
Në vend të prologut…
Krishti dërrmoi pushtetin e vdekjes. Krishti, Perëndia jonë na shpuri drejt vdekjes te jeta, prej dheut në qiell, duke kënduar këngën e fitores: “Krishti u ngjallë së vdekurish”.
Ku është gjembi yt o vdekje,
ku është mburrja jote o ferr,
ku është fitorja jote o hadh
u ngjall Krishti dhe ti u munde,
u ngjall Krishti, dhe asnjë i vdekur nuk mbeti në varr
Sot erdhi shpëtimi… “kjo është fitorja”,- shkruan Apostol Joani, “që mundi botën, besimi ynë”.
Himni triumfal, “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli, dhe të varrosurve jetën u fali, ftoj këto ditë sidomos të shtunën në mbrëmje, besimtarët e krishterë për të përjetuar shpërthimin e britmës plot gëzim, sepse është mundur vdekja. Vuajtja është shëlbuar dhe çdo lot është fshirë. Kjo vigjilje është paraprirë nga heshtja e Shtunës së Madhe, ku edhe dhimbja e vdekjes së Jezusit është transformuar në heshtje, në heshtjen e lutjes për shpëtim.
Pashka dhe eksodi…

Perëndia e ribëri premtimin e tij, tek Isaku dhe Jakovi, edhe e vazhdoi me ata, Dhiatën që kishte bërë me Abrahamin. 12 djemtë e Jakovit u bënë udhëheqësit e 12 fiseve të Izraelit. Siç parashkruhet e paratregohet, populli i Izraelit me ndodhinë e zisë, duke pasur vëllain e tyre, pranë faraonit të Egjiptit në pozitë të madhe, edhe pse e shitën atë si skllav dikur, do të gjenden, jetojnë dhe rrinë në zgjedhë për 480 vjet të Faraonit të Egjiptit, pas vdekjes së vëllait të tyre Josifit. Perëndia dëgjoi klithmat e vuajtjeve të popullit të Tij, dhe zgjodhi Moisiun për ta nxjerrë jashtë zgjedhës, robërisë së Egjiptit. Perëndia iu shfaq Moisiut në shkurren e zjarrtë, dhe zbuloi emrin e Tij.
“Kur të shkoj te bijtë e Izraelit, çfarë t’ju them atyre për t’i udhëhequr?”. Perëndia i tha Moisiut: “Do t’i thuash kështu bijve të Izraelit : “Zoti, Perëndia e etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia e Isakut dhe Perëndia e Jakobit, më ka dërguar tek ju. Ky është emri im përjetë. Ky ka për të qenë gjithnjë emri im, me të cilin do të kujtohem nga të gjitha breznitë”.

(Eksodi 3:13-5).
Natën e quajtur Pashkë (Kalim), Perëndia urdhëroi popullin e Izraelit të thernin qingje dhe të lyenin dyert e tyre me gjak, si shenjë e mosgoditjes gjatë trazirës së natës që Moisiu kishte marrë urdhër nga Perëndia, që të godiste çdo të palindur në vendin e Egjiptit, qoftë njeri apo kafshë, si nder për hak të gjithë Perëndive të Egjiptit.
Ajo ditë tha Abrahami do të jetë për ju një ditë për t’u mbajtur mend gjithnjë dhe ta kremtoni si festë kushtuar Zotit: “Do ta kremtoni nëpër kohëra si ligj të përjetshëm”. (Eksodi 12:11-14).
Në mesnatë Zoti vrau tërë të palindurit në vendin e Egjiptit. Gjatë trazirës, izraelitët filluan të ikin. Në detin e kuq, Moisiu, iu lut Perëndisë. Ai ngriti shkopin e tij mbi ujërat dhe Zoti “bëri atë që të hiqet deti nga një erë e fortë nga lindja, që fryu tërë atë natë, dhe e shndërroi detin në tokë të thatë …” (Eksodi 14:21).
Izraelitët e kaluan detin në këmbë. Qerret egjiptiane të luftës dhe ushtria, që po i ndiqnin, u kapën nga ujërat dhe u mbytën. … dhe Izraeli pa fuqinë e madhe që Zoti kishte dërguar kundër egjiptianëve, dhe populli pati frikë nga Zoti, dhe besoi te Zoti, dhe te Moisiu, shërbëtori i Tij. (Eksodi 14:31).
Në anën tjetër të detit, populli i Izraelit filloi të ankohej, nuk kishte ushqim, as ujë në shkretëtirë. Moisiu iu lut Zotit, i cili i siguroi ujë për të pirë për popullin dhe mana, “bukën prej qielli” për të ngrënë. (Eksodi 15-16).
