OJF-të e gjakmarrjes: Dhamë vërtetime

Oct 20, 2011 | 13:06
Mustafë Daija, kryetar i Misionit të Paqes dhe Pajtimit

Një ditë pas “kambanës së alarmit” nga drejtori belg i azilit dhe migracionit, shoqatat e gjakmarrjes në Shqipëri pranojnë se kanë dhënë vërtetime “hasmërie” për njerëz të interesuar për azil jashtë Shqipërisë. Përfaqësues të këtyre shoqatave pranojnë se kanë lëshuar vërtetime për familje të ndryshme, por vetëm në rastet kur personat kanë pasur realisht probleme me gjakmarrjen. Organizmat e pajtimit theksojnë se vërtetimet e tyre janë lëshuar, pasi përfituesit e dokumentit janë konfirmuar si njerëz në hasmëri edhe nga drejtuesit e komunave të ndryshme në qarkun e Shkodrës, e gjithashtu nga vërtetime të siguruara nga prokuroria dhe gjykata. Mustafë Daija, kryetar i Misionit të Paqes dhe Pajtimit, deklaroi dje se këto vërtetime janë lëshuar pasi kanë qenë në përputhje me dokumentacionet e komunave, prokurorisë e gjykatave. “Por kjo nuk do të thotë se janë lëshuar vërtetime false nga këto shoqata, të cilat kanë një aktivitet real dhe një veprimtari prej vitesh. Ne e dimë shumë mirë se janë me dhjetëra shoqata fantazmë që kanë një vulë, një kryesi dhe nuk bëjnë asnjë lloj pune, prandaj duhet dalluar mirë i ndershmi nga matrapazët”, thotë Daija. Megjithëse tashmë për arsye moshe është shkëputur nga aktiviteti konkret në terren, që e ka ushtruar prej 21 vitesh, Daija pohon se është e vërtetë që ka lëshuar vërtetime të tilla, që në fakt nuk janë shumë. Sipas Dajisë, policia duhet të gjejë se cilët janë ata që kanë lëshuar vërtetime false, që kanë shërbyer për kërkesa për azil në BE. “Janë këto që duhet të mbajnë përgjegjësi. Fenomeni i gjakmarrjes është një fakt, që do apo nuk do shteti, ekziston si fenomen. Janë me dhjetëra persona që u rrezikohet jeta nga ky fenomen në Shqipëri, të cilët për të shpëtuar nga plumbat e hasmit, janë të detyruar të largohen në vende të huaja”, thotë përfaqësuesi i Misionit të Paqes dhe Pajtimit. Ndërsa Nikollë Shullani, sekretari i Shoqatës së pajtimit të gjaqeve, është shprehur se edhe shoqata e pajtimit  që ai përfaqëson ka lëshuar vërtetime të tilla, por edhe ato që ai ka lëshuar kanë ardhur pasi janë lëshuar më parë vërtetimet nga drejtuesit e komunave dhe të institucioneve të drejtësisë, si gjykata dhe prokurori. Shullani ka shtuar më tej, që sapo ka dëgjuar deklaratën e ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, për një fenomen të tillë ku individë të ndryshëm i përdorin vërtetimet për kërkesa për azil në BE, çka po i sjell pasoja vendit, nuk ka lëshuar dhe nuk do lëshojë më asnjë vërtetim për persona, qofshin këta seriozisht të rrezikuar nga fenomeni i gjakmarrjes.

