Pentagoni përgatit mijëra trupa të Gardës Kombëtare për përballje me trazira civile në SHBA

Oct 30, 2025 | 18:36

Sipas raportimeve të The Washington Post, Pentagoni ka urdhëruar mijëra pjesëtarë të Gardës Kombëtare të marrin trajnim të specializuar për përballjen me trazira civile gjatë muajve në vijim, një zhvillim që tregon se praktika e dërgimit të forcave ushtarake në qytete amerikane, e cila dikur lejohej vetëm në raste të jashtëzakonshme, mund të shndërrohet në rregull të ri gjatë administratës Trump.

garda amerikane

Sipas dokumenteve të brendshme të Departamentit të Mbrojtjes, është ngritur një njësi e re, e quajtur Forca e Reagimit të Shpejtë, e cila do të jetë plotësisht e trajnuar dhe e pajisur me mjete për kontrollin e turmave deri më 1 janar. Njësia do të përbëhet nga rreth 200 ushtarë të Gardës Kombëtare, të cilët zakonisht merren me menaxhimin e incidenteve bërthamore dhe terroriste.

Një strukturë tjetër e ngjashme, e njohur si National Guard Reaction Force, pritet të jetë plotësisht operacionale deri më 1 prill. Në total, rrjeti i këtyre forcave do të numërojë rreth 23.500 trupa të shpërndarë në të gjitha shtetet, përveç Distriktit të Kolumbias. Deri tani, këto njësi janë përdorur kryesisht për emergjenca natyrore, jo për ndërhyrje ndaj protestave apo trazirave civile.

Kombinimi i këtij urdhri me praninë në rritje të agjencive federale të sigurisë dhe forcave të emigracionit ngre shqetësime për një zgjerim të ndërhyrjeve ushtarake brenda territorit amerikan. Presidenti Donald Trump ka mbrojtur vendimin, duke e cilësuar si “përpjekje për të luftuar dhunën dhe krimin”, por guvernatorët demokratë kanë reaguar me padi dhe akuza për tejkalim të kompetencave.

Departamenti i Mbrojtjes nuk komentoi zyrtarisht, por një zyrtar i Pentagonit, në kushte anonimiteti, deklaroi se “po rishikohen planet e përdorimit të forcave të Gardës Kombëtare për të siguruar që ato të jenë të gatshme të ndihmojnë autoritetet federale dhe lokale në rast trazirash civile”.

Trump tashmë ka urdhëruar mijëra trupa të Gardës Kombëtare të dislokohen në Uashington, Los Anxhelos dhe Memfis, ndërsa dërgimet në Çikago dhe Portland janë vonuar për shkak të pengesave gjyqësore. Ai ka pretenduar gjithashtu se ka “autoritet të pakufizuar” për të dislokuar trupa ushtarake në territorin amerikan, diçka që ligjërisht lejohet vetëm në rastet kur shpallet Ligji për Kryengritje (Insurrection Act).

“Kemi qytete që përballen me probleme dhe nuk mund ta lejojmë këtë,” tha Trump në një takim me trupa ushtarake në Japoni. “Po dërgojmë Gardën Kombëtare dhe, nëse duhet më shumë forcë, do të dërgojmë më shumë, sepse qytetet tona duhet të jenë të sigurta.”

Në deklarata për gazetarët, ai shtoi:

“Gjykatat nuk do të përfshihen. Do të mund të dërgoja Ushtrinë, Marinën, Forcat Ajrore apo Korpusin e Marinës, kë të doja.”

Dokumentet e Pentagonit, të cilat përshkruajnë krijimin e një Force Kombëtare të Reagimit të Shpejtë ndaj trazirave civile, tregojnë se njësitë do të jenë në gatishmëri të përhershme në disa shtete, me baza kryesore në Arizona dhe Alabama. Ato do të kenë kapacitet për t’u dislokuar brenda 8 orëve nga urdhri dhe do të trajnohen në përdorimin e taser-ëve, sprajit me piper dhe pajisjeve të tjera për kontrollin e turmave.

Forca federale do të funksionojë paralelisht me njësitë ekzistuese të Gardës Kombëtare në nivel shtetëror, të cilat prej rreth dy dekadash kanë rol në reagimin ndaj emergjencave. Një zyrtar i Pentagonit, pa dhënë shifra të sakta, konfirmoi se numri i trupave i afrohet tashmë 23.500 vetave që përmenden në dokumentet e siguruara nga The Washington Post.

© Panorama.al

Te lidhura