Për Zonjën Shkodër

Oct 17, 2011 | 11:12

MIMOZA KOÇIU

Çdo rikthim në qytetin e lindjes është një emocion më vete, jo vetëm për shkak të kujtimeve që të sjellin rrugët e rrugicat  ku je rritur, ndryshimeve me të cilat hasesh, por edhe vetë njerëzve, që pavarësisht kalimit të viteve, shpirtin e kanë të njëjtë. Dhe kjo mendoj se nuk ndodh vetëm në qytetin tim të lindjes, Zonjën Shkodër, siç i këndon Frederik Ndoci.
E tillë ishte edhe vizita e ditës së djeshme, të cilën nuk e bëja më privatisht, por institucionalisht, si pjesë e stafit të Presidentit të Republikës, për të nderuar disa prej figurave të artit e sportit shkodran. Emocionet nisën në teatrin “Migjeni”, me ceremoninë e homazheve të aktorit të paharruar Ndrekë Prela. Mes dhimbjes për humbjen e aktorit të rrallë, qëndronin të mirënjohurit e skenës e ekranit, me artin e të cilëve jemi rritur nga afër. Një pjesë e mirë janë larguar nga Shkodra, e jetojnë në Tiranë apo jashtë vendit; të tjerë, pasi tentuan emigracionin, iu rikthyen sërish qytetit, për të ndarë çdo ditë dhimbjen e tyre me të tijën. Pesha e viteve por edhe e famës, nuk ua ka zbehur shpirtin artistik, kulturën e bujarinë tradicionale me të cilën presin Presidentin Topi, duke nderuar së bashku kujtimin e aktorit Prela.
E njëjta atmosferë emocionuese për ngrohtësinë tradicionale shkodrane, me shumë qytetari e humor reflektohet edhe në ceremoninë e dekorimit të personaliteteve të sportit e artit. “Njerëz që kanë dhënë shumë më tepër se kanë marrë në jetën e tyre”, do thoshte Presidenti i Republikës, teksa do përulej me respekt përpara kontributit madhor të secilit prej këtyre figurave të adhuruara ndër vite nga breza të tërë, e që të preknin me thjeshtësinë e tyre duke shprehur mirënjohje për vlerësimin presidencial.
Me përfundimin e pjesës ceremoniale, atëherë kur emocionet fillojnë të fashiten disi, sipas traditës, të dekoruarit por edhe miqtë e dashamirësit e shumtë të mbledhur, i përkushtohen pjesës që dinë ta shijojnë më mirë shkodranët, festimit. Atmosfera e gëzueshme nuk njeh kufi ndarjeje për gëzimin e kolegut a mikut që u dekorua. Bujar Qamili merr mikrofonin e ngre peshë zemrat e të gjithëve dhe këngët shkodrane këndohen në kor.
Ndërsa bisedat shkojnë nga urimet për të dekoruarit, tek çmallja me miqtë e vjetër, që jeta i ka ndarë të mos jetojnë më në të njëjtin qytet, por që rikthehen përherë me mall e dëshirë në Shkodër sapo u paraqitet rasti. Shpluhurohen historitë e së shkuarës, kujtohen ata që nuk janë më, e bisedat ndalen edhe tek e përditshmja dhe ti bëhesh papritur pjesë e tyre. Si një ish-gazetare që ke ndarë me këtë qytet edhe fushatat zgjedhore, si bashkëqytetare që punon për Institucionin më të lartë të vendit, duan të ndajnë shqetësimet se e përditshmja mezi përballohet, pasi çmimet janë rritur si kudo, e se të sigurosh një vend pune duhet patjetër të jesh pjesë e rrethit farefisnor e miqësor të të zgjedhurve të qytetit apo edhe më keq, “të paguash nën dorë”. Natyrisht që histori të tilla nuk i dëgjon për herë të parë e nuk ndodhin vetëm në Shkodër, por për shkak të njohjes në nivel personal të burimeve njerëzore të qytetit, të dhemb konstatimi se vlerat intelektuale e integriteti njerëzor nuk janë aspak kritere dominuese për vlerësimin e individit. Në fakt, ato i gjen në rastin më të mirë të spostuara nga jeta e vëmendja publike, e në rastin më pak të mirë, të “emigruar” jashtë Shkodrës.
