Kandidati më i votuar i PD-së nga lista e hapur në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 11 majit, Ndrec Pjetri foli në takimin e Salianjit me demokratët e Elbasanit këtë të martë.
Pjetri kritikoi në fjalën e tij lidershipin e Partisë Demokratike për analizën e munguar të zgjedhjeve dhe punën e vakët përballë skandaleve qeveritare.
Nga ana tjetër, shtoi se po ky lidership ka sulmuar demokratët këto ditë që kanë qenë në takime me Salianjin, madje duke thënë se kanë punuar me socialistët në fushatë.
Sipas tij partisë i duhen njerëz të rinj në krye, në mënyrë që të ringrihet.
Ndrec Pjetri: Jam një nga kandidatët më të votuar në qarkun e Durrësit, kam ngjashmëri absolute për të gjithë ju, vij nga një familje e djathtë. Pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit, minimum që duhet të bënte PD, ishte analiza.
Zgjedhjet treguan se PD duhet të përfaqësohet nga fytyra të reja, pasi ato thyen rekordin e votave që kishin marrë kandidatët në 2021, por PD nuk reflektoi, të njëjtat fytyra vazhdojnë.
Ne s’jemi më parti politike, kemi një lidership që denoncimet i bën në facebook.
Para ca ditësh u zhvillua takimi i parë me bazën e PD në Durrës, dhe disa kandidatëve dhe drejtues të PD, iniciuar nga Ervin Salianji, i vetmi i dënuar politik në këto 35 vjet i shoqëruar nga doktor Ilir Alimehmeti, Aulon Kalaja dhe unë. Çfarë ndodhi, në vend që të përgëzohemi ne u sulmuam. Por më e keqja, u sulmuan demokratët e thjeshtë dhe u akuzuan se kanë punuar për PS në fushatë. Unë ju garantoj me emrin tim se ata janë prej 2013 pjesë e fushatave të PD. Ne kemi një mision, ringritjen e PD, dhe një PD të ringritur nuk i duhet më shumë se 6 muaj të rrëzojë qeverinë.
© Panorama.al












