Përplasen makinat në Rinas, një i vdekur, 6 të plagosur

Oct 21, 2011 | 10:18

KRUJE- Një person ka vdekur dhe gjashtë të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur pak para mesnatës së të enjtes në afërsi të Rinasit. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00, në rrugën e re të Aeroportit të Rinasit, sa kalon mbikalimin pranë Qafës së Kasharit, në autostradën Tiranë-Durrës. Një automjet tip “Benz”, furgon, me targa TR 3543 T, ku ndodheshin drejtuesi dhe 5 pasagjerë, që udhëtonte në drejtim të Rinasit, është përplasur me automjetin veturë tip “Hyundai”, me targë KEA 6533, drejtuesi i së cilës ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Burime nga Policia thanë se nga aksidenti ka mbetur i vdekur drejtuesi i autoveturës, Altin Dushaj, ndërsa janë plagosur të gjithë personat që ndodheshin në furgon, një prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas burimeve nga Policia, e plagosur rëndë ka mbetur 49-vjeçarja Vjollca Luca, si dhe ndodhen në spital me plagë në pjesë të ndryshme të trupit, Erald Hoxhalli, 23 vjeç, Jetmira Doda, 26 vjeçe, Flamur Doda, 27 vjeç, Elton Bogdani, 23 vjeç dhe Florian Mulleti, 30 vjeç. Në vendin ku ndodhi aksidenti kanë shkuar menjëherë Policia e Rendit dhe forca të Njësisë së Qarkullimit Rrugor të Durrësit, që kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Pas aksidentit, policia ka arrestuar drejtuesin e furgonit, Cuf Elezaj, 23 vjeç, me origjinë nga Dibra dhe me banim në Tiranë, me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.                               r.n

© Panorama.al

Te lidhura