Pastrimi i parave: Në hetim mikeshat e miqtë e politikanëve

May 17, 2012 | 11:56

Qeveria ndryshon ligjin. Në hetim përfshihen anëtarët e familjes dhe lidhjet e ngushta shoqërore të politikanëve.

Pastrimi i parave, kontroll edhe lidhjeve të ngushta shoqërore.

Familjarët, miqtë ose mikeshat e ngushta të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë do të jenë pjesë e kontrollit për pastrimin e parave.
Qeveria ka ndryshuar ligjin e pastrimit të parave, duke bërë pjesë të hetimit edhe pasuritë e të ardhurat e miqve të politikanëve. “Në këtë kategori përfshihen anëtarët e familjes dhe lidhjet e ngushta shoqërore të personave të ekspozuar politikisht”, thuhet në nenin e shtuar në ligj. Shtimi i kategorisë së personave që duhet t’i nënshtrohet kontrollit të pasurisë ka qenë një ndër problematikat e konstatuara në raportet e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.
Si hetohen
Problemi lind nga ryshfetet. Duke qenë të ekspozuar nga hetimi i pasurisë, politikanët e lartë shpesh i kalojnë përfitimet abuzive në emrat e miqve apo mikeshave në ngushta. Pas miratimit të ndryshimit, edhe pasuritë e këtyre të fundit do të duhet të qartësojnë burimin e financimit. Kështu, në rast se një mik apo mikeshë e një politikani do të blejë prona apo do të shtojë llogaritë bankare pa e argumentuar fitimin, atëherë pjesë e hetimit do të jetë edhe politikani apo drejtuesi i lartë që ka lidhje me të. Në disa raste politikanët nuk kanë lidhje direkte martesore apo familjare me ata që përdorin paratë e tyre. Ka qenë i vështirë argumentimi ligjor i lidhjes së pasurisë së mikut me atë të politikanit. Me ndryshimin e ri, hetimi i pastrimit të parave ka mundësinë ligjore ta shtrijë kontrollin edhe te politikani mik apo mikeshë. Në shumicën e rasteve këta miq të politikanëve nuk janë pjesë e deklarimit vjetor të të ardhurave që hetohen nga ILDKP-ja. Këtë pjesë të hetimit tani do ta bëjë Agjencia e Pastrimit të Parave.
Ndryshimet
“Personat e ekspozuar politikisht” janë personat, të cilët janë të detyruar të bëjnë deklarimin e pasurive të tyre në përputhje me ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, me përjashtim të nëpunësve të nivelit të mesëm apo të ulët drejtues, sipas përcaktimeve të legjislacionit për shërbimin civil. Në këtë kategori përfshihen edhe individët, të cilët kanë pasur ose kanë funksione të rëndësishme në një qeveri dhe/ose në një shtet të huaj, si: kryetar shteti dhe/ose qeverie, politikanë të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë, të gjykatave ose të ushtrisë, drejtues të lartë të kompanive shtetërore, zyrtarë të rëndësishëm të partive politike. Pas këtij neni, qeveria ka shtuar edhe këtë paragraf: “Në këtë kategori përfshihen edhe anëtarët e familjes dhe lidhjet e ngushta shoqërore të personave të ekspozuar politikisht”.
Gjobat
Në projektligjin e miratuar nga Këshilli i Ministrave parashikohet dhe 10-fishimi i gjobave për individët që tentojnë të fshehin pasurinë apo që financojnë terrorizmit. Gjobat me ligjin aktual vajonin nga 10 mijë në 100 mijë lekë. Me ndryshimet që do të kalojnë në Kuvend, këto gjoba do të arrijnë deri në 1 milion lekë.

Gjykatat
Statistikat që vijnë nga Gjyqësori tregojnë se mosndëshkueshmëria nga gjykatat e personave të implikuar në pastrim parash është e ulët vitet e fundit. Kreu i kësaj Drejtorisë së Pastrimit të Parave, Arben Doçi, shprehet se gjatë viteve 2003-2004 ka pasur shumë dënime për pastrim parash të zyrtarëve të shtetit, një fenomen që nuk vihet re vitet e fundit. Duket se është organi i Prokurorisë ai që nuk ka çuar deri në fund hetimin ndaj personave të veshur me pushtet.