Teksa dëgjon bisedat, natyrshëm të rikthehen disa kujtime të këtij qyteti tradicionalisht rebel ndaj diktaturës e të padrejtës, që nga lëvizja e Postribës për të cilën ke lexuar e dëgjuar shumë, e deri tek ngjarjet që i ke jetuar, demonstratën e 14 janarit 1990 përpara bustit të Stalinit në një nga lulishtet qendrore të qytetit, tek lëvizja studentore e dhjetorit 1990, ku studentët shkodranë ishin të gjithëpranishëm, tek 4 vrasjet e 2 prillit 1991, një prej të cilëve, drejtues i lëvizjes studentore. Pas më se 20 vjetësh, kur takohesh me të afërm të dy prej dëshmorëve me të cilët ke njohje familjare, moszbardhja e atyre vrasjeve tërësisht politike qëndron pezull mbi bisedë, edhe pse nuk përmendet. Kujtesa shkon tek viti 1996, kur Shkodra sërish spikati kombëtarisht me rebelimin e saj, duke votuar në zgjedhjet lokale një përfaqësues të një prej familjeve më në zë, me tradita patriotike, por që garonte nën logon e të Djathtës së Bashkuar Shqiptare, e së fundmi tek pamjet e vështira të përmbytjeve të përsëritura.
Rikthehesh me mendje tek ceremonia festive në Shkodër, duke parë e prekur nga afër pohimet e sinqerta të bashkëqytetarëve, ndërsa të duket i largët imazhi i qytetit të qëndresës antikomuniste e me shpirtin rebel, që nuk bën kompromis për demokracinë, me kulturën e humorin karakteristik. Aq më tepër kur këto tipare të Shkodrës keqpërdoren dukshëm për ambicie jo aq të pastra politike të një grupi njerëzish, duke i ndarë qytetarët në të denjë e të padenjë, nisur nga preferencat e tyre personale, apo duke inskenuar “indinjata” e fabrikuar protesta, gjatë të cilave  ”protestuesit” fshihen pas vetë pankartave të përgatitura me ngut, si vijim i këtyre “indinjatave” e në emër të po këtyre interesave…
Sa e ndryshme ngjan kjo Shkodër me atë të Barletit, Fishtës, Migjenit, Idromenos, Gurakuqit, Krajës… e lista do vazhdonte shumë e gjatë, deri te personalitetet bashkëkohore, që i kanë dhënë emër Shkodrës e Shqipërisë në fusha të ndryshme, tek “heronjtë e ditës”, vetë qytetarët e Shkodrës, që vazhdojnë të mbajnë të mprehtë humorin, për të përshkruar situatën e tyre aktuale. I pabesueshëm dukej alarmi i lëshuar nga Dom Nik Ukgjini në një intervistë në një të përditshme më mesprillin e këtij viti, se “eshtrat e emrave të mëdhenj të kulturës dhe historisë së kombit shqiptar, si: Fishta, Mjeda, Zadeja, Shantoja, Harapi etj, mund të jenë zhdukur pas ’90-s, ndërsa ka lulëzuar shitja e varreve”. Natyrisht nuk pati protesta për këtë tragjedi, që cenon direkt kulturën e identitetin shkodran në veçanti, e atë shqiptar në përgjithësi.
Mes komikes e tragjikes, ajo që vihet re në Shkodër është instaurimi i një lloji të ri demokracie, “demokracia e dirigjuar”, një model jo i panjohur për studiuesit e shkencave sociale. Fatmirësisht prek vetëm grupe të vogla të lidhura nga interesa kryesisht financiarë e nepotikë. Pjesa tjetër që përbën shumicën, ata që me punën e veprën e tyre kanë dhënë e japin shumë, jo vetëm për Shkodrën, duke marrë fare pak në këmbim, të ofrojnë bujarisht mikpritjen e humorin e hollë, shenjë dalluese e karakterit disident shkodran të kombinuar me mençurinë e të parëve: “Se i urti kurr’ nuk ngutet; prej urtis’, e jo prej tutet”- At Gjergj Fishta.

*Gazetare, zëdhënëse
e Presidentit të Republikës

© Panorama.al

Te lidhura