Panik në qendër interneti, vritet me breshëri 34-vjeçari

Oct 14, 2011 | 11:52
Vendi ku ndodhi ngjarja

Ekzekutohet me breshëri automatike në një qendër interneti një 34-vjeçar nga Berati. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes i pohuan policisë së dy persona të armatosur janë futur me shpejtësi në ambientin e brendshëm të internetit dhe pasi kanë paralajmëruar personat e tjerë se “nuk kishin punë me ta”, kanë qëlluar drejt viktimës, shtetasit Klodian Lunani. Ngjarja ndodhi rreth orës 24:00 të së mërkurës, në lagjen “30-vjetori”. Autorët e ngjarjes i janë drejtuar fundit të lokalit, ku 34-vjeçari ishte i vetëm në një nga kompjuterët e saj. “Largohu se mos të kap ndonjë plumb”, kështu mësohet se i janë drejtuar dy autorët një tjetër të riu që është ndodhur afër viktimës. I tmerruar nga arma ai është larguar me shpejtësi, ndërsa 34-vjeçari i zënë në befasi ka qëndruar në vend, derisa në trupin e tij janë derdhur me breshëri 15 plumba. Ngjarja ka lënë të shokuar të gjithë të rinjtë e tjerë të pranishëm. Madje, ata nga frika nuk i kanë dhënë as ndihmën e parë viktimës për ta çuar në spital. Ky i fundit ka mundur të dalë zvarrë deri në rrugë dhe aty një mjet i rastësishëm e ka çuar në spital. Por vetëm pak minuta pas mbërritjes, i riu ka gjetur vdekjen. Mësohet se viktima jetonte vetëm me nënën e tij. Policia bëri të ditur se ka nisur hetimet në dy pisa, si më të mundshmet. E para ka të bëjë me një hakmarrje të mundshme, pasi Lunani disa vite më parë kishte qenë autor i një plagosje në lagjen ku ai banonte. Një tjetër pistë ka të bëjë me larje hesapesh ndërmjet furnitorëve të drogës në këtë qytet. Kjo pasi, sipas burimeve nga grupi i hetimit, viktima ishte kontingjent i saj, si përdorues dhe shpërndarës i lëndëve narkotike.Dëshmitarë në vendin e ngjarjes bënë të ditur për grupin e hetimit se një person ende i paidentifikuar e kishte paralajmëruar viktimën të largohej, disa minuta para se të ndodhte ngjarja. “Ik se do të të vrasin”, mësohet t’i ketë thënë ai viktimës, por ky i fundit kishte vijuar i qetë me kompjuterin e tij.

DESHMITARI
Një 24-vjeçar me inicialet H. T., i cili ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, tregoi tmerrin e atyre pak minutave në qendrën e internetit. “Isha ulur në një kompjuter dhe po luaja, kur dy persona kanë hyrë brenda me automatik në dorë, duke iu drejtuar fundit të lokalit, aty ku kishte zënë vend Klodian Lumani. Shumë nga të pranishmit fillimisht nuk dëgjuan se ç’thanë ata që hynë brenda me automatik, pasi kishin vendosur kufjet dhe ishin të pavëmendshëm. Ata na thanë se nuk kishin gjë me ne dhe të mos trembeshin, pasi nuk do të na qëllonin. Më pas vranë Klodianin”, u shpreh i riu, i cili nuk pranoi të identifikohej.

BERAT/ DILAVER XHELILI

© Panorama.al

Te lidhura