Ndryshimet në ligjin e pastrimit të parave
Neni 2
10. “Personat e ekspozuar politikisht” janë personat, të cilët janë të detyruar të bëjnë deklarimin e pasurive të tyre, në përputhje me ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, me përjashtim të nëpunësve të nivelit të mesëm apo të ulët drejtues, sipas përcaktimeve të legjislacionit për shërbimin civil. Në këtë kategori përfshihen edhe individët, të cilët kanë pasur ose kanë funksione të rëndësishme në një qeveri dhe/ose në një shtet të huaj, si: kryetar shteti dhe/ose qeverie, politikanë të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë, të gjykatave ose të ushtrisë, drejtues të lartë të kompanive shtetërore, zyrtarë të rëndësishëm të partive politike”.
2. Në fund të pikës 10 shtohet një fjali me këtë përmbajtje:
“Në këtë kategori përfshihen edhe anëtarët e familjes dhe lidhjet e ngushta shoqërore të personave të ekspozuar politikisht.”.
Kategoritë e transaksioneve dhe marrëdhënieve të biznesit, ndaj të cilave zbatohet vigjilenca e zgjeruar.
Subjektet duhet t’u kushtojnë vëmendje të veçantë të gjitha transaksioneve komplekse, me vlera të larta dhe të pazakonta, të cilat nuk kanë qëllim të dukshëm ekonomik ose ligjor. Subjektet duhet të analizojnë arsyet dhe qëllimin e kryerjes së transaksioneve të tilla dhe të mbajnë të dhëna me shkrim për konkluzionet, për një periudhë pesëvjeçare, të cilat duhet t’u vihen në dispozicion autoritetit përgjegjës dhe audituesve, nëse kërkohet.
Për shërbimet bankare korrespondente ndërkufitare, të ofruara nga bankat subjekte të këtij ligji, përpara se të vendosin një marrëdhënie biznesi, ato duhet:
a) të grumbullojnë informacion të mjaftueshëm rreth institucionit pritës, për të kuptuar plotësisht natyrën e biznesit;
b) të përcaktojnë, nëpërmjet informacionit publik, reputacionin e institucionit pritës, cilësinë e mbikëqyrjes së tij, përfshirë faktin nëse ka qenë subjekt hetimi apo masash administrative që lidhen me pastrimin e parave dhe/ose financimin e terrorizmit;
c) të vlerësojnë se procedurat e kontrollit të brendshëm të institucionit pritës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit janë të mjaftueshme dhe efektive.

Kreu i ILDKP, Llalla: Politikanët i fshehin pasuritë jashtë vendit
Kreu Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Adriatik Lalla, ka shprehur shqetësimin e tij gjatë një interviste për “Panorama” për fshehjen e pasurisë nga zyrtarët e lartë jashtë vendit. Sipas Llalës, fenomeni i transferimit të kapitalit jashtë vendit mund të pengohet vetëm me ndërhyrje në legjislacionin në fuqi. “Fshehja e pasurisë jashtë shtetit është një problem permanent, e cila ka vështirësi të mëdha për t’u zbuluar. Nga ana ligjore, kjo çështje nuk ka asnjë pengesë, por problemi qëndron në faktin se nuk sigurohet informacion mbi vende apo banka konkrete ku dyshohet se fshihen këto pasuri. Për të investiguar pasuri që mendohet se fshihen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kërkohet një koordinim më i madh mes institucioneve ligjzbatuese dhe ato të krimit ekonomik. Deri tani, Inspektorati i Lartë ka kryer disa hetime jashtë vendit me iniciativë të tij. Realisht, në ato pak raste, kur kemi pasur mundësi të hetojmë në një objektiv të mirëpërcaktuar, nuk janë vërtetuar dyshimet e ngritura nga burime të ndryshme, kryesisht nga deklarata në foltore publike”, theksoi Llala.

Doçi: Tetë politikanë, hetim në Prokurori
Gjatë vitit 2011, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka dërguar në Prokurori 8 emra politikanësh për pastrim parash. Aktiviteti kriminal që ka çuar në pastrimin e 3 milionë eurove lidhet me krimin e organizuar, drogën dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Drejtori i kësaj drejtorie, Arben Doçi, nuk ka bërë publikë emrat e politikanëve për shkak të vetë hetimit, por fusha, sipas tij, e investimit të këtyre parave është ajo që ka zhvillim më të madh në Shqipëri: ndërtimi. “Një nga fushat ku paratë e pista janë investuar është ndërtimi, por edhe trojet, kullotat, pyjet dhe pasuritë e tjera të paluajtshme, që nuk kanë lidhje me ndërtimin. Por, investim të këtyre parave janë bërë dhe në industri të tjera apo disa shoqëri off shore, ose fantazmë, që përdoren për të justifikuar lëvizjen e parave e për t’i bërë ato sa më të dukshme dhe legale”, u shpreh Arben Doçi.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura