PD pranon ndryshimin e Rregullores së Kuvendit

Oct 14, 2011 | 10:09
Konferenca e kryetarëve

Konferenca e Kryetarëve miratoi me debate të forta midis maxhorancës dhe opozitës, kalendarin trejavor dhe programin e punës së Kuvendit për periudhën 17 tetor deri më 25 nëntor. Mbledhja u zhvillua me tone të larta, ku përfaqësuesit socialistë kërkuan pranimin e paktit prej dhjetë pikash të propozuar nga kryesocialisti Edi Rama dhe të dorëzuar zyrtarisht në Kuvend pak ditë më parë. Por, maxhoranca i kërkoi opozitës miratimin e ligjeve që kërkojnë tre të pestat për të mundësuar zhbllokimin e situatës politike. Demokratët theksuan se mosmiratimi i ligjeve që kërkojnë 84 vota nga opozita ishin shkaktarët e humbjes së statusit të vendit për në Bashkimin Europian. Për herë të parë  Konferenca ka futur në programin e punës së Kuvendit një nga pikat e paktit të socialistëve që lidhet me ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Drafti i dorëzuar prej Partisë Socialiste synon ndryshimin e Rregullores, siç ishte para vitit 2009. Grupi Parlamentar i selisë rozë kërkon rikthimin e votimit të fshehtë, veçanërisht për emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese, si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe prokurori i Përgjithshëm. Sipas opozitës, duhet të shmanget votimi nominal, siç parashikohet në Rregulloren aktuale. Duke marrë shkas nga tensionet e vazhdueshme gjatë seancave plenare, deputetët e majtë kërkojnë që të hiqet e drejta e kryetarit të Kuvendit për të përjashtuar nga seancat deputetët, e drejtë që deri tani është përdorur për të ndëshkuar vetëm deputetët e majtë. “Ndryshimi i Rregullores me vendimin nr. 88, datë 24.02.2011, godet opozitën në të drejtën e debatit publik në Parlament dhe me masa shtrënguese për deputetët e saj”, thuhet në projektvendimin e depozituar nga socialistët. Zhvendosja e kohës së diskutimit të lirë për në fund të seancës plenare dhe rregullimi i kohës që përdoret nga Kryeministri dhe nga ministrat janë dy kërkesa të tjera të socialistëve për Rregulloren. Në propozimet e PS kërkohet kthimi i debatit 60 minutësh në fillim të seancës plenare, dhe jo në fund të saj, siç është sot, ku pjesa tjetër e deputetëve largohen nga salla.
Maxhoranca ka përfshirë në axhendën parlamentare plotësimin e vendeve të mbetura vakante. Më datë 28 tetor i përfundon mandati guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa posti i Avokatit të Popullit prej kohësh po ushtrohet nga komisioneri më i vjetër në detyrë. Opozita ka kërkuar më forcë që të ketë një kandidaturë konsensuale për postin e guvernatorit si dhe për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Por, maxhoranca i ka ofruar opozitës vetëm postin e Avokatit të Popullit. Në fund të mandatit të tyre janë edhe disa prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit apo të Bordit të Radio Televizionit Publik Shqiptar.

Guvernatori Fullani
Mandati i guvernatorit Ardian Fullani përfundon në fund të këtij muaji. Ai u zgjodh në këtë detyrë me vendim të Kuvendit më datë 28.10.2004. Sipas ligjit dhe Kushtetutës, mandati i guvernatorit është shtatëvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të kreut të shtetit. Guvernatori ka qenë në qendër të kritikave të opozitës lidhur me deklaratat për situatën ekonomike të vendit, ndërkohë që gjatë punës ka pasur mbështetjen e maxhorancës dhe kërkon një tjetër mandat.

Mandati i kreut të KLSH
Po më 28 tetor përfundon edhe mandati i kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku.  Kryetari i KLSH-së zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës dhe qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje (neni 162). KLSH-ja është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar në Republikën e Shqipërisë. Shanset për një kandidim  të dytë të Robert Çekut për postin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit janë të pakta për shkak të përplasjeve midis tij dhe Kryeministrit.

Avokati i Popullit
Prej kohësh vendi i Avokatit të Popullit është vakant. Maxhoranca ka deklaruar se është e gatshme t’ia ofrojë opozitës të drejtën e propozimit të një emri, duke e garantuar se do të japë votat për miratimin në Kuvend. Nga ana e saj, opozita, më shumë se Avokatin e Popullit preferon institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku do të ketë mundësinë e kontrollit të financave të shtetit. Juridiksioni i Avokatit të Popullit është mjaft i gjerë. Sipas ligjit, Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individit.

Maxhoranca, me 70 vota
Maxhoranca humbi dje shumicën duke miratuar ligjet vetëm me 70 vota. Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit i njoftoi deputetët se projektligjet që kërkojnë 84 vota do të vazhdojnë të qëndrojnë në programin e punës së Kuvendit të Shqipërisë, si një ndër kushtet kryesore për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Në kalendar janë përfshirë sërish ligji për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e Drejtësisë Administrative, Kodi Penal, Kodi Detar, Kodi Rrugor, Kodi Hekurudhor, Kodi Civil dhe Kodi Ajror. Në kalendar është përfshirë edhe ndarja administrative, e cila pritet që të ndezë debate të forta midis maxhorancës dhe opozitës. Ndryshime të reja priten që të miratohen edhe në projektligjin për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore, si dhe të shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore.

LUIS TANUSHI

© Panorama.al

Te lidhura