Trajneri Rolando Maran ka nisur një sfidë të re në karrierën e tij, duke marrë drejtimin e Kombëtares sonë. Pas një eksperience të gjatë në futbollin italian, ku drejtoi skuadra të rëndësishme të Serisë A, tekniku nga Trentino është emëruar në krye të kuqezinjve dhe shumë shpejt do të transferohet në Tiranë për të nisur punën me kohë të plotë, teksa po pret vetëm afrimin e ndeshjeve në Ligën e Kombeve.

Maran është trajneri i parë nga rajoni italian i Trentinos që merr drejtimin e një kombëtareje. Në këtë aventurë ai do të shoqërohet edhe nga zëvendësi i tij i besuar, Kristian Maraner, me të cilin ka bashkëpunuar prej shumë vitesh. Gjatë karrierës së tij, Maran ka drejtuar klube me emër në elitën e futbollit italian, si Katania, Kievo dhe Kaljari, duke u vlerësuar për organizimin taktik dhe aftësinë për të ndërtuar skuadra konkurruese. Tani sfida e tij është futbolli i kombëtareve, ku objektivi kryesor është rikthimi i Shqipërisë në nivelet më të larta të futbollit evropian.
KOMBËTARJA- Duke folur për mediat italiane, Maran vlerësoi rrugëtimin e deritanishëm të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe theksoi se skuadra ka hedhur baza të rëndësishme gjatë viteve të fundit. “Është një kombëtare që ka bërë mirë, sepse është kualifikuar dy herë në Kampionatin Evropian. Tani nuk arriti të kualifikohet për Kupën e Botës, por ky do të jetë objektivi ynë në të ardhmen. Tani duhet të përqendrohem te Liga e Kombeve dhe te Kampionati Europian”, tha fillimisht trajneri italian.
Këto deklarata tregojnë qartë se trajneri italian synon të vazhdojë punën e bërë deri tani, por edhe të ndërtojë një ekip që të jetë konkurrues në çdo kompeticion ndërkombëtar. Për Maran, pjesëmarrja në turne të mëdhenj nuk duhet të jetë një rastësi, por një objektiv i vazhdueshëm për futbollin shqiptar.
ITALIA- Në intervistën e tij ai komentoi edhe mungesën e Italisë në Kupën e Botës, një temë që vazhdon të shkaktojë debat në vendin fqinj. Maran foli me keqardhje për situatën e “Axurrëve”, duke e parë edhe nga këndvështrimi i brezit të ri. “E vendos veten në vendin e një 18-vjeçari të sotëm që nuk e ka parë kurrë Italinë në një Kampionat Botëror. Vetëm kur mendoj se si i përjetoja unë ato Botërorë kur isha fëmijë, ishte një ëndërr që çdo djalë donte ta arrinte.”
VENDLINDJA- Përveç angazhimit me Kombëtaren shqiptare, Maran foli edhe për futbollin në vendlindjen e tij. Ai u ndal te skuadra e Trentos, duke vlerësuar projektin e klubit dhe ambicien për t’u ngjitur në Serie B. “Këtë vit kam shkuar disi më pak për ta parë Trenton, por disa herë kam qenë në stadium. Entuziazmi i presidentit Mauro Xhiaka është shumë i çmuar për një qytet që nuk është emocionuar kurrë shumë nga futbolli. Mendoj se ngjitja në Serie B është një objektiv i arritshëm”, u shpreh mes tjerash trajneri i Kombëtares.
Emërimi i Rolando Maran në stolin e Shqipërisë erdhi pas largimit të Silvinjos, teksa italiani duhet të bëjë më mirë se tekniku brazilian.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











