Oketa: Topi mund të kthehet në PD, e parashikon statuti

Oct 22, 2011 | 12:41
Gazmend Oketa

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Oketa, tha dje se Presidenti Bamir Topi mund të rikthehet në PD pas përfundimit të mandatit të tij në korrik të vitit të ardhshëm. Në një prononcim për “Ora News”, ish zv.kryeministri iu referua pikërisht statutit të PD-së, sipas të cilit, ish-presidentët janë anëtarë të Këshillit Kombëtar të kësaj partie. “Sipas Statutit të Partisë Demokratike, zoti Topi është automatikisht anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe unë besoj se do të ishte edhe në nder të PD-së që të zbatonte statutin, detyrimin statutor të saj qoftë për të marrë ftesën për të qenë i pranishëm në mbledhjet e Këshillit Kombëtar, nëse Këshilli Kombëtar mblidhet, pasi duhet theksuar edhe ky element”, u shpreh Oketa. Në të njëjtën kohë ai hodhi poshtë krijimin e një partie të re si vazhdim i Aleancës Kuq e Zi. Duke folur për përplasjen e fundit mes Presidentit dhe kryeparlamentares Topalli, Oketa theksoi se “sado aktuale do të duken këto shigjetime, janë një histori e vjetër e politikës shqiptare, një histori fatkeqësisht 20-vjeçare, e cila përsëritet në mënyrë ciklike dhe sa herë ka shigjetime të tilla, pas një farë kohe kalohen me një fjali që ‘ishin thjesht konsum politik’. Deri në korrikun e vitit që vjen shumë ujëra do të rrjedhin, shumë situata politike do të ndryshojnë”.

© Panorama.al

Te lidhura