Kandidati i propozuar nga Topi për kreun e KLSH-së, Sali Shehu, përplaset ashpër me deputetët e PD-së, ish-kolegë të tij në Komisionin e Ekonomisë. Në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni, ku u organizua një seancë dëgjimore për emrin e dekretuar nga kreu i shtetit, Sali Shehu foli edhe për propozimin që i bëri Kryeministri dy ditë më parë për t’u tërhequr. Ai tha se ky qëndrim i kreut të qeverisë ka ardhur për dy arsye. “Këtë kundërshtim e shoh në këtë mënyrë: ose kam qenë kundërshtar i hapur i ndryshimeve kushtetuese për të cilat koha më ka dhënë të drejtë, ose jam mik i Bamir Topit”, u shpreh Shehu. Pasi iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të PD-së, ai replikoi në distancë me Kryeministrin, duke kujtuar të shkuarën e tij, kryesisht gjatë vitit 1998. “Mbrëmë në darkë, për të qenë i sinqertë me ju, pas një analize të gjatë që kam bërë me vete në shtëpi mbasi kam dëgjuar mikun tim Sali Berisha të më ftojë të jap dorëheqjen nga një detyrë për të cilën jam i gatshëm të jap dorëheqjen për t’i shërbyer shtetit, më dolën disa pyetje. Thashë: pse më thotë Sali Berisha të jap dorëheqjen, se më 14 shtator dola nga zyra dhe shkova e i thashë që do shkoj të mbroj shtetin dhe lashë familjen time? Sepse më 14 shtator dola me një çadër në varrimin e Azem Hajdarit dhe bëra 13 muaj burg? Apo pse fitova dy beteja të rëndësishme në Dibër me Paskal Milon, që e përshëndes për qëndrimet e mbajtura prej tij? Apo se fitova në Bulqizë? Apo se kam qenë 8 vjet anëtar i një komisioni të rëndësishëm?”. Sipas deputetit Flamur Noka, ky qëndrim kundërshtues nuk është ndaj individit Sali Shehu, por ndaj faktit se Presidenti nuk është konsultuar me Kuvendin për emërimin në KLSH. Këtij qëndrimi të Nokës, Shehu i është përgjigjur duke i thënë: “Nuk m’i gjykon dot ti, Flamur, aftësitë profesionale. Ti ke ardhur, ke mbajtur banderolat tek unë. Je në terezi apo jo? Bile ke bërë gabim që ke ardhur këtu”. Nertila Maho
Adriana Gjonaj: Faleminderit, zoti Shehu, që jeni sot në këtë komision për të paraqitur vizionin tuaj për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe ekspozenë që bëtë. Unë kam këto pyetje: Si e mendoni ju marrëdhënien ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokurorisë? Në përgjithësi kallëzimet e KLSH-së në Prokurori kanë dështuar. Pse mendoni se ndodh kjo? Kush e ka fajin dhe si mendoni ju të bëni që kallëzimet tuaja të gjejnë zbatim përmes organit të Prokurorisë? E dyta, duke parë CV-në tuaj, shoh që ju keni arritje të dëshirueshme për këto këtu, apo jashtë në drejtim profesional dhe drejtim politik. Keni qenë për tetë vjet deputet i këtij Parlamenti, keni qenë dhe në poste të tjera të larta të profesionit tuaj. Sidoqoftë, ju i keni dëgjuar komentet e këtyre ditëve dhe do doja të dija në mënyrë të sinqertë: ndjeheni ndopak i keqpërdorur?
Igli Cara: Në fjalën tuaj thatë që institucioni i KLSH-së është i pavarur. Duke parë CV-në tuaj, shoh që jeni diplomuar në Akademinë e Policisë dhe për Juridik. Si mendoni ta realizoni këtë detyrë duke pasur parasysh që nuk jeni diplomuar as në ekonomi dhe as në financë nuk keni njohuri? Cilat janë modelet e sistemit të kontrollit që ju njihni? Cili është modeli që ju implementoni? Dhe nëse keni një koment për gjykatën e llogarive që dikur është komentuar. Dhe në shtim të asaj që tha zonja Gjonaj, mendoni që duke qenë se keni një karrierë në Partinë Demokratike, a mendoni që përbën problem që pretendoni të bëheni drejtues i një institucioni të pavarur?