Perëndia e udhëhoqi popullin në shkretëtirë me anë të një reje dhe një kolone zjarri. Në malin e Sinait, Moisiu mori dhjetë urdhërimet dhe ligjin e moralit dhe adhurimit nga Zoti, i cili “fliste me Moisiun ballë për ballë, ashtu si një njeri flet me mikun e tij”. (Eksodi 33:11).
Moisiu u lejua të shikonte lavdinë e Zotit në tymin dhe retë në majën e malit dhe ai vetë rrezatonte nga madhështia e Perëndisë. (Eksodi 34:29).
Moisiut nuk iu lejua që të kapërcente Jordanin dhe të hynte në tokën e premtuar. Ai vdiq dhe u varros afër malit Nebo, në tokën e Moabit, atje ku ai kishte shkuar përtej lumit Jordan, tokën ku pasuesi i tij Jesui i Navisë do të çonte popullin e tij, popullin e Perëndisë. Përmbushja e premtimit të Abrahamit erdhi në Jezu Krishtin. Ai është pasardhës i Atit të parë të Izraelit, të cilat u bekuan të gjithë familjet e tokës. Kështu këndon Maria, nënë e Jesuit, në kohën e pritjes së saj për lindjen e shpëtimtarit, se të gjithë brezat do ta quanin të Lumur sepse kishte ardhur përmbushja nga Perëndia “ashtu si Ai u kishte folur etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij përgjithmonë” (Luka 1:55).

Populli i Izraelit, u ushqye dhe u udhëhoq nga Jesui …
Në kalimin e popullit përmes shkretëtirës së jetës, në këtë botë, izraelitët u ushqyen nga Jesui. Atëherë Jesui iu tha tyre: “ Në të vërtetë, shkak të Atit, do të jetoj dhe Ai për shkakun tim. Kjo është buka që zbret nga qielli; nuk është si mana që hëngrën etërit tuaj dhe vdiqën; kush ha këtë bukë do jetoj përjetë”. (Joani 6:32-58).
“Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë:. (Joani 7:37). “… por kush pi nga uji që do t’i japë unë, nuk do të ketë më kurrë etje për jetë. (Joani 4:14). Sepse o vëllezër, unë nuk dua që ju të mos e dini se gjithë etërit tanë ishin nën renë, dhe të gjithë shkuan nëpër det, dhe të gjithë u pagëzuan për Moisinë në re dhe në det, të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim frymor, dhe të gjithë pinë të njëjtën pijë frymore, sepse pinin prej shkëmbit frymor që i ndiqte; dhe ky shkëmb ishte Krishti (1 Korinthianët 10:1-4).

Ngjallje e njerëzimit para pësimeve të tij…
… O Krisht Perëndi, ku ngjalle Llazarin për së vdekurish, përpara pësimit tënd, tregove ngjalljen e përgjithshme të njerëzimit. Përmbi dhe u shfaqe sipas mirësisë tënde, na dhe shëmbëllesën e ngjalljes së nesërme; mëshirën dhe ndjesën e mëkateve… (ShkutorjaKondaqi).

“”…Hosana, Hosana, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit!”, Biri i Davidit! Mbret i Izraelit! Të gjykuan o Perëndi, për shkak të lavdërimit, priftërinjtë dhe shkronjësit. Bënë këshillë “të vrasin” (Lluka 19:47; Joani 11:53, 12:10). Të gjykuan së bashku me turmën e Jerusalemit. Të gjithë njerëzit me dafina ndër duar thërritën “Hosana, Hosana” dhe të njëjtët thërritën tek Ponci Pilat “Kryqëzoje, Kryqëzoje”…
Ishte prag Pashke, afërsisht ora gjashtë dhe Pilati u thotë judenjve: “Jam mbreti juaj”, por ata bërtitën: “Ngrije, Ngrije, Kryqëzoje!”. Pilati u thotë atyre: “Mbretin tuaj të kryqëzoj?”. Kryepriftërinjtë, Kaifa e të tjerë, iu përgjigjën: “S’kemi tjetër mbret, veç Qezarit.” Atëherë, ua dorëzoi që të kryqëzohet.
“E morën Jisuin, që mbarte vetë kryqin, e ndalën në vendin që quhet “Kafka”, hebraisht “Golgota”. “O At në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim”. “Pëshpëriti shtatë fjalët e fundit në kryq”.

