Legjenda e shahut Judit Polgár mund të jetë presidentja e ardhshme e Hungarisë, merr mbështetjen e partisë në pushtet

Jul 20, 2026 | 16:12

Partia qeverisëse e Hungarisë, Tisza, ka mbështetur kandidaturën e legjendës së shahut Judit Polgár për presidente të vendit. Sipas Reuters, ligjvënësit e partisë në pushtet e kanë mbështetur unanimisht emrin e saj, ndërsa vendimi përfundimtar për nominimin pritet të merret në takimin e ardhshëm të grupit parlamentar, bëri të ditur kreu i këtij grupi, Andrea Bujdoso.

hungari

Kryeministri hungarez Peter Magyar kishte njoftuar më herët se do t’i kërkonte Polgár të merrte detyrën e presidentes, një post kryesisht ceremonial, deri në miratimin e një kushtetute të re.

Kandidatura e saj vjen pas përfundimit të mandatit të presidentit aktual Tamas Sulyok, pasi një amendament kushtetues i miratuar nga partia Tisza i dha fund qëndrimit të tij në detyrë.

Sipas Reuters, zgjedhja e një presidenti të ri dhe hartimi i një kushtetute të re janë pjesë e përpjekjeve të qeverisë së re hungareze për të ndryshuar strukturat e ngritura gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Viktor Orban.

Judit Polgár, 49 vjeçe, konsiderohet shahistja femër më e suksesshme në histori. Ajo është e vetmja grua që ka hyrë në 10-shen më të mirë të renditjes botërore në shah dhe e vetmja që ka kaluar kufirin prej 2700 pikësh, një nivel që në këtë sport konsiderohet si ai i një “Super Mjeshtri të Madh”.

Kreu i grupit parlamentar të Tiszës, Andrea Bujdoso, e cilësoi Polgár si një figurë “patriote, të ndershme, empatike dhe të guximshme”, e aftë për të përfaqësuar unitetin e kombit.

Polgár nuk ka komentuar ende publikisht mbi propozimin. Kryeministri Magyar ka theksuar se presidenti i vendit duhet të jetë një figurë që ruan unitetin kombëtar dhe respektimin e kushtetutës.

© Panorama.al

Te lidhura