Sybi Hida: Doja të dija mendimin tuaj lidhur me transformimin e KLSH në një gjykatë llogarie. Ka pasur një debat edhe nga kryetari aktual nëse mban postin dhe sot për të ndryshuar statusin e KLSH-së nga KLSH, në një gjykatë llogarie, duke i njësuar ato me disa praktika të vendeve të Bashkimit Europian. E dyta, e paraqitët edhe vetë që auditi i brendshëm është në kundërshtim me KLSH dhe me performancën publike. Në këtë këndvështrim doja të dija mendimin tuaj lidhur me raportet që ka ligji i sapomiratuar në Parlament para disa kohësh për inspektimin financiar. Çfarë ka dublim nga KLSH dhe çfarë pozicioni duhet të ketë KLSH në këtë ligj?
Edmond Spaho: Zoti Shehu, KLSH raporton në Komisionin e Ekonomisë dy herë në vit, njëherë për aktivitetin e tij profesional dhe njëherë për buxhetin faktik. Ka pasur rezerva lidhur me mënyrën e paraqitjes dhe thelbit për buxhetin faktik. Analizën dhe mënyrën e ekspozimit të problemeve jo vetëm këtu në Komision, por dhe nga institucione të tjera, do doja të dija çfarë ndryshimesh duhen bërë për t’iu përshtatur praktikave të BE-së dhe veçanërisht Drejtorisë së Buxhetit lidhur me të. Së dyti, lidhur me kontrollin e përformancës, sipas nivelit të njohurive që keni ju, në ç’nivel ndodhet KLSH dhe çfarë ndryshimesh duhen bërë që të arrihet te niveli i performancës, pasi shpesh ne ngelemi në kontrollin ekonomiko-financiar në kuptimin klasik?
Gjok Uldedaj: Pyetja e parë: një mendim tuajin lidhur me punën që ka bërë KLSH gjatë këtyre viteve dhe a mendoni që KLSH ka rregullime ligjore? Cilat janë disa nga këto rregullime që mendoni se rrisin performancën? Pyetja e dytë: thatë që ka një dublim mes auditit dhe KLSH. Ku i shihni këto dublime dhe cilat janë eksperiencat e vendeve të tjera në këtë drejtim?
Ilir Bejtja: Zoti Shehu, deri tani kemi parë një KLSH të zhveshur qoftë nga pikëpamja e kompetencave përsa i përket asaj çka duhet të induktojë në organet shtetërore dhe të nëpërkëmbur, që është anashkaluar në shumë raste me akte nënligjore, me ngritje institucionesh të tjera auditi që e nxjerrin pak në hije. Si e mendoni rolin e ardhshëm nën drejtimin tuaj të KLSH? Do të jetë po në të njëjtat pozicione si sot, apo mendoni që duhet të ketë një tjetër të ardhme më ekzekutive dhe më operativ?
Andis Harasani: Kisha një pyetje për kryetarin e Komisionit. Kam gjashtë vjet që jam anëtar i Komisionit, kemi kaluar shumë institucione të pavarura dhe shumë kandidatë. Të paktën 12 herë ka qenë zoti Çeku këtu. Nuk kam parë asnjëherë që t’i bëhen pyetje të tilla. Pyetje qoftë të karakterit emotiv, qoftë shumë teknik. Çfarë ka ndodhur që ka kaq shumë pyetje me karakter kaq teknik dhe kaq specifik për zotin Shehu? Rëndësinë për KLSH-në e keni njësoj si opozita dhe pozita. Keni gjashtë vjet në pozitë, por çfarë ka ndodhur sot që jeni bërë kaq të interesuar për performancën, për operacionet teknike ditore të KLSH?
Edmond Spaho: Sikurse e pe dhe dje, procedura është e njëjtë, angazhimi i deputetëve dhe kolegëve është i njëjtë dhe dje tri orë u morëm me emërimet në BSH. Në të njëjtën rrugë do të vazhdojmë dhe sot, në mënyrë që të krijojmë institucione sa më profesionale.
