Parlamenti miraton të enjten ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Konsensusi, ligjet me 3/5 do miratohen brenda marsit
Pas gati dy vjet krize politike, PD dhe PS bien dakord të nisin së bashku reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. Në një mbledhje formale të Konferencës së Kryetarëve janë votuar me unanimitet tri vendime, të cilat do të kalojnë të enjten në seancë parlamentare, çka i hap rrugë konsensusit të gjerë në tri drejtime të forcave politike. Së pari, dy partitë e mëdha kanë rënë dakord të nisin reformën zgjedhore. Komisioni do të ketë një afat tremujor, do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë (do të ketë 10 anëtarë, pesë nga secili krah politik), si dhe do t’i marrë vendimet me konsensus. Në draft është rënë dakord që për çështjet që palët nuk kanë të njëjtin qëndrim, ato t’i drejtohen Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR. Organizmat e huaja nga ana e tyre do të jenë të ftuara të asistojnë në punën e Komisionit. “Komisioni do të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me partitë politike jo parlamentare të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1% të votave në shkallë vendi, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile që kanë ekspertizë dhe eksperiencë në procesin zgjedhor. Konsultime e dëgjesa publike do zhvillohen me kërkesën e palëve edhe me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, KQZ-së, si dhe institucione shtetërore që kanë rol në procesin zgjedhor”, thuhet në draftin që do të votohet të enjten në Parlament. Këtij vendimi i parapriu një letër e dy kryetarëve të grupeve parlamentare, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi, drejtuar Kryetares së Kuvendit dhe Konferencës së Kryetarëve, ku shprehnin angazhimin e tyre në këtë drejtim. Së dyti, palët kanë rënë dakord të ngrenë një grup pune më katër anëtarë (dy nga maxhoranca dhe dy nga opozita) për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Ky grup do të ketë për detyrë të rishikojë dhe përmirësojë Rregulloren e Kuvendit, duke pasur si model referimi Rregulloren e Parlamentit Europian dhe rekomandimet e Komisionit Europian. Kryetarja e Kuvendit do të kërkojë asistencë teknike dhe ekspertizë nga OSBE-ja, KE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për të ndihmuar këtë grup pune, i cili do të ketë një mandat katërmujor, me të drejtë zgjatjeje nëse kërkohet. Së treti, PD ka pranuar axhendën e propozuar nga opozita për rishikimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave. Ndërkohë, kushti i demokratëve që përpara se të ngrihet Komisioni i reformës zgjedhore të votohen disa kode në Parlament, është pranuar nga PS-ja. Në mbledhjen e së enjtes, Kuvendi do të votojë dy draftet e para me 3/5, Kodin Hekurudhor dhe Kodin Ajror.
Afatet për Komisionet
1. Komisioni për reformën zgjedhore do ta ushtrojë veprimtarinë për një afat prej tre muaj nga data e mbledhjes së parë të tij. Në rast se nevojitet, me kërkesë të arsyetuar të bashkëkryetarëve, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së Komisionit.
2. Grupi i Punës për ndryshimin e Rregullores së Parlamentit do ta ushtrojë veprimtarinë e tij për një periudhë 4- mujore, me të drejtë zgjatjeje nëse kërkohet.
3. Pas miratimit të katër Kodeve në tri javët e ardhshme, projektligjet e tjera të mbartura për rishqyrtim dhe miratim do të përfshihen në programin e ri të punës së Kuvendit për sesionin e ardhshëm parlamentar, me synimin që shqyrtimi dhe miratimi i tyre të përfundojë brenda muajit mars 2012.
