këtë rast e rrugës formale të njoftimit( pra kur vendimi merret, njoftohet nëpërmjet postës, marrja e afatit maksimal procedurial që parashikon ligji) thjesht do të bënin të mundur të kishim një letër të shkruar, por paratë në bankë do t’i jepnin mundësinë personit konkret që të mund të transferoheshin. Pra, për këtë arsye, tej masës konkrete të parashikuar nga ligji, do të ishte shumë e domosdoshme që të kemi një bashkëpunim paraprak të të gjitha institucioneve”, tha Rushaj. Ai e konsideroi shqetësues bashkëpunimin mes institucioneve përgjegjëse për sekuestrimin e pasurive dhe asetev, por edhe mangësitë e akteve nënligjore për zbatimin e vendimeve nga shërbimi përmbarimor. Kryetarja e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Etleva Deda, pretendoi se këto shqetësime vijnë jo për shkak të gjykatës.











