Pa të drejtë vote në Komision? Mediu: Rëndësi ka unifikimi i opozitës me një qëndrim për Reformën Zgjedhore! Raporti i OSBE/ODIHR, i zi

Oct 24, 2025 | 14:54

Komisioni Parlamentar i Posaçëm për Reformën Zgjedhore është në diskutim dhe sipër, teksa një draft është përgatitur tashmë dhe pritet që të miratohet nga palët nëse gjendet dakordësia përfundimtare.

fatmir mediu intervista

Sipas draftit dhe informacioneve paraprake, Partia Republikane nuk do jetë pjesë me të drejtë vote në Komision. Por kryetari i saj, Fatmir Mediu, mendon se rëndësi nuk ka vota e tij, por unifikimi i opozitës në një qëndrim për Reformën Zgjedhore dhe kjo arrihej nëpërmjet bashkimit, uljes dhe diskutimeve.

Deputeti u shpreh se do ishte prezent në diskutimet në Komision, qoftë edhe pa të drejtën e kësaj vote.

“Duhet një Parlament funksional dhe sistem zgjedhor që vendos prespektivë. Nëse PD nuk e ka kuptuar ende këtë, atëherë do mbetemi tek problemet e kaluara. Angazhimi im për reformën do jepet në çdo lloj mënyre, si të kem votë dhe si të mos kem, do jem në bisedimet e reformës. Duke qenë se është me bashkëkryetarë komisioni, tregon se vota atje ka pak rëndësi. Unë jam pjesë e Komisionit, do marrë pjesë në diskutime. Do jap qëndrimin dhe angazhimin tim për reformën, edhe nëse do jetë pa të drejtë vote”, tha Mediu për News 24.

Ai nënvizoi se nuk kishte asgjë të ndarë me PD-në, pavarësisht se çfarë do vendosej për anëtarët e Komisionit të Posaçëm, por shtoi se me rëndësi ishte ulja e partive opozitare dhe diskutime të hapura për të shkuar tek një qëndrim.

“Unë nuk kam asgjë të ndarë nga Partia Demokratike. Por opozita duhet të përpiqet ta kalojë anën formale të çështjes. Opozita ka nevojë për një bashkim opozitar. Kam biseduar me zotin Berisha dhe kemi rënë dakord që do ulemi të gjithë si grup për të diskutuar këtë çështje. Ka ardhur koha që opozita të jetë e unifikuar për këtë çështje, para se të shkohet atje. Opozita duhet të marrë në diskutim çështje themelore, nga raporti i OSBE/ODIHR dhe deri tek të tjerat, duhet të merren parasysh edhe raportet. Është me rëndësi që opozita të gjejë dakordësinë mes vetes, sepse ndryshe do e ketë të vështirë të dëgjohet nga pala tjetër dhe përfundon në llogjikën që shkon vetëm për të votuar”, komentoi ligjvënësi.

Pyetjes se çfarë mendonte për lënien jashtë nga e drejta e votës në Komision, si Parti Republikane, Mediu tha se nuk mund ta përjashtonte veten para kohe dhe duheshin pritur zhvillimet e mëtejshme.

“Duhet ta shoh një herë draftin, që mos të vetëpërjashtoj veten. Por opozita duhet të jetë aktive, duhet të bashkohet, e theksova dhe të mos jetë pas qytetarëve dhe fushatave elektorale. I vetmi që bëri fushatë elektorale në këto zgjedhje ishte Sali Berisha, pjesa tjetër e opozitës ishte një hap larg qytetarit dhe jam habitur me fushatën që bëri kryetari i PD-së”, tha ai.

Ai shpjegoi edhe formulën e përbërjes dhe diskutimet që ka pasur me kreun e PD-së, Berisha.

“Ka një periudhë të gjatë që kam qenë anëtar i Komisionit për Reformën zgjedhore. E kam mendimin gjithmonë ndryshe. Besoj se do të jem. Formulën e dëgjova prej jush, edhe pse skam informacion zyrtar. Projekti ka qenë ndryshe. Grupet parlamentare duke ruajtur balancat. Në atë 7 anëtarët e PD, pjesë e tyre do të ishin dhe dy nga aleatët. Mos më bëni që të deklarohem dhe të bëj një tërheqje publike! Koha ka provuar se qëndrimi im, për reformën zgjedhore, ka qenë qëndrim i drejtë. Ia kam thënë dhe zotit Berisha këtë gjë. I kam thënë se kjo reformë dëmton procesin, PD-në. E kemi hasur të dy”, u shpreh deputeti republikan.

Mediu dha koment edhe për raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet, duke deklaruar se ishte një “raport krejtësisht i zi”.

Gazetari Ergys Gjençaj informoi se në draftin e paraqitur janë përfshirë me të drejtë vote në Komision vetëm dy parti të vogla, “Mundësia” dhe PSD.

© Panorama.al

Te lidhura