Pasuria, familja Kule jeton me 74.4 mijë lekë në muaj

Jul 18, 2012 | 14:06

Dhori Kule

Deklarata e pasurisë: Kule kurseu rreth 83% të të ardhurave vjetore.

Llogaritë e çuditshme të rektorit, kursen 45 mijë USD në vit.

Surprizave ekonom-ike të rektorit të Universitetit të Tiranës i shtohet edhe mën-yra dhe sasia e kursimeve vjetore. Pas zbulimit nga KLSH të tenderëve të organizuar nga Rektorati i Tiranës, ku blihej një makinë e përdorur me çmimin e një të reje, për 49 mijë USD, pas deklaratave të pasurisë, ku të njëjtin model makine, rektori për familjen e vet e kishte blerë për 1 409 951 lekë, ose rreth 14 mijë USD, gazeta zbulon sot një formulë të re në menaxhimin e të ardhurave.
Në deklaratën e pasurisë së rektorit Kule janë të detajuara të ardhurat dhe kursimet, bashkë me burimin e tyre. Në deklaratën e pasurisë së vitit 2012, Kule ka shënuar me shkrim dore se ka kursyer plot 4 500 000 lekë, ose rreth 45 mijë USD. Burimi i këtyre parave janë “nga të ardhurat e familjes”. Kule, për postin që mban, është i detyruar të deklarojë të gjitha të ardhurat që merr. Në deklaratën e pasurisë së viti 2011, pra të një viti më parë, rektori i Universitetit të Tiranës ka shënuar një total të ardhurash, bashkë me pagën e gruas, të vajzës dhe pensionin e vjehrrës, prej 5 393 859 lekësh, rreth 53 900 USD. Këto kanë qenë të ardhurat familjare të Kules. Nga kjo shumë, Kule ka kursyer 4.5 milionë lekë. Pra ka shpenzuar për ushqimin, transportin, pushimet, ujin, dritat, studimet (si rektor, profesor në Fakultetin e Ekonomisë apo anëtar i shtatë bordeve dhe këshillave) dhe të gjitha nevojat e tjera për të katër anëtarët e familjes, një shumë vjetore prej 893 859 lekësh. Duke e pjesëtuar për 12 muaj, mesatarisht familja e Kules ka shpenzuar 74 488 lekë në muaj. Pra, familja e rektorit ka një të ardhur mesatare mujore prej 449 488 lekësh, nga të cilat shpenzon mesatarisht 74 488 lekë në muaj dhe kursen 375 000 lekë në muaj. Afërsisht familja Kule arrin të ketë një “fitim” prej 83% të të ardhurave vjetore. Ndërsa për të jetuar konsumon rreth 16% të të ardhurave.
Duhet theksuar se nga totali i të ardhurave vjetore prej 5 393 859 lekësh, shumicën e siguron vetë Kule. Ai në deklaratën e pasurisë ka theksuar se paguhet si rektor 1 392 482 lekë në vit si pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, 856 371 lekë në vit dhe si anëtar në shtatë borde dhe këshilla, 1 466 361 lekë në vit. Pjesën tjetër të të ardhurave e plotëson paga e gruas, vajzës dhe pensioni i vjehrrës prej 156 000 lekësh në vit.

Deklarata e pasurise
Deklarata e vitit 2011

Të ardhurat totale vjetore
(nga punësimi i familjes)         5 393 859 lekë

Deklarata e vitit 2012
Shtesa kursimesh vjetore
(nga të ardhurat e familjes)        4 500 000 lekë

Diferenca të ardhura-kursime    893 859 lekë

Shamku: Skandaloze që rektori Kule është anëtar i 7 bordeve

Deputetja Ledi Shamku

“Më duket skandaloze që rektori i Universitetit më të madh në vend të jetë anëtar i 7 bordeve. Nuk arrij ta kuptoj se si fizikisht mundet të jetë i kudogjendur. Persona me ‘aftësi të kufizuara’ jemi ne që nuk e largojmë dot nga aty ku po drejton”. Kështu u shpreh dje deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shamku, anëtare e Komisionit Parlamentar të Medias dhe Edukimit. Sipas Shamkut, Dhori Kule e dëshmoi se çfarë rektori është në zgjedhjet e drejtuesve të universiteteve. “E pamë mirë se çfarë lloj zgjedhjesh u mbajtën. Ato ishin dëshmi e qartë se si drejton rektori i UT, Dhori Kule”, tha Shamku. Këtë prononcim ajo e dha e pyetur nga gazeta, duke qenë se pjesë e diskutimeve në mbledhje do të ishte vendimi për shpërndarjen e pedagogëve të Anglishtes, i marrë, sipas opozitës, në mënyrë jo të ligjshme. Komisioni i Medias dhe Edukimit nuk arriti dje të plotësojë kuorumin për të realizuar mbledhjen e radhës. Në rendin e ditës ishte parashikuar miratimi i kalendarit për diskutimin e ligjit për median. Pjesë e rendit të ditës ishte gjithashtu raportimi i ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, në lidhje me vendimin për largimin e 28 pedagogëve të Anglishtes nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja. Ministri nuk u paraqit në Komision, pasi procedura kërkonte një rinovim të kërkesës nga Komisioni i shtyrë për dy javë. Dy ditë më parë, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, është tërhequr. Në këtë mënyrë ai ka legjitimuar vërtetësinë e akuzave. Burime të sigurta na konfirmuan se rektori është tërhequr pas ndërhyrjes direkte të Kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Dekania e këtij Fakulteti, Klodeta Dibra, i ishte drejtuar këtij të fundit me një shkresë zyrtare ku i kërkonte ndihmë të ndërhynte.

Punësimi i Kules
• Rektor i Universitetit të Tiranës
• Pedagog i Fakultetit të Ekonomisë
• Nënkryetar i Këshillit Drejtues, Autoriteti Portual Durrës
• Kryetar i Këshilli të Statistikave
• Anëtar i Këshilli Bashkiak Tiranë
• Anëtar i Këshillit të Qarkut Tiranë
• Anëtar i Bordit të Autoritetit Kombëtar të Teknologjisë dhe Informacionit
• Anëtar i Këshillit të Arsimit të Lartë
• Anëtar i Këshillit të Vlerësim të Titujve Akademikë
• Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

© Panorama.al

Te lidhura