Hetimi nga Policia e SHISH, vjen lista me 150 azilkërkuesit e parë
TIRANE – Policia shqiptare, Shërbimi Informativ dhe autoritetet e tjera të vendit kanë nisur hetimet në lidhje me skemën e abuzimit me vërtetimet e hasmërisë, që përdoren për të kërkuar azil në vendet e zonës “shengen”. Lajmi, i cili është bërë i ditur dy ditë më parë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, në fakt bën fjalë për një proces hetimi të nisur kohë më parë. Policia shqiptare kishte rënë në gjurmë të 44 rasteve të kërkesave për azil në Belgjikë që në muajt e verës. Hetimi ka nisur që atëherë, por me masivizimin e fenomenit, situata është bërë më problematike. Në këtë mënyrë, policia ka marrë masa në dy drejtime. Së pari është urdhëruar policia kufitare që të rrisë nivelin e kontrollit në kufi për personat që janë kontingjent i mundshëm për të kërkuar azil në zonën “shengen”. Ndërsa masa e dytë e marrë është nisja e një hetimi, që do të zbulojë autorët e abuzimit. Për këtë, një grup i përbashkët i policisë dhe SHISH është ngarkuar të gjejë shtetasit që janë pajisur me vërtetime fiktive dhe t’i marrë në pyetje për mënyrën si i kanë siguruar këto dokumente. Nga ana tjetër, mësohet se drejtori belg i emigracionit dhe azilit, Freddy Roosemont, ka sjellë në Tiranë një listë me të paktën 150 emra azilkërkuesish abuzivë, një pjesë e të cilëve ndodhen në Belgjikë, por që pritet të kthehen së shpejti në Shqipëri. Zyrtari belg ka premtuar se brenda pak javësh vërtetimet false të paraqitura në kërkesat për azil, së bashku me listën e 240 personave, do të mbërrijnë në Tiranë për t’u vënë në dispozicion të Policisë. Sipas burimeve zyrtare, personat që kanë mashtruar qytetarët dhe u kanë dhënë vërtetime me para me pretendimin se do të fitonin azil, rrezikojnë akuza për falsifikim dhe vjedhje me anë të mashtrimit, por edhe qytetarët që bëjnë kërkesa të tilla, rrezikojnë ndjekjen penale me akuzën e njoftimit apo kallëzimit të rremë. Edhe pse jashtë vendit, kërkuesit e azilit do të kthehen në Shqipëri, ku mund të hetohen për kundërvajtje me pasaportën shqiptare. tr.so

Shkodra e Tirana
Sipas të dhënave të palës belge, rreth 60 për qind e azilkërkuesve në këtë vend janë nga qyteti i Shkodrës. Një pjesë tjetër prej 20 për qind janë nga Kukësi dhe mandej, pjesa tjetër prej 20 për qind, janë nga Tirana. Këto tri qytete janë konsideruar problematike për azilkërkuesit.

Zyrtari belg: Po rrezikoni vizat

Drejtori belg i Emigracionit dhe Azilit, Freddy Roosemont

Drejtori i Përgjithshëm i Emigracionit në mbretërinë belge, Freddy Roosemont, deklaroi dy ditë më parë në Shkodër dhe në Tiranë, se vizita e tij në Shqipëri ishte një kambanë alarmi. “Informacionet e freskëta që mora nga Brukseli, tregojnë se janë paraqitur 50 azilkërkues shqiptarë vetëm të martën. Përse kam ardhur në Shkodër? Sepse shumica janë nga qarku i Shkodrës. Prandaj erdha këtu për një takim pune me autoritetet vendore të qarkut. Jo pa qëllim i bëra këto takime, sepse njerëzit që fillojnë të projektojnë një udhëtim për qëllime azilkërkimi në Belgjikë, kanë të drejtë që të marrin informacion të saktë. Sepse, me rastet që kemi në Belgjikë, jemi të bindur se njerëzit që marrin një udhëtim të tillë, janë viktima të informacioneve të rreme”, tha Roosemont. Ai deklaroi se që nga fillimi i tetorit në Belgjikë janë regjistruar 240 kërkesa për azil nga shtetas shqiptarë. Sipas zyrtarit belg, nëse vazhdohet me këtë ritëm, atëherë vendi rrezikon liberalizimin e vizave.

Ridvan Dibra/Shkodër

© Panorama.al

Te lidhura