Olsi: Me Najadën po tentojmë një ribashkim

Oct 8, 2011 | 13:38

Dy javë më parë, ne publikuam disa foto në një klub nate, ku personazhe ishin Ervini i “BB4” dhe Najada, ish-pjesmarrëse në “BB1”. Dihet tashmë se ish-protagonistët e këtij show e kanë si traditë të shoqërohen me njëri-tjetrin, paçka se kanë marrë pjesë në edicione të ndryshme. Kështu, ata marrin më shumë vëmendje mediatike, të cilën e kërkojnë me çdo kusht. Por fotot e Najadës me Ervinin ishin një surpizë e vërtetë. Që Ervini shihet çdo javë me femra të ndryshme, kjo nuk përbën më lajm. Por e reja ishte se Olsi, mik i ngushtë i Ervinit, thuhej se kishte filluar të shoqërohej me Najadën, me të cilën kishte pasur një lidhje disavjeçare. Por fotot flisnin për një lidhje të mundshme të shokut të tij me ish të dashurën e tij. Për ta sqaruar më mirë këtë rrëmujë, ne pyetëm Olsin, i cili na tha: “Asgjë më shumë se miqësi nuk ka mes Ervinit dhe Najadës. Përkundrazi, unë jam duke u shoqëruar me të kohëve të fundit, pasi kemi vendosur të lëmë pas krahëve historitë e hidhura që kemi kaluar dhe t’i japim njëri-tjetrit një shans tjetër. Pavarësisht eksperiencave të tjera që kemi përjetuar, të dy jemi të bindur se kemi ndjenja reciproke që nuk shuhen lehtë”. Fjalët e Olsit vertetohen më së miri me fotot që po publikojmë, ku Najada dhe Olsi duket se po ia kalojnë shumë mirë në lokalin e Olsit, “Tokio”, në zonën e ish-Bllokut, ku dihet që figurat publike janë gjithnjë të pranishme. Të shohim se si do të shkojë kësaj here lidhja mes tyre. Në shpresojmë që kësaj here të funksionojë me të vërtetë.

© Panorama.al

Te lidhura