
Katër mjete që u përfshinë mëngjesin e djeshëm në një aksident rrugor rrezikuan jetën e 27 personave, 6 prej të cilëve janë në gjendje kritike për jetën. Një mikrobus, në të cilën udhëtonin 15 persona, një furgon me dhjetë të tjerë, si dhe një Mercedez me shoferin e një pasagjer, u përfshinë në një aksident, si pasojë e parakalimit të gabuar të një tjetër mjeti, i cili ndonëse u përplas, arriti të largohej në kohë, duke qenë se ishte shkaktar i gjithë kësaj ngjarje. Për pasojë, 6 persona kanë mbetur të plagosur rëndë dhe ndodhen në gjendje kritike për jetën. Nëntë të tjerë kanë pësuar plagë më të lehta, ndërsa pjesa tjetër e pasagjerëve pësuan gërvishtje. Ngjarja ndodhi në aksin Fushë-Krujë – Mamurras, në afërsi të kryqëzimit të Gramzës. Një autoveturë me targa të huaja është futur në parakalim, duke u përplasur me një benz me targa të Tiranës. Ky i fundit ka humbur kontrollin, duke u rrotulluar në rrugë e duke u përplasur fillimisht me një mikrobus me targa të Durrësit, që udhëtonte drejt Burrelit dhe më pas është përplasur më një furgon me targa të Tiranës, që udhëtonte për në Dibër. Për pasojë, gjashtë persona janë plagosur rëndë dhe janë dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje kritike për jetën. Ndërsa pjesa tjetër ka marrë dëmtime më të lehta, pa rrezik për jetën. Mjeti që ishte edhe shkaktari i aksidentit është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, për t’u shpallur në kërkim nga policia. Aksidenti shkaktoi edhe bllokimin e rrugës për rreth 30 minuta, derisa policia mbërriti në vend dhe kreu veprimet proceduriale. Nga hetimi paraprak i ekspertëve të Qarkullimit Rrugor rezultoi se shkak i aksidentit të rëndë kishte qenë shpejtësia tej normave të lejuara të mjeteve dhe parakalimi i gabuar i makinës me traga të huaja. Për pasojë është përplasur me një tjetër mjet, me targa të Tiranës, nga ku më pas shoferi e ka pasur të pamundur të manovrojë, duke humbur edhe kontrollin e timonit. Policia dërgoi me mjetet e saj të plagosurit menjëherë drejt Spitalit Ushtarak, ndërsa pjesa tjetër janë çuar për ndihmë mjekësore në spitale më të afërta, ku pasi kanë marrë ndihmën e parë, janë larguar. Nuk është rasti i parë që pikërisht në këtë vend ndodhin aksidente.
30 minuta
U bllokua dje superstrada që lidh Veriun me Tiranën, si pasojë e përfshirjes në aksident të katër mjeteve. Policia mbërriti në vend dhe largoi makinat e aksidentuara, pasi më parë kreu veprimet e duhura proceduriale për të përcaktuar shkakun e ngjarjes.
Motori del nga rruga, një vdes e një tjetër plagoset
FIER- Një person gjeti vdekjen dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti që ndodhi dje pranë fshatit Vlosh në Fier. Burime të Policisë së Fierit bënë të ditur se ngjarja ndodhi kur një motor, me të cilin po udhëtonin dy persona, ka dalë nga rruga. Për pasojë, ka gjetur vdekjen e menjëhershme 19- vjeçari Redian Stani, ndërsa është plagosur 22-vjeçari Dervish Fetahu. Policia bëri të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 të së dielës në aksin rrugor Roskovec-Ngjeqar. Dyshohet se për shkak të manovrimit të gabuar dhe shpejtësisë së madhe, mjeti motor ka dalë nga rruga, duke përfunduar në pjesën anësore të saj. Policia mbërriti në vend dhe nisi menjëherë në spitalin e Fierit të plagosurin. Por sipas mjekëve të spitalit rajonal, gjendja e të riut është mjaft e rëndë, për shkak të frakturave e plagëve të shkaktuara në kokë e në trup. Deri në orët e vona, i plagosuri ishte ende në gjendje kome. m.r
FUSHE- KRUJE/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











