Nuk do të ketë pagë më të ulët se 20 mijë lekë në muaj për të gjithë personat e siguruar. Vendimi u mor dje nga Këshilli Kombëtar i Punës, në mbledhjen e radhës.Efektet financiare do të shtrihen nga data 1 korrik e këtij viti. Pra çdo shtetas që do të punojë në shtet apo në kompani private dhe paguan sigurimet, pragu i pagesës rritet. “Paga bazë minimale në shkallë vendi, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, propozohet të jetë 20 000 lekë në muaj nga, 19 000 që është aktualisht, duke u rritur 5,3%. Është parashikuar edhe paga orare në masën 115 lekë, me qëllim që të mbrohen më mirë punonjësit që punojnë me kohë të pjesshme ose jashtë kohës normale të punës”, tha ministri i Punës, Spiro Ksera, gjatë mbledhjes. Ai shtoi se sipas sistemit të pagave të punonjësve mbështetës, mbi pagën bazë jepen shtesa për vështirësi, dëmshmëri shëndeti, natyrë të veçantë pune, vjetërsi në punë, të cilat shkojnë mesatarisht 50% mbi pagën bazë. Duke llogaritur këto shtesa, paga për punonjësit që punojnë në punët më të thjeshta në sektorin shtetëror shkon mesatarisht në rreth 30 000 lekë në muaj. Biznesit privat, rritja e pagës minimale do t’i kushtojë taksa më të larta ndaj shtetit. Nëse deri tani, për një punonjës me pagë minimale paguhej TVSH-ja në masën 10% dhe shkonte deri në 1900 lekë, me pagën e re do të jetë 2000 lekë. Veç pagës minimale, Këshilli Kombëtar i Punës miratoi në mbledhjen e djeshme rishikimin e draftit të Kodit të Punës me qëllim përafrimin e plotë me legjislacionin e BE, si dhe propozimet e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjes dhe Këpucëve për heqjen e tarifës doganore për lëndën e parë të kësaj industrie.
Kërkesa e fasonistëve
Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjes dhe Këpucëve (DhKPVK) kërkoi që ndryshimet në ligjin “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të cilat po diskutohen në komisionet parlamentare të përfshijnë edhe heqjen e tarifës doganore 10%, për lëndën e parë të industrisë së konfeksioneve, me arsyetimin se kjo tarifë përbën kosto të lartë për prodhimet e tyre dhe nuk i jep mundësinë e konkurrimit me vendet e rajonit. Ministri Ksera vuri në dukje se industria e fasonit është shumë e rëndësishme për ekonominë shqiptare dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e punësimit, ndaj dhe qeveria do ta mbështesë këtë industri nëpërmjet ofrimit të lehtësirave fiskale. Falë politikave të ndërmarra nga qeveria, theksoi ministri i Punës, niveli i punësimit në tremujorin e parë të këtij viti është rritur me 0.4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe po ashtu ulje ka pësuar edhe niveli i papunësisë. Propozimet e miratuara do t’u bëhen prezente komisioneve të Parlamentit gjatë diskutimit të projektligjit të propozuar nga qeveria. Ministria e Punës informoi gjithashtu anëtarët e Këshillit se tashmë do të rifillojë puna për rishikimin e draftit të Kodit i Punës, në bashkëpunim me ekspertë të ILO. Gjithçka me qëllim përafrimin e plotë me legjislacionin e BE. Këshilli Kombëtar i Punës konsultoi edhe çështje të tilla si, detyrimet që rrjedhin nga ligji “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, për përgatitjen dhe nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të tij si dhe raportet e ILO-s (Organizatës Ndërkombëtare të Punës) mbi zbatimin e konventave.
5.3 per qind
rritet paga minimale në vend. Vendimi u mor dje nga Këshilli Kombëtar i Punës, në mbledhjen e radhës. Paga minimale nga 19 000 lekë bëhet 20 000 lekë si në shtet, ashtu dhe në privat
10 per qind
është tarifa doganore për lëndën e parë të industrisë së konfeksioneve. Ajo u hoq dje me arsyetimin se kjo tarifë përbën kosto të lartë për prodhimet fasoniste dhe nuk i jep mundësinë e konkurrimit me vendet e rajonit
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











