Ka tri javë që ka filluar punën intensive në Nju Jork si modele e agjensisë “Wilhelmina models”. Modelja e njohur kosovare, Zana Krasniqi, tashmë ka marrë dhe vizën e punës në Amerikë, duke u vendosur atje për tri vite me radhë. Fotosesionet kanë filluar të bëhen përditshmëri e Zanës, saqë ajo tregon se ia ka filluar shumë mbarë. Brenda ditës, Zana tregon se mund të ketë tri-katër fotosesione, kështu që klientët i shohin fotot e modeleve dhe pastaj ata përzgjedhin nëse mund të vazhdojë të punojë si modele, apo jo. Zana për momentin po pëlqehet shumë me fotot e reja. Agjencia që punon Zana, ka seli edhe në Los Angeles, ndaj modelja pritet të vendoset edhe atje ku dëshiron të
vazhdojë karrierën si aktore, përpos punës si modele. “Ata e kanë bazën si agjenci modelesh në Los Angeles, por kanë lidhje me një tjetër agjenci edhe për aktore, ndaj më kanë ofruar të bëj një test për aktrim si fillim”, tregon modelja Krasniqi. Për të pasur sukses në këtë drejtim, e ke të pamundur që punët t’i bësh vetë, pasi duhet doemos të kesh edhe agjenten që të ndihmon. Ndërsa agjentja e Zanës është një femër nga Sllovenia, që e kupton botën femërore dhe e ndihmon shumë. Ndonëse për shumëkënd profesioni i modeles duket i lehtë, në fakt duhet shumë mund dhe punë. Dita e Zanës nis shumë herët me fitness, ushtrime dhe shumë prova. “Këtu ushtroj gjithmonë, vijën e trupit s’mund ta mbash pa bërë ushtrime. Merrem me joga më shumë. Është disiplinë puna e modeles”, thekson Zana. Asaj i mungojnë të gjithë në Kosovë, por kohën e lirë më shumë bisedon me të dashurin e saj. “Flas më shumë me të dashurin, por pak më rrallë me mamin dhe familjen”, thotë, teksa tregon se ndihet e vetmuar pa të dashurin, por që edhe më herët kanë qëndruar larg njëri-tjetrit. “Na ka rënë edhe më herët me u largu, por jo më shumë se dy javë, tash është shumë vështirë me qëndru larg dashurisë. Por kur qëndron më larg, dashuria bëhet më e bukur. Iu kisha këshillu çifteve me u nda për pak kohë. Takohemi brenda një muaji nganjëherë, ai vjen tek unë apo unë shkoj tek ai, por më shumë takohemi në Londër, që e kemi si pikë takimi”, – shton më tej modelja, duke pohuar se në Nju Jork mundësia e punës është shumë më e madhe se në vendet e tjera. “Unë Kosovën nuk e ndërroj me asgjë tjetër, por Nju Jorku të hap shumë rrugë dhe mëson mjaft gjëra të jetës”.
Sikur të isha djalë
Në intervistën e saj të shkurtër në versionin mashkull, supermodelja e njohur nuk përmend emrin e Lorik Canës si futbollisti më i mirë nga Kosova, por përmend një tjetër emër dhe flet gjithashtu se nuk shikon futboll.
Cilin futbollist njeh në Kosovë?
Enis Fetahun.
Me kë je rrahur për herë të fundit?
Me vëllaun tim.
A të ndodh ndonjëherë të shikosh futboll?
Nuk shikoj asnjëherë futboll.
A di me parku veturën mirë?
Aq fort, saqë nganjëherë e përlas (qesh).
Çfarë shikon më së pari te një femër?
Gjithmonë më kanë bërë përshtypje gishtat e dorës dhe këmbës.
BLERAND REXHEPI











