Pele: Mesi dhe Runi, lojtarë të klasit botëror

Nov 11, 2011 | 12:56

“Uejn Runi i Mancester United dhe Lionel Mesi i Barcelonës kanë për të mbetur në skenën botërore të futbollit si lojtarë të mëdhenj.” E thotë këtë Pele, legjenda braziliane e këtij sporti magjik. Tre herë fituesi i Kupës së Botës e ka pohuar këtë konkluzion të tij për mediat britanike, duke shtuar: “Të dy kanë nevojë për të arritur më shumë me kombëtaret respektive, në kompeticionet e ndryshme ndërkombëtare. Megjithatë, edhe kështu sa kanë arritur, Mesi dhe Runi mund të konsiderohet lojtarë të klasit botëror”.
71-vjeçari pohon se të jesh i jashtëzakonshëm për klubin tënd dhe për vendin tënd në futboll janë arritje të jashtëzakonshme, por dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Majat në futboll do t’i kesh arritur vetëm nëse ke marrë më të mirën në të dyja nivelet.
Pele i tha këto për “The Sun”, ku diagnostikoi: “Unë mendoj se një lojtar i madh përcaktohet si i tillë nga performanca në Kupën e Botës. Për shembull, shihni Lionel Mesin teksa luan për Barcelonën. Ai është shumë i mirë. I jashtëzakonshëm. Por, për Argjentinën, ai është krejtësisht ndryshe. Duke i parë gjërat kështu, mendoj se Zinedine Zidane, që fitoi Kupën e Botës me Francën dhe ishte në majat e futbollit për 15 vjet, ishte një lojtar më i plotë se Mesi. Para se të vinte Zidane, të tillë ishin edhe Johan Krujf, Franc Bekenbauer, Mishel Platini dhe Bobi Mur.”

Kur u pyet për Uejn Runin, tre herë fituesi i Kupës së Botës, Pele, tha se ishte një “tifoz” i 26-vjeçarit të Mancester United: “Unë jam një tifoz shumë i madh i Runit. Ai gjithmonë lufton për ekipin. Nuk është shumë teknik, por fuqia si futbollist qëndron tek zemra e tij.”
Natyrisht, braziliani s’mund të rrinte pa folur edhe për Maradonën, rivalin e tij të përbotshëm. Lidhur me legjendën argjentinase të futbollit, Pele ka lëshuar thumbin e radhës: “Maradona kishte vetëm një këmbë dhe nuk ishte i mirë në lojën në ajër. Ai ishte një lojtar i madh, por ajo që ndodhi me të në finalet e Kupës së Botës, në vitin 1994, e njollosi imazhin e tij, teksa u dërgua në shtëpi për marrje droge. Krujf ishte shumë më interesant si futbollist. Ai ishte i ndryshëm nga Maradona, por më i plotë.”
Pele ka dhënë mendimin e tij edhe mbi situatën që po kalon argjentinasi Karlos Tevez, që ka mbetur jashtë fushave të lojës kohët e fundit, pas përplasjeve që pati me trajnerin e tij, Roberto Mancini, dhe pezullimit që mori nga klubi i Mancester Sitit. “Të tilla situata nuk janë të mira për futbollin. Nuk di shumë gjëra rreth situatës së tij te Mancester Siti, por mendoj se secili ka vendin e vet në një klub futbolli, duhet të gjykohet dhe respektohet për atë që bën. Trajnerët nuk duhet të jenë më të rëndësishëm se lojtarët dhe anasjelltas. Është e rëndësishme që të gjithë të sillen në mënyrë profesionale, brenda dhe jashtë fushës së lojës. Të gjithë në këtë botë ku jetojmë, artistë, biznesmenë, futbollistë e sportistë, kanë një përgjegjësi të madhe para publikut. Gjithsekush duhet të dijë si të sillet, çfarë mund të bëjë nëse gjendet papritur në bela. Ai që gabon duhet të paguajë edhe dënimin. Kjo është ajo që mendoj. Unë gjithmonë kam respektuar vendin tim, klubin tim, punën time.”

 

 

 

© Panorama.al

Te lidhura