Parkimi i gabuar, Policia fushatë me shoferët: Mos rrezikoni gjobat

Nov 10, 2011 | 9:25

Njësia e Qarkullimit Rrugor, Policia e Tiranës dhe përfaqësues të zyrës së OSBE-së në kryeqytet, zhvilluan dje një fushatë sensibilizuese për drejtuesit e mjeteve, duke rikujtuar sanksionet që parashikon Kodi Rrugor për parkimin e gabuar. Me këtë rast ishin përgatitur edhe disa broshura, ku nënvizoheshin penalitetet në rastet e parkimit, qëndrimit apo pushimit të gabuar të mjeteve. Në bazë të Kodit Rrugor, për rastet e përmendura ligji parashikon gjobë nga 500 deri në 3 mijë lekë të rinj, apo heqje me karrotrec dhe bllokim të mjetit. Për të gjitha këto raste tashmë ka nisur një fushatë për zbatimin e procedurave ligjore në përputhje me Kodin Rrugor, pasi një nga faktorët që sjell bllokimin e trafikut në Tiranë është pikërisht parkimi i mjeteve dyshe, qëndrimi dhe pushimi i gabuar në vende ku nuk është e lejuar. Policia me këtë rast paralajmëron qytetarët që nuk do ketë asnjë lloj tolerance për rastet e nënvizuara në fletëpalosjet që u shpërndanë dje nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit. Në rast parkimi të gabuar, gjoba më minimale është 500 lekë, por ndëshkimi më i rëndë është largimi i mjetit nga rruga me karrotrec, ndërsa Drejtoria e Policisë së Tiranës, përmes Njësisë Rajonale të Qarkullimit, ka marrë masat e nevojshme për parandalimin e ngjarjeve aksidentale, rritjen e sigurisë në rrugë dhe krijimin e lehtësirave në trafik.

© Panorama.al

Te lidhura