Albana Vokshi: Unë shoh që ju keni bërë një master, tema e së cilës është: Përdorimi i detyrës, korrupsioni aktiv dhe pasiv, lufta kundër korrupsionit. Përveç kësaj pjese, cila është ajo pjesë e eksperiencës profesionale që mendoni se do t’ju ndihmojë më shumë në rast se ju merrni votëbesimin për t’u bërë kryetar i KLSH-së? E dyta, a mendoni ju që brenda këtij institucioni ka korrupsion dhe nëse po, cilat janë garancitë tuaja që ju do ta luftoni? Si do ta kontrolloni dhe auditori këtë institucion?
Ledina Aliolli: A mendoni se ka nevojë për përmirësime në ligjin organik të KLSH, në mënyrë që të arrijë standarde ndërkombëtare? Ç’mendoni se do të ndryshoni ju? Cili do të jetë kontributi juaj në kuadrin rregullator më të cilin KLSH funksionon konkretisht në proceset e kontrollit për t’i përsosur më tej ato? Së treti, cilat janë kushtet që KLSH do të krijojë për të zhvilluar më tej auditimin e performancës dhe zhvillimin e fushave të kontrollit financiar? Unë vlerësoj së tepërmi anën tuaj profesionale dhe CV-në tuaj, por do të bëja një pyetje në vazhdimësi të asaj që bëri kolegu Cara. Ku lidhet shkollimi juaj me objektin e veprimtarisë kontrolluese të KLSH-së dhe cili do të jetë kontributi juaj në drejtim të miradministrimit të financave publike? E fundit, keni qenë konsulent i një kompanie publike. A e keni deklaruar pasurinë tuaj?
Flamur Noka: Zoti Shehu: Në CV-në tuaj shoh një përjashtim 11-vjeçar kur keni punuar si konsulent i një firme. Kjo periudhë, pjesa dërrmuese e saj 8-9 vjet, përkojnë me kohën kur keni qenë deputet në Parlament. A mendoni se në këtë pikë ju bini në konflikt interesi bazuar në ligjin për konflikt interesi, ku marrëdhënia e deputetit bie në konflikt me një tjetër aktivitet? Ligji thotë që mandati i deputetit është i papajtueshëm me çdo aktivitet tjetër veç mësimdhënies.
Sali Shehu: Do t’ju sjell aktmarrëveshjen që kam me kompaninë, që ju të gjykoni nëse bie në kundërshtim apo jo. Florjon Mima: Cilat janë tri gjërat e para që do të bëni nëse do të të merrni votëbesimin? Erjon Braçe: A do t’i kërkoni Kuvendit, në rast se merrni votëbesimin, të bëjë detyrën për të ushtruar kontroll mbi KLSH, detyrë që s’është konsumuar këto 7 vjet?
Sali Shehu: Këtu ka shumë pyetje dhe nga dëgjimi që pata më rezulton që shumë pyetje janë në një linjë dhe do t’i përgjigjem bashkë, por kam nevojë për pak kohë. Kandidati për kreun e KLSH-së merr 20 minuta pushim dhe shkon të konsultohet në një nga zyrat e Komisionit të Ekonomisë. Sali Shehu: Më duhej kohë që të përmblidhja pyetjet dhe më rezulton që janë katër blloqe pyetjesh, të cilat mund t’i ezaurojmë në mënyrë të shpejtë. Më të rëndësishmet për mua janë ato që kanë të bëjnë me mënyrën e funksionimit të KLSH-së, me perspektivën e ndryshimeve ligjore, gjykatën e llogarive. Të gjitha këto pyetje, gjykoj që janë të një natyre dhe mendoj se nëse zgjidhem në krye të KLSH, do të ngre një grup pune në bashkëpunim me Financat dhe Ministrinë e Drejtësisë, duke identifikuar gjëra që nuk funksionojnë, për t’ia përcjellë komisionit tuaj që të gjykojë mënyrat më të mira. Bashkëpunimi me Prokurorinë do të jetë i një niveli më të lartë. Profesioni, natyra, vendosmëria dhe këmbëngulja ime do të jenë faza kryesore e