Prej vdekjes në jetë: Ngrihu o Perëndi dhe gjykoje dhenë …
…Zbrite në varr për ne, o jetë e pavdekshme.
… Për Adamin erdhe, për mbi dhe, ta shpëtosh,
…Por s’e gjete, dhe atëherë në ferr të zi,
… Ndër të vdekur zbrite, ta kërkosh.
… Adamin në mbretërinë tënde,
… Ngjalle dhe shpëtove
…Ngrihu o Perëndi dhe gjykoje dhenë,
… sepse Ti, do të trashëgosh, tërë kombet…
“Njeriun si një qenie- përkufizon Shën Grigor Theollogu- ndërsa jeton këtu udhëton për në një vend tjetër dhe qëllimi i misterit është të hyjnizohet si pasojë e thirrjes së Perëndisë”.
Krishti “vuan si i vdekshëm dhe nëpërmjet pësimit, të vdekshmin e vesh me hijeshinë e paprishjes” (Shën Joan Damaskinoi).
Sot është ditë e ngjalljes, ndriçohu o popull. Pashka e Zotit, Pashka e jetës, Pashka e Krishtit të ringjallur…
Se Krishti, Perëndia ynë, na shpuri prej vdekjes tek jeta, prej dheut në qiell, duke kënduar këngën e fitores: Krishti u ngjall së vdekurish.
Shën Joan Gojarti thërret: Me gëzim le të thërrasë tek Zoti, i tërë dheu! Këndojini emrit të tij, jepini lavde lavdërimit të tij. I gjithë dheu, le të falet dhe të lavdërojë ty. Le të lavdërojë emrin tënd, o Shumë i Lartë! Që të mund të njohim udhët e tua mbi dhe, dhe shpëtimin tënd në tërë kombet.

Perëndia, Adamit dhe Evës, njerëzimit i fali pavdekësi dhe lumturi të përjetshme. Njeriu si krijesë njerëzore mëkatoi. Edhe pse Perëndia i afroi krijesës njerëzore Profetët për ta udhëhequr, përsëri mëkati veproi. Turma e popullit që thirri Hosana Hosana, e kryqëzuan Zotin e tyre, Jisu Krishtin. Në kryq, Krishti mori të gjithë mëkatet. Derdhi gjakun e tij të pastër. Të pamëkatë, si flijim për mëkatet tona. Shpagoi për ne.
Shën Vasili i madh përsëri thotë: “ Krishti erdhi në tokë për të sjellë tërë njerëzimin te vetja. Për ta rilidhur më Krijuesin e Tij, Perëndinë.”
Gjaku i pamëkatë i Krishtit, shpagoi njëherë e përgjithmonë, për ne borxhet ndaj Perëndisë. Adami që u krijua nga Perëndia ra në mëkat. Bashkë me të ra dhe natyra e njeriut, që iu nënshtrua pushtetit të vuajtjes, vdekjes. Krishti me natyrën njerëzore, si njeri është i vdekshëm, përjetoi kryqin, vdekjen, si bir Perëndie, shenjtëruar prej virgjëreshës Mari dhe shpirtit të shenjtë, mundi vdekjen, përsosi jetën me anë të mbretërisë së përjetshme, Perëndisë, Hirit.
Qengji i Pashkës u ther për çlirimin dhe shpëtimin e gjithë njerëzve në tërë botën, prej fuqive të mëkatit, skllavërisë, demonëve, errësirës, egocentrizmit. “Faraoni” i vërtetë është djalli. Ai mban të gjithë njerëzit në skllavëri. Çliruesi i vërtetë është Jisui. Ai çoi popullin nga robëria e mëkatit dhe vdekjes në “tokën e premtuar” të mbretërisë së Perëndisë.

Sepse ligji i Frymës i jetës në Jezu Krishtin më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes. Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, pa forcë për shkak të mishit, Perëndia duke dërguar birin e vet në shëmbëllim mishin mëkatar… që të përmbushet drejtësia e ligjit të Moisiut në Ne, që nuk eci sipas mishit, por sipas frymës. (Romanët 8:2-4). 2 Korithianët, 3-5 Galantianët.
Apostol Joani shkruan: “Sepse ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jisu Krishtit. (Joani 1:17).
Kalimi i Jordanit në tokën e premtuar, përkon me pagëzimin e Krishtit në mbretërinë e Perëndisë. Ati paratregoi që do të ishte Krishti dhe jo Mosiu që do të kapërcente Jordanin, duke e sjellë popullin në vendin ku rridhte qumështi dhe mjalti, në mbretërinë e Perëndisë, më anë të pagëzimit të tij në lumin Jordan dhe me të njëjtin emër që do të thotë “Shpëtimtar”.
