NORVEGJI- Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar marrëveshjen e arritur në Konferencën e Kryetarëve për nisjen e reformave të rëndësishme që kërkohen për rrugën integruese të vendit, atë zgjedhore, parlamentare dhe konsensusin për ligjet me shumicë të cilësuar. Deklarata është bërë gjatë takimit që Berisha zhvilloi me zëvëndëspresidentin e Parlamentit të Norvegjisë, Per-Kristian Foss, në kuadër të vizitës së tij në këtë vend.
“Pas një bllokimi dyvjeçar të reformave kyçe, opozita më së fundi po i kthehej realitetit politik dhe shprehu shpresën se një kurs i tillë politik do të vazhdojë në interesin më të mirë të vendit”- tha Berisha, duke e njohur atë me zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri. Ai e njohu ate me vendimin e Parlamentit për të zhbllokuar miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, fillimin e reformës zgjedhore dhe asaj të rregullores së Parlamentit, kushte këto të vendosura edhe nga Bashkimi Europian.
Berisha siguroi bashkëbiseduesin se integrimi europian është projekti më i rëndësishëm i qeverisë së tij dhe se ky projekt bazohej vetëm në merita dhe reforma.
Më tej gjatë takimit, kryeministri Berisha u ndal te investimet në sektorin e energjisë së rinovueshme, ku Statkraft ka një rol primar në projektin hidroenergjitik të kaskadës së Devollit, aktualisht ndër më të mëdhenjtë në Evropë, si dhe në projektin e gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline, ku një kompani tjetër norvegjeze Statoil është ndër aksionerët kryesorë të projektit. Nga ana e tij, Zëvëndëspresidenti i Parlamentit i vlerësoi kompanitë norvegjeze të përfshira në projekte energjetike në Shqipëri si kompani lider në sektorët e tyre.
© Panorama.al











