Shtesa e pagave për administratën. Buxheti do shkurtojë 920 vende pune, 730 ikin nga Ministria e Mbrojtjes. Në qytet, shtesa nga 445 lekë në 889 lekë për të ardhurat e larta
Politika e qeverisë për taksim të barabartë, pavarësisht të ardhurave, është përkthyer edhe në rritjen e pensioneve. Në relacionin e buxhetit të shtetit, të dorëzuar dje nga Ministria e Financave në Kuvend, është zbardhur edhe politika e rritjes së pensioneve. Shtesa sipas relacionit do të jetë 4 për qind, dhe tabela e cila e shoqëron, tregon qartë se më shumë para në fund të muajit do t’u shtohen pensioneve të larta. Në buxhet theksohet se rritja e nivelit të përfitimeve të pensionisteve me mesatarisht 4%, do të bazohet në fondet e përcaktuara si kontingjencë për rritjen e pensioneve për rreth 1.5 miliardë lekë”. Gazeta e boton sot tabelën e plotë të shtesave të pensioneve sipas kategorive të pensionistëve, duke bërë edhe llogarinë e parave që do të marrin më shumë gjatë vitit 2012. Ndryshe nga çfarë ndodhi këtë vit, kur në korrik pensionet maksimale në qytet u shtuan me vetëm 354 lekë, ndërsa ato minimale me 427 lekë në muaj, gjatë vitit 2012 qeveria i rikthehet edhe një herë politikës të vjetër. Në korrik, kur parashikohet të bëhet shtesa e re, pensionet minimale të qytetit do të bëhen 11,562 lekë në muaj. Shtesa për këtë vit do të jetë 445 lekë. Ndërsa pensioni maksimal në qytet do të bëhet 23.123 lekë, ose 889 lekë më shumë në muaj. Qesharake është shtesa e pensioneve në qytet, ku pritet të shtohen me 299 lekë në muaj. Në korrik të vitit që vjen, financat parashikojnë që të ardhurat minimale në qytet të mos jenë më pak se 13,798 lekë në muaj, pra çdo pension i plotë pleqërie nuk do të jetë më pak se kaq. Shtesa është 531 lekë në muaj, ndërsa të ardhurat minimale në fshat do të jenë 8692 lekë, ose 334 lekë më shumë se këtë vit. Shtesa e të ardhurave minimale në fshat është më e vogla, të paktën që nga viti 2008. Numri i personave që trajtohen me pensione, në fund të vitit 2012 parashikohet të arrije në 555.3 mijë, nga rreth 546.6 mijë që është aktualisht. Përveç këtyre, nga skema e pensioneve përfitojnë edhe 25 000 persona që do të trajtohen me përfitime suplementare apo pagesa të tjera.
Pagat dhe ushtarakët
Pagat pritet vetëm të indeksohen. Në ligjin e buxhetit shikohet qartë se financat nuk kanë dashur të shtojnë pagat. Vitin e kaluar, në buxhet theksohej se paga e Presidentit do të rritej me 2 për qind. Këtë vit, paga e vendosur në ligj është 255 mijë lekë dhe nuk parashikon rritje. Por relacioni e tregon qartë politikën për mosshtimin e pagave dhe shkurtimin e vendeve të punës. Parat sipas relacionit vetëm do të indeksohen. Nga ana tjetër, pritet që të largohen njerëz nga puna. Nga 89.560 persona që paguhen nga buxheti, do të paguhen 88640 persona. Shumica e shkarkimeve do të vijë nga ushtarakët. Ministria e Mbrojtjes do të paguajë vetëm 11 mijë ushtarakë dhe nëpunës, nga 11730. Shkurtimi i 730 ushtarakëve përbën pjesën dërrmuese të shkurtimit prej 920 personave të administratës. Problemi i ushtarakëve është se në listën e pensioneve të ISSH, për vitin 2012 shtohen vetëm 38 të rinj.
Nertila Maho











