Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, tha dje se mundësia për të deklaruar etninë në mënyrë të rreme është zero. Përpara qindra mbështetësve në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, PDIU, shoqata “Çamëria” dhe Klubi i Patriotëve të Rinj nisën turin “Ji krenar që je shqiptar”, në kuadër të regjistrimit të popullsisë. “Ne vazhdojmë të për-sërisim bindjen tonë, të konsoliduar dhe nga kontaktet institucionale, se hapësira për të deklaruar përkatësi etnike të rreme është zéro, për shkak të amendamenteve të propozuara prej nesh. Institucionet përgjegjëse kanë përcaktuar procedurën për eliminimin e deklarimeve të rreme dhe askush nuk mund të ketë sukses në këtë ndërmarrje të sponsorizuar nga jashtë. Vendosja e gjobave gjithashtu është e garantuar, ndaj i bëjmë thirrje kujtdo që mendon se mund të manipulojë, i joshur nga jashtë, se gabon”, u shpreh Idrizi. Sipas tij, “sepse siç po e shohim, faktori destruktiv ndërkombëtar me mashat e veta në terrenin tonë po luan me disa skenarë. Nëse të dhënat e procesit do të rezultojnë nën pritshmëritë e tyre, ata do të thonë se procesi është i manipuluar; nëse do të ketë të dhëna brenda pritshmërive të tyre, atëherë ata do të pranojnë procesin. Këtë e tregojnë dhe qëndrimet e ndryshme të zërave brenda minoritetit, apo dhe angazhimi aktiv dhe i kundërligjshëm i konsullit grek në Korçë”.