kësaj zgjidhjeje për të ardhmen. Janë një grup pyetjesh që më bëhen për bazën time profesionale në drejtimin e KLSH-së. Jam krenar që kam qenë komisar policie, por duhet ta studioni CV-në që kam qenë vetëm një vit dhe kam qenë 13 vjet jurist. Kam qenë 8 vjet anëtar dhe sekretar i Komisionit të Ligjeve, kam qenë 11 vjet konsulent ligjor. Në këtë fushë mendoj që e plotësoj pjesën e parë, që një pjesë e mirë e njerëzve që unë i quaj dashamirës, mundohen ta trajtojnë si joprimare. Në drejtimin e institucioneve të rëndësishme dhe vlerësimin tim duhen identifikuar persona që nuk mund t’u vësh gishtin si të korruptuar. Kjo është e rëndësishme në Shqipëri për shkak se Shqipëria sot është një vend që aspiron për të qenë pjesë e BE-së, dhe unë e siguroj komisionin që nëse më votëbesoni në Kuvend, i ftoj të gjithë kolegët e mi të PD-së të mos kursejnë votimin në Kuvend, sepse mbas 7 viteve do të thonë që kemi bërë gjënë më të mirë. Kam një pyetje nga zoti Braçe për Kuvendin që t’i kërkohet të bëjë kontrollin ndaj KLSH-së. Ju siguroj që në momentin më të parë do të kërkoj nga komisioni juaj një kontroll të rreptë, të brendshëm dhe të jashtëm, të KLSH-së. Për pyetjen e Uldedajt, mendoj se zoti Çeku ka bërë një punë të mirë, por mendoj se kanë qenë dhe disa probleme që e kanë penguar KLSH-në të jetë eficiente, që mund të kalohen me rregullime ligjore.
Pas përgjigjeve të kandidatit për kreun e KLSH-së, deputetët marrin fjalën për të diskutuar.
Igli Cara: Bëra një pyetje lidhur me të kaluarën e zotit Shehu në Partinë Demokratike dhe ka qenë nder që ka qenë pjesë e saj. Por, lidhur me atë çka dëgjova dhe çka shoh në CV-në tuaj, mendimi im është që do isha krenar që t’ju kisha në krah në luftën tonë pranë Partisë Demokratike dhe sinqerisht ju shoh më mirë në PD, sesa kryetar të KLSH-së. Duke u nisur nga CV-ja dhe çfarë thatë, mendoj që nuk i plotësoni kushtet për të qenë kryetar i KLSH-së. Flamur Noka: Unë gjykoj që kandidatura juaj, përsa u përket kritereve, është në konflikt me ligjin sepse te kriteret e papajtueshmërisë, krahas ligjit që përmenda, 8270, që flet për 10 vjet në fushën e ekonomisë, financës apo juridikut, që ne gjykojmë që nuk plotësohet, është edhe pika e dytë, e cila flet që ju jeni akoma dhe sot anëtar i PD-së dhe një tjetër lidhet me politizimin. Ne mirëpresim kontributin tuaj, por kandidatura ka konflikt me ligjin.
Edmond Spaho: Ne kemi qenë kolegë, por këtu jemi për të zbatuar ligjin. Edhe pyetjet e kolegëve të maxhorancës ishin që të identifikonin një zgjedhje sa më të mirë, në mënyrë që të krijojmë një institucion që të jetë i pavarur dhe lart profesionalisht, pasi dhe vendi po punon për integrimin në BE. Në këtë kuptim, mendimi i maxhorancës është që nga pikëpamja profesionale, kandidatura juaj do të ishte shumë e mirë për një fushë tjetër, por jo në fushat e kontrollit financiar dhe ekonomik. Maxhoranca mendon që ka dhe një arsye tjetër që ka të bëjë me konsultimet e Presidentit me Parlamentit në emërimet e kandidatëve për organet kushtetuese dhe si maxhorancë mendojmë që Presidenti s’e ka zbatuar këtë kërkesë të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është një arsye më shumë që maxhoranca nuk është dakord me dekretin e Presidentit.
