Omani i ka paraqitur Iranit një plan të mbështetur nga shtetet e Gjirit për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit, që përfshin edhe mbledhjen e tarifave vullnetare nga anijet që përdorin këtë rrugë detare strategjike.
Sipas burimeve të cituara nga “Reuters”, propozimi synon të shërbejë si bazë për rikthimin e qarkullimit të lirë tregtar në ngushticë, pas ndërprerjeve të shkaktuara nga përplasjet ushtarake mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit.
Sipas planit, Irani nuk do të kishte kontroll të vetëm mbi Ngushticën e Hormuzit, ndërsa tarifat për përdorimin e saj do të ishin vullnetare. Modeli është krahasuar me sistemin e përdorur në Ngushticën e Malakës në Azi, ku disa vende mbledhin kontribute vullnetare për financimin e navigimit, mbrojtjes së mjedisit dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit.
Irani ka deklaruar më herët se dëshiron të menaxhojë ngushticën së bashku me Omanin, i cili kontrollon bregun përballë, si dhe të vendosë tarifa shërbimi për anijet që kalojnë aty. Ndërkohë, Uashingtoni kërkon rikthimin e situatës së mëparshme, ku anijet kalonin pa pagesa dhe pa kufizime.
Deri më tani, Teherani nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare për propozimin e Omanit. Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi diskutoi të hënën për çështjen e Ngushticës së Hormuzit me homologët e tij nga Omani dhe Arabia Saudite, duke theksuar nevojën për bashkëpunim rajonal.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.
Ndërkohë, tensionet mes Iranit dhe SHBA-së vijojnë. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se negociatat me Teheranin mund të çojnë në një marrëveshje, por ka paralajmëruar se sulmet mund të rinisin nëse bisedimet dështojnë.
Përplasjet e fundit ushtarake kanë ndikuar edhe në tregjet energjetike, me çmimet e naftës që kanë shënuar rënie pas ndërprerjes së fushatës së bombardimeve amerikane.
© Panorama.al












