“Para ligjit janë të barabartë të gjithë”- Malaj: Rama s’ka asnjë ndjesi njerëzore, prishi dhe kasollet e pulave, futi njerëzit në burg për drita e ujë! Rrugët po shemben gjithandej

Mar 10, 2026 | 15:47

Ish-ministri dhe deputeti socialist Arben Malaj analizoi sot situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri, duke theksuar se përpara ligjit janë të barabartë të gjithë, pavarësisht nëse janë qytetarë apo zyrtarë.

arben malaj1

Duke iu referuar debateve dhe krizës së fundit politike për çështjen e imunitetit të zv/kryeministres së shkarkuar, pezulluar dhe të pandehur nga SPAK-GJKKO, Belinda Balluku, ekonomisti vuri në dukje se dikur kryeministri Edi Rama arrestonte qytetarët pse nuk paguanin dritat dhe ujin, madje duke u shembur edhe kasollet e pulave si ndërtime pa leje.

Një tjetër faktor që ai renditi ishte edhe situata social-ekonomike, sikurse ajo infrastrukturore. Malaj tha se ekonomia është në “offshore”, kurse infrastruktura rrugore është shembur anekënd Shqipërisë, duke nxjerrë në pah korrupsionin. Për të, “Rama nuk ka ndjesi njerëzore” dhe këtë e ka treguar dukshëm.

“Lidhur me Ballukun ka një rrugë dalje. Nga konsultimet që kam bërë, PS nuk do që të japë arrest me burg. Ka disa argumente për këtë, por pse të mos jepet arrest shtëpie? SPAK kërkon një arrestim dhe në këtë rast duhet të vlejë parimi i prezumimit të pafajësisë. Përpara ligjit duhet të jenë të barabartë të gjithë. Të dënohen ata që mbjellin drogë ose e shesin dhe të jenë të lirë ata që e bëjnë trafikun nuk është e drejtë. Apo të futësh në burg gruan dhe burrin për mbjellje droge, ndërkohë që dëmet sociale janë të mëdha, pasi kanë vështirësi sociale, kanë fëmijë për të mbajtur. Më vjen keq ta them, po Rama nuk ka ndjesi njerëzore, e kemi parë se çfarë bëri me ata që nuk paguanin dritat, ujin apo që shembi edhe kasollet e pulave. Nuk e ndryshon dot, ai është”, tha Malaj për “News 24”.

I pyetur për deklaratat e kryeministrit në mbrojtje të Ballukut dhe kundër drejtësisë, ai vuri në dukje se njerëzit janë të zhgënjyer me këtë qeveri, kurse kreu i mazhorancës ka nisur të kërkojë armiq gjithandej.

“Këto janë shenjat e para të një lideri që ka dështuar, me armiq kudo, brenda partisë, në Evropë apo dhe në botë. Madje këto janë edhe simptoma të një krize të thellë. Por nuk besoj se do shkojë në destabilizim, sepse duke parë edhe protestat e opozitës duket qartë se shqiptarët janë të zhgënjyer, edhe pse nuk kanë forcë apo duken të pafuqishëm. Këtu ndodhemi ne të gjithë bashkë, Rama ka vrarë shpresën. Ashtu sikurse bëri edhe Berisha dikur. Shqiptarët ikin nga vendi sepse ndihen të pafuqishëm”, vijoi ish-ministri i Financave.

Malaj u shpreh se fundin e qeverisë së Edi Ramës e sheh të afërt dhe pa kthim, pasi tani po i kthehet kundër edhe ndërkombëtarëve.

“Nuk ka kthim pas, i është prerë bileta me një drejtim. Ose do bashkëpunojë në tavolinë me faktorin ndërkombëtar, ose do ketë një fund edhe më të hidhur në kuptimin e reagimit publik. Tani është edhe më e madhe, sepse është mpleksur paraja kriminale, pushteti është i babëzitur për para dhe influencë”, theksoi ai.

Ish-deputeti socialist nënvizoi se situata e rrugëve tregon më mirë nivelin e korrupsionit, duke vënë në dukje se nuk ka vepra historike në Shqipëri dhe se nuk i duhej besuar kryeministrit.

“Infrastruktura është sektori më joshës edhe për paranë kriminale dhe mafian. E thekson edhe Banka Botërore, ka performancë të dobët Shikoni çfarë ndodh, po shemben të gjitha rrugët e ndërtuara anekënd vendit. Ia them në sy Ramës, nuk ka vepra historike në Shqipëri, por që të shemben kaq shumë vepra rrugore, pra nuk ka vepra historike, do të thotë se ka korrupsion. Unë them që shqiptarët të mos dëgjojnë piktorin që zhgarravit në zyrë, por t’i besojnë ekonomistëve. Në investimet në Shqipëri janë përjashtuar edhe kompani të mëdha me emër në botë apo edhe në Bashkimin Evropian. Kemi investime dhe ekonomi offshore dhe kjo nënkupton flamur të kuq. Ligjet në Shqipëri bëhen siç do krimi, si në Amerikën Latine ku janë kartelet”, tha Malaj mes të tjerash.

© Panorama.al

Te lidhura