Andis Harasani: Nuk flas në emër të minorancës, por në emrin tim personal. Dua të shpreh përsëri çudinë për sasinë, cilësinë dhe mënyrën e pyetjeve. Nuk kam asnjë lloj marrëdhënie, qoftë me dekretin e Presidentit, qoftë dhe me kolegun tim Sali Shehu. Ajo çka dëgjova. Kam koment lidhur me fjalën e tre kolegëve të mi, zotit Noka, Cara dhe Spaho. Siç e kuptova, që zoti Shehu qenka shumë i aftë, shumë i mirë, që do donit ta kishit në PD, por nuk doni që ky njeri kaq i mirë, i aftë dhe i përkushtuar, të drejtojë një institucion të pavarur dhe të rëndësishëm si KLSH-ja, që për mua është në çakordancë.
Sali Shehu: Në fillim të fjalës time para këtij komisioni doja t’i përcjell pikën 2 të nenit 162 të Kushtetutës, ku thuhet se “Kryetari i KLSH-së zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit”. Unë e dëgjova mendimin e kolegëve me të cilët kemi qenë në një llogore. Flamuri ka qenë me mua në fushatën e 2001-it. Edhe unë do ta kisha mirëpritur kundërshtimin e një njeriu në aspektin profesional, se Flamuri është mjek, s’ka lidhje me këtë edhe Igli është biokimist, ndërsa komenti juaj zoti kryetar, që Presidenti ka bërë apo jo detyrën, nuk është për mua. Gjithsesi, kjo është zgjedhje personale. Unë e lidh këtë qëndrim me ftesën që më bëri Kryeministri për të dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë. Mirëpo mbrëmë në darkë, për të qenë i sinqertë me ju, pas një analize të gjatë që kam bërë me vete në shtëpi mbasi kam dëgjuar mikun tim Sali Berisha të më ftojë të jap dorëheqjen nga një detyrë për të cilën jam i gatshëm të jap dorëheqjen për t’i shërbyer shtetit, më dolën disa pyetje. Thashë: pse më thotë Sali Berisha të jap dorëheqjen, se më 14 shtator dola nga zyra edhe shkova dhe i thashë që do shkoj të mbroj shtetin dhe lashë familjen time? Edmond Spaho: Po dilni jashtë teme.
Sali Shehu: Unë jam mik në këtë komision dhe kam të drejtën e fjalës. Po më ftove, do më dëgjosh. Sepse më 14 shtator dola me një çadër në varrimin e Azem Hajdarit dhe bëra 13 muaj burg. Apo pse fitova dy beteja të rëndësishme në Dibër me Paskal Milon, që e përshëndes për qëndrimet e mbajtura prej tij? Apo se fitova në Bulqizë? Apo se kam qenë 8 vjet anëtar i një komisioni të rëndësishëm? Jo, s’është kjo. Ka dy mundësi. Këtë kundërshtim e shoh në këtë mënyrë: ose kam qenë kundërshtar i hapur i ndryshimeve kushtetuese për të cilat koha më ka dhënë të drejtë, ose jam mik i Bamir Topit.
Edmond Spaho: Tani po kalojmë në gjëra që nuk qëndrojnë. Sali Shehu: Por unë kam ngrënë bukë më pak se të tjerët në shtëpinë e tij. Atëherë, për ta mbyllur ju them kështu. Kjo sjellje më sjell ndërmend sjelljen e Jezu Krishtit kur iu sulën të gjithë për ta eliminuar: Fali o Zot se s’dinë çfarë bëjnë.
Flamur Noka: Gjatë gjithë kësaj mbledhjeje, çështja që ne parashtruam është kjo: ne vlerësojmë dhe çmojmë kontributin tuaj gjatë gjithë periudhës…
Sali Shehu: Nuk m’i gjykon dot ti, Flamur, mua aftësitë profesionale. Ti ke ardhur, ke mbajtur banderolat te unë. Je në terezi apo jo? Bile ke bërë gabim që ke ardhur këtu.
Arben Malaj: Është anëtar komisioni.
Flamur Noka: Ka një konflikt interesi. Nuk është me Sali Shehun. Presidenti nuk është konsultuar me Kuvendin, ka shkelur
© Panorama.al











