TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka deklaruar se dy deputetë të opozitës, Taulant Balla dhe Sajmir Tahiri janë paditur për shpifje në sallën e parlamentit dhe për këtë do të shkojnë në gjyq.
Nga foltorja e Kuvendit, në mbyllje të interpelancës së ministrit të Teknologjisë, Genc Pollo, kërkuar nga deputeti socialist Taulant Balla, ajo ka njoftuar për padinë që u është bërë Ballës dhe Tahirit.
“Do të jeni në gjyq shpifje dhe përbaltje që hidhni në Kuvend. Ka një rregullore dhe ka një ligj. Cdo gjë që ju duket se ju shkon në bursën e krediteve, në atë të shpifjeve ju bën dëm edhe juve, edhe Kuvendit. Ju keni gjetur rrugën tuaj, megjithatë ju them se në gjyq do jeni njëri në 31 dhe tjetri në datë 26. Fletë padinë e kam në zyrën time, nuk ka procedurë”- tha Topalli.
Pas kësaj ka reaguar Sajmir Tahiri. “Zonja kryetare të falenderoj për zëmergjerësinë që ma fale mandatin e këpucarit të parlamentit”- tha ai. Duke vlerësuar njoftimin e dhënë nga ministri Olldashi për aksidentin ujor në Durrës, ai akuzoi qeverinë për tragjedinë në Bulqizë.
“E vlerësoj që ministri u cua për të bërë një njoftim lidhur me incidentin në ujërat territoriale, por unë ju kujtoj vdekjen e Gërdecit të heshtur në Bulqizë që ne e kemi thënë në këtë sallë dhe shkak është neglizhenca kriminale e qeverisë”- tha ai.
© Panorama.al











