PD bojkoton, dështon Këshilli i Qarkut

Oct 15, 2011 | 11:18

Dështon mbledhja e radhës së Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës. Shkaku ka qenë mungesa e një prej këshilltarëve të majtë, i cili ka qenë në kryeqytet, si dhe bojkoti i këshilltarëve të djathtë. Demokratët, që përbëjnë afro gjysmën në Këshill, kishin paralajmëruar bojkotin e mbledhjes me argumentimin se kryetari i Këshillit të Qarkut, i zgjedhur një muaj më parë vetëm me 23 vota të këshilltarëve të majtë, është ilegjitim dhe, si i tillë, nuk ka të drejtë të thërrasë këshilltarët dhe as të drejtojë këtë organ vendor. Në sallën e Këshillit të Qarkut ishin mbledhur vetëm 22 këshilltarë socialistë dhe të PBDNJ-së, të cilët ishin në pritje të fillimit të mbledhjes së thirrur nga kryetari i Këshillit të Qarkut, Sulo Muçobega.  Mungesa e këshilltarit të majtë në mbledhjen e Këshillit ka ngjallur dyshime për rrjedhje të këshilltarëve nga e majta. I kontaktuar nga gazeta, Ylli Muho, kryetar i komunës së Antigonesë në rrethin e Gjirokastrës, hodhi poshtë zërat e përhapur dje mes socialistëve dhe demokratëve gjirokastritë për kalim të mundshëm te LSI-ja. “Jam dhe do të mbetem socialist”, u shpreh kryekomunari i Antigonesë, duke luajtur vetëm me emërtesën “socialist”, pa subjektin politik. Në radhët e të majtëve në Gjirokastër kanë filluar edhe përplasjet. Mjaft prej tyre që janë anëtarë të Këshillit të Qarkut, shprehen të revoltuar me insistimin e Sulo Muçobegës që të jetë medoemos kryetar i Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës, ndonëse ligjërisht ai është rrëzuar pasi është në kundërshtim të plotë me autonominë e pushtetit vendor. Dy prej këshilltarëve, të cilët i përkasin PS, që kanë dashur të ngelen anonimë, janë shprehur se do të shikojnë raportet e tyre me PS-në nëse do të mungojë demokracia e brendshme.                       p.n

© Panorama.al

Te lidhura