Pakti PS-PD Komisioni për Reformën Zgjedhore
.Komisioni ka për detyrë hartimin e amendamenteve për kuadrin ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODHIR për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe ato lokale të vitit 2011. . Anëtarësia e Komisionit formohet me pjesëmarrjen e partive parlamentare, me përbërje të barabartë mes shumicës e pakicës, sipas përbërjes së përcaktuar në këtë vendim. . Komisioni drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga partia Demokratike dhe një nga Partia Socialiste. . Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, OSBE/ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias ftohen të ndjekin dhe të japin asistencë e ekspertizë teknike në punimet e Komisionit dhe të grupit të ekspertëve të ngritur pranë tij. . Çdo parti parlamentare ka të drejtë të propozojë amendamente për diskutim dhe miratim. Maxhoranca parlamentare mirëpret propozimet e opozitës parlamentare, të bazuara në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe palët angazhohen të gjejnë konsensusin në lidhje me to. Për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus, konsensusi do të kërkohet me asistencën e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. . Vendimmarrja e Komisionit do të synojë konsensusin e gjerë për të gjitha propozimet. Vendimet e Komisionit quhen të miratuara me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve dhe vetëm kur kanë marrë konsensusin e PD dhe PS. . Përbërja e Komisionit është si më poshtë (10 anëtarë – maxhoranca: PD 2 anëtare, LSI, PR dhe PDIU nga 1 anëtar secila; Opozita: PS 4 anëtarë, PBDNJ 1 anëtar)
Grupi i punës për reformën parlamentare
Ne kryetarët e grupeve parlamentare të PD dhe PS i propozojmë Konferencës së Kryetarëve të marrë vendim si më poshtë: . Të ngrihet Grupi i Punës “Për rishikimin dhe përmirësimin e Rregullores së Kuvendit, duke marrë si model Rregullat dhe Procedurat e Parlamentit Europian”. . Grupi i Punës ka për detyrë rishikimin dhe përmirësimin e Rregullores së Kuvendit, duke pasur si model referimi Rregulloren e Parlamentit Europian dhe rekomandimet e Komisionit Europian. . Grupi i Punës autorizohet të hulumtojë dhe të përgatisë propozime për përmirësimin e kuadrit ligjor të statusit të deputetit dhe cilësisë së kontrollit parlamentar, duke iu referuar praktikës së Parlamentit Europian dhe rekomandimeve të Komisionit Europian, dhe duke i përshtatur ato në kontekstin e jetës parlamentare të Shqipërisë. . Grupi i Punës përbëhet nga 4 anëtarë, 2 nga shumica dhe 2 nga opozita parlamentare, sipas përbërjes më poshtë: . Grupi i Punës drejtohet nga dy bashkëdrejtues, një nga Partia Demokratike dhe një nga Partia Socialiste. . Konferenca e Kryetarëve autorizon Kryetaren e Kuvendit të kërkojë asistencë teknike dhe ekspertizë nga Prezenca e OSBE–së, Delegacioni i Bashkimit Europian dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë të interesuar për përmirësimin e jetës parlamentare në Shqipëri. . Vendimet në Grupin e Punës merren me konsensus.
Rishqyrtimi i ligjeve me 3/5
Projektligjet e axhendës së Kuvendit që kërkojnë shumicë të cilësuar, të kalojnë për rishqyrtim dhe miratim në Kuvend në grupe, me kalendarë trejavorë, sipas miratimit të Konferencës së Kryetarëve dhe në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. . Për kalendarin e parë trejavor, 14 nëntor-7 dhjetor 2011, të rishqyrtohen në komisione dhe të përgatiten për shqyrtim e miratim në seancë plenare këto projektligje: Kodi Hekurudhor, Kodi Ajror, Kodi Detar (2 nisma), Kodi Rrugor (3 nisma). . Kodi Hekurudhor dhe Kodi Ajror të shqyrtohen në seancën plenare të datës 17 nëntor 2011. . Kodi Detar të shqyrtohet dhe miratohet në seancën plenare të datës 24 nëntor 2011. . Kodi Rrugor të shqyrtohet dhe miratohet në seancën plenare të datës 1 dhjetor 2011. . Komisionet parlamentare përkatëse të marrin të gjitha masat për organizimin e kalendarit të veprimtarive për rishqyrtimin e projektligjeve, më qëllim përmbushjen e afateve të përcaktuara për shqyrtimin në seancë plenare.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











