Të hënën nisin aplikimet për t’u pranuar në programet e studimit part-time në universitetet publike. Afati i fundit për kandidatët që duan të nisin studimet në këto programe do të jetë data 21 tetor. Kandidatët do të kenë vetëm 4 ditë kohë për të dorëzuar pranë fakulteteve dosjen e aplikimit. Gara për të fituar të drejtën e nisjes së fakultetit të dytë, sipas sistemit të pjesshëm të studimeve do të jetë e ashpër. Kjo për arsye se kërkesat e kandidatëve për të marrë një diplomë të dytë në xhep janë tepër të larta, krahasuar me kuotat që qeveria ka vënë në dispozicion për program të dytë studimi, në ciklin e parë të studimeve me kohë të pjesshme. Megjithëse numri total i kuotave të pranimit për çdo degë për studimet e pjesshme është i konsiderueshëm, kandidatëve për fakultet të dytë u është lënë një numër i kufizuar vendesh, deri në 20 për qind të numrit total të pranimeve. Pjesa tjetër, 80% e numrit total të kuotave, janë të përcaktuara për ata kandidatë që nuk kanë kryer asnjë shkollë të lartë. Ndërkohë që kërkesat e kandidatëve për të vazhduar një fakultet të dytë me kohë të pjesshme janë tepër të larta, ndërsa mundësitë që të pranohen të gjithë nuk ekzistojnë. Kështu, sipas kushtit të përcaktuar nga Ministria e Arsimit, kuota e çdo programi studimi do të ndahet në raportin 4:1, përkatësisht 80% e kuotës jepet për pranimet e reja për programe studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, dhe 20% për pranimet e reja për programe të dyta studimi. Kjo do të thotë se për çdo fakultet pjesa më e madhe e kuotave do t’u takojë atyre kandidatëve që nisin për herë të parë studimet e larta. Pra, nëse në Fakultetin e Drejtësisë janë miratuar 250 kuota pranimi, 200 do të jenë për fakultet të parë, ndërsa 50 për fakultet të dytë. Ndërkohë që të njëjtin rregull për ndarjen e kuotave të pranimit në studimet e pjesshme do të respektojnë edhe fakultetet e tjera të vendit, të cilat pjesën më të madhe të kuotave do t’ua lënë kandidatëve që, për arsye të ndryshme, nuk kanë pasur mundësi të vijojnë shkollën e lartë. Kandidati duhet të paraqesë një fotokopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore dhe certifikatës së notave, ose të ndonjë dëftese apo diplome tjetër studimi, të fituar jashtë vendit, të barasvlershme me të në Shqipëri. “Kandidatët që e kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2011, të dorëzojnë një fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme”, ka përcaktuar MASH. Dokumenti i dytë që kërkohet është kartë identiteti ose pasaporta dhe fotokopjet e tyre. Gjithashtu, kërkohen edhe dy fotografi dhe mandat-arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1550 lekësh, paguar pranë Postës Shqiptare. Dokumenti i fundit ka të bëjë me një vërtetim, që dëshmon se kandidati nuk ndjek program tjetër studimi me kohë të plotë ose të pjesshme në ndonjë universitet publik.
80 per qind
e numrit total të kuotave janë të përcaktuara për ata kandidatë që nuk kanë kryer asnjë shkollë të lartë. Ata do të kenë prioritet për t’u pranuar në programet e studimit me kohë të pjesshme
Kuotat
Studimet me kohë të pjesshme gjatë vitit të ri akademik do të mund t’i ndjekin 9350 studentë në të gjitha universitetet publike. Fituesit do të shpallen në muajin nëntor. Aplikimi do të bëhet me dosjen e cila duhet të përmbajë një sërë dokumentesh. Udhëzimi përcakton se duhen 5 lloje dokumentesh në aplikimin për t’u bërë pjesë e studimeve me kohë të pjesshme, ose, siç njihet në gjuhën e përditshme, part-time.
Kush nuk do paguajë tarifën e studimeve
Përjashtohen nga tarifa e shkollimit aplikantët që fitojnë të drejtën për të studiuar në një program studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, si program i parë studimi, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2011-2012, të cilët u përkasin këtyre kategorive sociale: të verbrit, të shurdhrit, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijë që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijë të familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, fëmijë të ish-të përndjekurve politikë, fëmijë romë dhe ballkano-egjiptianë. Këtë të drejtë e kanë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave shoqërore. Studentët e paguajnë tarifën e shkollimit të ndarë në këste vjetore, në përputhje me kreditet e lëndëve që do të frekuentojnë në çdo vit akademik. Studenti i nënshtrohet tarifës së shkollimit për një lëndë sa herë e frekuenton atë. Studentët e shkëlqyer nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin pasardhës.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