Krishti përmbushi Pashkën dhe eksodin me ngjarjet e jetës së tij. Kjo përmbushje u arrit me kryqëzimin dhe ngjalljen e tij. Jisui u vra në festën e Pashkës, për të treguar se Pashka e vjetër u plotësua dhe filloi Pashka e re. Kur qengji Pashkor therej në tempull, Jisui, qengji i Perëndisë u kryqëzua në kryq jashtë qytetit. Kur dita e madhe e Pashkës, e cila atë vit ishte Sabati, u respektua si pushim nga punët, Jisui, u shtri i vdekur duke pushuar prej të gjitha punëve të tij, në varr. Kur agoi “dita mbas Sabatit”, dita e parë e javës, dita e krijimit fillestar të Perëndisë, Jisui u ngjall prej së vdekurish. E gjithë kjo ndodhi që Pashka e re dhe eksodi i ri, të mund të kryheshin jo prej Egjiptit në Kanan, por prej vdekjes në jetë, prej paudhësisë së mëkatit, skllavërisë, në drejtësi, prej errësirës në dritë, prej tokës në qiell, prej tiranisë së djallit dhe lirinë e lavdishme të mbretërisë së Perëndisë. Vdekja dhe ngjallja e Krishtit është Pashka-Eksodi i vërtetë i popullit të Perëndisë. Ata janë shënuar me gjakun e Krishtit dhe shpëtohen nga kapërcimi i vdekjes. Jisui përuroi kremtimin e Pashkës së re në darkën e fundit me nxënësit e tij që ishte e ngrëna Pashkore. Ai u tregoi atyre se nuk do ta mbanin më festën e Pashkës në kujtim të eksodit të vjetër, por në kremtimin Pashkor në kremtim të tij.
Sepse unë mora nga Zoti atë që ju përcolla dhe juve; se Zoti Jisu në atë natë që po tradhtohej mori bukën dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: “ Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim”. Gjithashtu, pas darkës mori dhe kupën, duke thënë: “ Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëja këtë sa herë që ta pini, në përkujtimin tim”. Sepse sa herë të hani nga kjo bukë, ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit derisa Ai të vi. (1 Korinthianët 11:23-26, Mattheu 26:26- 29, Marku 14:22-25, Lluka 22:14-19).
“Tashmë që shpëtimtari i të gjithëve ka vdekur për ne, ne që besojmë në Krishtin nuk vdesim më, siç vdisnin njerëzit më parë për të përmbushur dënimin që sillte shkelja e ligjit. Ky dënim ka marrë fund, dhe tashmë që prishja është shkatërruar me anë të hirit të ngjalljes, ne çlirohemi nga trupat tanë të vdekshëm në kohën që Perëndia cakton secilin prej nesh, në mënyrë që të siguroj kështu një ngjallje më të mirë.(Shën Athanasi i Madh “Mishërimi i fjalës”).
“Pashka me gaz të përqafojmë njeri tjetrin, Oh, Pashka, na çliron prej hidhërimit”.
“Gëzohuni gjithnjë në Zotin, përsëri ju them: Gëzohuni”! (Filip 4:4,1 Thes 5:16).
Drita të ringjallurit kurrë nuk fiket, nata është mundur, por ne jemi akoma të thirrur ta jetojmë këtë fitore në formën e thellë të shpresës, me kurajën e atij që është i aftë të ndezë qiriun e vet në çdo natë, për t’i lejuar dritës së Krishtit të ringjallur, të transformojë jetën dhe ta bëjë atë të aftë dhe ngushëlluese për vuajtjen e njerëzve.
Ngjallja – Brenda Kryqit…
“Që ta njoh atë dhe fuqinë e Ngjalljes së tij, të marr pjesë në pësimet e tij dhe të bëhem i ngjashëm me të në vdekjen e tij” (Fil. 3:10).
Ngjallja nuk është diçka që vjen më vete, që vjen pas Kryqit, por gjendet brenda Kryqit, brenda pësimit, kur e pranojmë atë ashtu siç e pranoi edhe Krishti. Përjetimi i Ngjalljes kërkon gjithnjë si kusht paraprak të bëhemi të ngjashëm me Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur.
Himni triumfal themelor, që kumbon fort brenda nesh – “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…”, – është shpallja kryesore e besimit të krishterë dhe përmbledh domethënien më të thellë të Mishërimit të Birit dhe Fjalës së Perëndisë. Ky himn ende kumbon ngadhënjyes dhe ngushëllues në mes të errësirës së melankolisë, të shkaktuar nga ngjarjet e dhimbshme të jetës.
