“Jam duke përgatitur këngën më të re, të cilën jam duke e punuar në bashkëpunim me reperin Mc Kresha dhe me këngëtaren Emi Abdyli. Është një këngë mjaft e mirë, e cila besoj do të pritet mirë e pëlqehet nga publiku ynë. Jemi duke punuar me përkushtim të madh që të tre, në mënyrë që gjithçka të shkojë mbarë”. Kështu kishte deklaruar kohë më parë këngëtarja e njohur, Flaka Krelani, për disa media në Kosovë, teksa ishte në përgatitjet e para të një kënge të re. Kjo këngë ka filluar tashmë transmetimin nëpër kanalet muzikore, pasi është finalizuar edhe me videoklip. Për shkak të angazhimeve në mbrëmje muzikore, Flaka ka qenë e detyruar të shtyjë publikimin e këngës dhe klipit. “Përveç angazhimit për këtë këngë, prej disa ditësh jam duke kënduar nëpër mbrëmje të ndryshme muzikore. Kam angazhime të ndryshme muzikore. Kam angazhime të shumta pothuajse në të gjitha qytezat e Kosovës”, ka thënë ajo. Ndonëse angazhimet e saj aktuale sillen rreth të kënduarit live, këngëtarja Flaka Krelani dhe dy bashkëpunëtorët e saj në këngën e re, Mc Kresha dhe Rina Abdyli, tashmë kanë lançuar klipin e tyre më të ri. “Kanë përfunduar filmimet e klipit më të ri të këngës, të cilën e kemi realizuar në bashkëpunim me Mc Kreshën dhe këngëtaren Rina Abdyli. Xhirimet e klipit janë bërë nga produksioni ‘Entermedia’ dhe jemi ndarë shumë të kënaqur”. E përbetuar në muzikën rok, Flaka thekson se nuk heziton të pranojë ftesa për bashkëpunime të ndryshme. “Jam e përbetuar për rok, është e vërtetë, por kur vjen një ofertë bashkëpunimi, unë jam gjithmonë e gatshme të them ‘po’, e sidomos për këngëtarët e rinj, të cilët mendojnë të hyjnë të sigurt në skenën shqiptare”. Kënga titullohet “Si bass” dhe është një përzierje e dy zhanreve të muzikës, hip-hop dhe asaj rok, që i përshtatet kështu stilit të muzikës që e këndon treshja e përmendur.