Krishti u ngjall prej së vdekurish, duke u bërë frut i parë i atyre që flenë. Ashtu si vdekja erdhi me anë njeriu, kështu edhe ngjallja nga të vdekurit erdhi me anë njeriu. Sikurse të gjithë vdesin në Adamin, kështu edhe do të marrin jetë të gjithë në Krishtin; por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë; pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij. Pastaj do të vijë fundi, kur t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit; kur të asgjësojë çdo autoritet, çdo pushtet e çdo fuqi.
Perëndia- thotë Apostol Pavli- e vendosi Zotin e ringjallur… përmbi çdo autoritet e pushtet, fuqi e zotërim, çdo emër që quhet jo vetëm në këtë jetë, por dhe në atë që vjen, dhe i nënshtroi të gjithë në këmbët e tij. (Efes 1:21-21)
Sepse duhet të mbretërojë ai deri sa të vërë të gjithë armiqtë nën këmbët e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet është vdekja. Sepse “i vuri të gjitha nën këmbët e tij”; po kur thotë se të gjitha ia nënshtron atij, poshtë tij, është e qartë se përveç Atij që ia nënshtroi të gjitha. Dhe kur të gjitha t’i nënshtrohen, atëherë dhe Biri vetë do t’i nënshtrohet Atij që ia nënshtroi të gjitha, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjitha.
Sepse, ç’do të bëjnë ata që u gëzuan për të vdekurit? Nëse të vdekurit nuk u ngjallkan me të vërtetë, pse, pra, u pagëzuan për ta? E pse edhe ne jemi në rrezik çdo çast?” (1 Kor.15:12-30).
Përplasëm vezët tona, psalëm “Krishti u Ngjall” dhe paranteza u mbyll. Krishtit nuk është person i së kaluarës. Krishti nuk është i vdekur, është i gjallë. Është Ai që mundi fuqinë e vdekjes, të djallit dhe të mëkatit dhe këtë fuqi ia jep secilit nga ne, që, me besimin, bashkohet me vetë Krishtin. Për këtë dhe Apostull Pavli, më tepër se çdo gjë, dëshironte të njihte Krishtin dhe fuqinë e Ngjalljes së Tij, me shpresën se do të ngjallet edhe ai së vdekurish.
“Që ta njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij me pjesëmarrjen në vuajtjet e tij, që të bëhem i ngjashëm me të në vdekjen e tij” (Filip. 3:10). Ngjallja e Zotit është shkrepi i përjetshëm mbi të cilin shkatërrohen dallgët e dyshimit të çdo epoke.
Atë, që më Ngjalljen e Tij, fali, edhe tek ne jetën e pavdekshme dhe të përjetshme, por edhe si shkak fuqie në betejën dhe shpresën e madhe për çastet e vështira. Bashkë me Krishtin jemi të ngjallur edhe ne.
Dhe kështu çdo të diel të gjithë në kungimin e përjetshëm, në meshën e shenjtë bëhemi pjesë e troparit të shenjtë, “Ejani merrni dritë nga drita që nuk perëndon, dhe lëvdojeni Krishtin që u ngjall së vdekuri, dhe me vdekje vdekjen shkeli dhe të varrosurve jetën u fali. Ndriçohu, ndriçohu qytet i ri Jerusalem se lavdia e Zotit përmbi ty është ngjallur”.
Katedralja Ngjallja e Krishtit. Simfoni Hyjnizuese ka pushtuar këtë shtëpi të Zotit simbol të krishterimit ngadhënjimtar, vepër e pavdekshme e Kryepeshkopit Anastas. Mijëra besimtarë me ngazëllim, me shpresëtari dhe besim tek Jisui që sonte ringjallet, kanë ardhur në këtë mbrëmje kryqngjallësore për të marrë dritë nga drita e pashuar e kandilit të Pashkës të Jerusalemit.
“Pashka është përkujtimi i Ngjalljes së Zotit Jisu Krisht dhe e vërteta themelore e besimit dhe e jetës sonë, kumton sonte për herë të parë në këtë katedrale, në këtë festë Pashke, në këtë ceremoni madhështore Kryepeshkop i ri i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joan.. Nëse nuk do të kishte pasur Ngjallje, nëse nuk do të ishte mundur vdekja, atëherë predikimi dhe besimi ynë i krishterë do të ishte i kotë (I Kor. 15:14), thekson apostulli i madh, sepse vetëm nëpërmjet Ngjalljes së Zotit, natyra jonë njerëzore mori rëndësinë dhe kuptimin e saj të vërtetë. Fitorja e Tij mbi vdekjen është një fitore universale, për të gjitha kohërat dhe për të gjithë popujt, fitore me të cilën mund të gëzohet çdo njeri. Çdo fitore tjetër në botë ka krijuar ndarje dhe vazhdon t’i ndajë njerëzit nga njëri-tjetri. Kur një fiton, një tjetër humb. Njëri gëzohet dhe tjetri hidhërohet. Ndërsa në fitoren e Ngjalljes së Krishtit, duhet të gëzohen të gjithë, sepse mundet vdekja, armiku i përbashkët i të gjithë njerëzve. Këtë Pashkë ne nuk e kemi mes nesh Kryepeshkopin tonë të dashur Anastas. Por zemrat tona ngushëllohen duke ditur se ai tani ndërmjetëson për ne pranë Zotit, sepse Perëndia nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve (Mt. 22:32). Besojmë se vdekja nuk është fundi, por fillimi i një jete të re në Perëndinë. Në shpresofshim në Krishtin vetëm në këtë jetë, jemi më të mjerët e gjithë njerëzve (1 Kor.15:19).

Ngjallja e Krishtit na forcon dhe na jep të gjithëve besim, na jep jetë prej Jetës së Tij, një jetë e shenjtë, një jetë që mposht edhe vetë vdekjen, një jetë pa mbarim, ku pushteti tokësor i vdekjes nuk ka më fuqi. Kemi besim, dhe besimi ynë nuk është thjesht një emocion, apo vetëm dëshirë, por është një siguri e themeluar mbi shkëmbin, që është Krishti. Fryma dhe Fjala e Tij mbollën farën e jetës aty ku mbretëronte vdekja, përhapën dritën aty ku ishte errësira dhe dhanë gëzim kudo ku kishte frikë dhe trishtim. Ai kaloi nëpër varrezën njerëzore, duke përhapur lulet e përjetësisë. Por, ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e kësaj jete. Në botë ka padrejtësi dhe luftëra, varfëri dhe mundim, sëmundje dhe vdekje, që shpesh mund ta çojnë njeriun në dëshpërim. Egoizmi dhe lakmia i kanë helmuar dhe deformuar marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, duke i tjetërsuar dhe duke i vetmuar nga njëri-tjetri. Largimi nga vlerat, nga dashuria, drejtësia, dhembshuria dhe, sidomos, nga prania Zotit në jetën tonë të përditshme, krijon një errësirë shpirtërore, duke e mjegulluar mendjen njerëzore dhe duke e çoroditur kuptimin e jetës. Errësira shpirtërore është pengesa më e madhe për të hyrë në jetën dhe çlirimin e vërtetë. Por, sa më e madhe të jetë errësira, aq më shumë duhet drita. Në këtë ditë të shenjtë, të gjithë jemi të ftuar të marrim pjesë në këtë gëzim, sepse vetëm duke e përjetuar në jetën tonë dritën çliruese të Ngjalljes, qenia jonë mund të transformohet dhe të arrijë dimensionin e saj të plotë. Ne kemi sigurinë se dashuria e Tij është më e fortë se urrejtja, jeta në Të, më e fortë se vdekja dhe se shpresa jonë në Krishtin është më e fortë se dëshpërimi. Ai është shpresa jonë dhe ata që shpresojnë te Zoti, – thotë Profeti Isaia, – do të ripërtërijnë forcën e tyre. Ata do të fluturojnë mbi krahë si shqiponja; do të vrapojnë dhe nuk do të lodhen, do të ecin dhe nuk do të ligështohen (Is.40:31).

Nëse do të ndizet drita e ngjalljes në jetën tonë, atëherë edhe marrëdhëniet ndërnjerëzore do të ndriçohen. Ne jemi krijuar si qenie komunitare dhe jemi thirrur të jetojmë në bashkësi me njëri-tjetrin dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin, duke ruajtur dinjitetin e çdo personi njerëzor, sidomos të njerëzve në nevojë dhe në vështirësi. Sakrificat, ashtu si mjekimi, nuk janë të lehta, por janë të domosdoshme për shërimin tonë. Sepse, nëse nuk do të përjetojmë dhimbjen e kryqit, nuk do ta përjetojmë as gëzimin, jetën dhe dritën e Ngjalljes.
Të dashur vëllezër dhe motra! Gjatë Pashkëve ne këndojmë: Vraponi dhe i shpallni botës se si u ngjall Zoti, duke shkatërruar vdekjen; Ai është Biri i Perëndisë, Shpëtimtari i racës njerëzore!
Ndoshta sot, më shumë se kurrë, bota jonë ka nevojë për mesazhin e Pashkës, sepse Ngjallja nuk është thjesht një ngjarje e kaluar, por një përvojë e vazhdueshme për çdo kohë, për çdo brez dhe për çdo njeri, e c ila jep shpresë, dritë dhe gëzim në jetën tonë dhe nuk na lejon të mbytemi në detin e hidhërimit. Pavarësisht se sa të vështira mund të jenë problemet tona, Ngjallja e Krishtit, na premton një të ardhme krejtësisht të ndryshme.
Ngjallja e Krishtit nuk është një ngjarje dhe një kremtim që ka të bëjë vetëm me Atë, por edhe me ne, sepse Ai na bëri pjesëtarë të Ngjalljes së Tij, nëpërmjet plotësisë së natyrës së Tij njerëzore.
Ngjallja e Tij prek dhe transformon të gjithë njerëzit, duke i dhënë ekzistencës së njeriut një jetë të re dhe duke u bërë treguesi i plotësimit përfundimtar të natyrës sonë njerëzore. Ai që sot u ngjall, – shkruan shën Grigor Theologu, – do të më përtërijë në shpirt dhe do të më veshë me njeriun e ri. Për Pashkë jemi thirrur të përqafojnë njëri-tjetrin dhe, për shkak të Ngjalljes jetëdhënëse të Krishtit, të falin njëri-tjetrin në çdo gjë, që të mund të thërrasin me një zemër të pastër: Krishti u Ngjall!
Katedralja e Shën Palit. Vigjilje Pashke. Kënga Exsultet, Psalt Hyjnor, vazhdon dhe bëhet elektrizues, hyjnizues në liturgjinë e Pashkës së Shenjtë. Sonte në këtë natë ende të errët pa ndezur qirinjtë, të gjithë bëhemi pjesëtar të pritjes së dritës.
“Përse kërkoni midis të vdekurve Atë që është i gjallë?!”Krishti jeton! Ai është Ringjallur! Ky është lajmi i bukur i kësaj nate të lumtur” , kumton në homelinë e tij, të ceremonisë së shenjtë të ngjalljes së Krishtit, Arqipeshkvi Mitropolitan, i Arqidoqezës Metropolitane, Tiranë Durrës, Imazot Arjan Dodaj, “që ka bërë të shndrisë natën e errët të çdo njeriu, të gjithë njerëzimit në çdo epokë që nga Edeni e deri në Golgota!
Kisha, në këtë vit të shenjtë të Jubileut 2025, këtu dhe në çdo cep të tokës, jeton këtë Natë të Shenjtë vigjiljeje së bashku me të gjithë vëllezërit e tjerë të krishterë që po bëjnë Pashkë! Ajo përjeton etapat themelore të historisë së shpëtimit. Liturgjia solemne që po kremtojmë është shprehje e kësaj “vigjiljeje”, që në një farë mënyre kujton atë të vetë Hyjit, për të cilën flet Libri i Daljes: “Ishte natë vigjiljeje për vetë Zotin që t’i nxirrte nga toka e Egjiptit. Kjo është natë vigjiljeje për të gjithë ne, për t’i dhënë lavdi Zotit… brez pas brezi” (Dal 12,42).
Në dashurinë e Tij përkujdesëse dhe besnike, që kapërcen kohën dhe hapësirën, Zoti vijon të jetë zgjuar për të ruajtur mbarë botën. Kështu në fakt këndon Psalmi: “Nuk do të flejë, as nuk do të kotet / ruajtësi i Izraelit. / Zoti është ruajtësi yt… Zoti do të vigjilojë mbi ty… tani e përgjithmonë” (Ps 120,4-5.8).
Edhe viti Jubilar, që po jetojmë, është i ruajtur në misterin e dashurisë dhe përkujdesjes së Atit. Ai “vepron gjithmonë” (Gjn 5,17) për shpëtimin e botës dhe, nëpërmjet Birit të bërë njeri, udhëheq popullin e vet nga skllavëria në liri, nga vdekja në jetë. E gjithë kjo kohë dhe mbarë jeta është brenda kësaj Nate të Shenjtë, pasi me mishërimin e Krishtit, me lindjen në Betlehem dhe vdekjen e Tij në Kalvar, përkujtojmë të njëjtin mister dashurie të Hyjit, i cili “aq shumë e deshi botën sa dha Birin e vet të njëlindurin, që kushdo që beson në Të të mos humbasë, por të ketë jetën e pasosur” (Gjn 3,16).
Në vigjiljen e kësaj Nate të Shenjtë, Kisha sodit tekstet e Shkrimit të Shenjtë, që shpalosin planin hyjnor nga Zanafilla deri te Ungjilli dhe që, falë edhe liturgjisë solemne të Pashkëve, nëpërmjet zjarrit dhe ujit, i japin këtij kremtimi një dimension kozmik. Në fakt, e mbarë gjithësia e krijuar nga Hyji është thirrur të jetë në vigjilje lutjeje këtë natë, pranë varrit të Krishtit. Para syve tanë kalon historia e shpëtimit, nga krijimi deri te shëlbimi, nga eksodi deri te Besëlidhja mbi Sinaj, nga besëlidhja e vjetër te ajo e reja në Jezu Krishtin dhe e përjetshme me Të! Në këtë Natë të Shenjtë përmbushet plani i përjetshëm i Hyjit që përfshin historinë e njeriut dhe të gjithësisë.
Në Vigjiljen e Pashkëve, që është Vigjilja nënë e të gjitha kremtimeve, çdo njeri mund të njohë edhe historinë e vet personale të shpëtimit, që ka pikën e vet themelore në rilindjen në Krishtin përmes Pagëzimit. Kjo është, në mënyrë të veçantë, përvoja juaj, vëllezër e motra të dashur, që së shpejti do të merrni Sakramentet e hyrjes në jetën e krishterë: Pagëzimin, Krezmimin dhe Eukaristinë. Ju vini nga histori dhe përvoja të ndryshme jete. Kjo larmi historish thekson përmasën universale të shpëtimit që sjell Krishti. Së shpejti, të dashur, do të përfshiheni në misterin e dashurisë së Hyjit, Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjt. U bëftë jeta juaj një këngë lavdie për Trininë e Shenjtë dhe një dëshmi dashurie pa kufij.
“Ja druri i Kryqit, në të cilin varet shpëtimi i botës: ejani ta adhurojmë!” Kështu këndoi dje Kisha, duke treguar drurin e Kryqit “ku qe varur Krishti, Shëlbuesi i botës”. “U kryqëzua, vdiq dhe u varros”, rrëfejmë në Besojmë. Varri! Ja vendi ku e vendosën (krh. Mk 16,6). Shpirtërisht, aty është e pranishme e gjithë Kisha nga çdo anë e botës.
Edhe ne jemi aty, me gratë që shkuan herët në mëngjes te varri, për të vajuar trupin e pajetë të Jezusit (krh. Mk 16,1).Kujdesi i tyre është kujdesi ynë. Me ato edhe ne zbulojmë se guri i madh i varrit është rrokullisur dhe trupi nuk është më aty. “Nuk është këtu”, lajmëron engjëlli, duke treguar varrin bosh dhe pëlhurat për tokë. Vdekja nuk ka më pushtet mbi Të (krh. Rom 6,9).Krishti është ngjallur!
Në përfundim të kësaj nate të Pashkës, Kisha shpall këtë, pasi dje kishte shpallur vdekjen e Krishtit në Kryq. Është një shpallje e së vërtetës dhe e jetës. “Zoti është ngjallur prej varrit, Ai që për ne vdiq në drurin e Kryqit. Aleluja!”Po, Krishti është me të vërtetë i ngjallur dhe ne jemi dëshmitarë të kësaj.

Ja shpallim këtë lajm vendit tonë që akoma ka nevojë të përjetojë kalimin nga nata e errët e ideologjive në atë të dritës së shpresës! T’ia shpallim familjes shqiptare që jo rrallëherë endet peng i një shoqërie që po harron vlerat e harmonisë dhe ngrohtësisë!
Le t’ua shpallim brezave të rinj që, fatkeqësisht, sot nuk kanë shumë busulla të qarta dhe koherente që i marrin për dore me dashuri dhe përkushtim, për të mos mbetur viktima të zgjedhjeve të menjëhershme e pak sakrifice që propozon bota e sotme virtuale.
Të dashur vëllezër e motra anembanë, ju ftoj që, në këtë Natë Jete, të ndizni qiriun e Pashkëve të Krishtit të Ringjallur dhe gëzimi ynë të arrijë në shumë zemra të tjera dhe të ndezë në to dritën e shpresës që nuk zhgënjen./Gazeta Panorama
© Panorama.al











