
Ekspertët zbulojnë dëmtimin. E shoqja: S’ka pasur shenja më parë.
Dyshimet e familjarëve se oficeri i SHISH-it nuk ka vrarë veten konfirmohen nga të dhënat e para të ekspertizës mjekoligjore. Isa Çopës i është konstatuar një goditje e fortë pas koke, e cila i ka sjellë dëmtim të konsiderueshëm edhe të kafkës. Sipas ekspertëve, dëmtimi i është shkaktuar viktimës 49-vjeçare nga mjete të forta, dhe jo nga plumbi i armës që është shkrehur brenda makinës ku u gjet i pajetë, i shkrumbuar plotësisht Isa Çopa.
Dëshmia e gruas
Menjëherë pas këtij fakti, grupi i punës, i ngritur për këtë ngjarje të rëndë të ndodhur në Durrës, ka marrë në pyetje bashkëshorten e viktimës. Burime të konfirmuara bëjnë të ditur se mbrëmë e shoqja e oficerit, Arta Çopa, është pyetur nga drejtori i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Tonin Vocaj, në lidhje me plagën e zbuluar në trupin e djegur të viktimës. Mësohet se bashkëshortja ka mohuar se burri i saj të ketë pasur një plagë të hershme, e konstatuar nga ekspertët në mënyrë diagonale, në pjesën e pasme të kokës. Sipas saj, më parë i shoqi nuk ishte përfshirë në ndonjë aksident apo incident që t’i ketë sjellë atij dëmtimin e pjesës së kokës; çka për policinë ka ngritur dyshimin e faktuar se dëmtimi është shkaktuar në orët e fundit të jetës së shefit të kundërzbulimit. Vetëm pak orë më parë, familjarët e viktimës Isa Çopa, mes tyre dhe gruaja dhe i biri 17-vjeçar, kishin dëshmuar për njeriun e tyre shqetësimet dhe dyshimet e tyre mbi vdekjen e tij. Burime të besuara nga policia thanë se nënë e bir e kanë mohuar në mënyrë kategorike mundësinë e vetëvrasjes. Sipas tyre, Isai nuk kishte ndonjë shkak për të marrë një akt të tillë, duke kërkuar zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes makabre.
Ekspertiza e viktimës

Dëshmia e gruas së viktimës ka anuar peshoren e pistave nga ajo e vetëvrasjes drejt vrasjes, ndonëse, sipas hetuesve, është ende herët përcaktimi përfundimtar i saj. Gjithçka ka mbetur peng e pritjes së ekspertizës përfundimtare mbi trupin e viktimës, për të cilën po punojnë mjekët ligjorë të Tiranës. Brenda dy javësh, sipas drejtuesve të Policisë, do të dalë konkluzioni i plotë mbi verifikimet që po kryejnë ekspertët, bashkë me ata ligjorë dhe ata të Policisë Shkencore. Duke iu referuar ekspertëve mjekoligjorë, deklarohet se viktima ishte i karbonizuar më shumë se në 80 për qind. Megjithatë, ekspertët kanë mundur që të dallojnë në kokën e viktimës një të çarë e kafkës si dhe shtypje e kockës, e cila mendohet të jetë shkaktuar nga goditja me mjete të forta. Sipas tyre, mënyra e të çarës në pjesën e kafkës së kokës hedh poshtë versionin e një të çare të shkaktuar nga qitja me arme zjarri. Për ta, përcaktimi i kohës dhe mënyrës së goditjes do të ishte i menjëhershëm, nëse djegia do të ishte në shkallë më të ulët. Mënyra e pozicionit si u gjet i vdekur, i shtrirë dhe me një dorë në pjesën e poshtme të kokës, sipas ekspertëve, të ngjall dyshimin se ai ka ndërruar jetë para se zjarri të përfshinte makinën, në afërsi të zonës së Currilave në Durrës, ose ka qenë në gjendje të fikëti ose kome. Trupi i pajetë i 49-vjeçarit Isa Çopa u gjet në një vend të thellë mbi plazhin e Currilave. Një roje në këtë zonë pa flakët e më pas lajmëroi policinë. Vetëm pas shuarjes së zjarrit u mësua se brenda në mjet ndodhej dhe një person, pikërisht oficeri i Shërbimit Informativ Shtetëror, për të cilin familja kishte denoncuar zhdukjen pak orë më parë.
Telefoni
Kohë do t’i jepet dhe përgjigjes së kompanive celulare për telefonatat e kryera ose thirrjet e marra në telefonin celular të oficerit të SHISH-it ditën e fundit të vdekjes së tij. Mesazhi që ai i drejtoi të birit 17-vjeçar, rreth orës 18:30 të së hënës, ku i thoshte të bëhej i fortë, rezulton të jetë i fundit. Më pas, familjarët i kanë telefonuar, por telefoni dilte i mbyllur. Asnjë shenjë nuk u gjet për të, derisa pak minuta pas mesnatës së të hënës, trupi i tij u gjet pa jetë në
makinën e shkrumbuar nga zjarri.
Detyra
Misteri tjetër mbi vdekjen e 49-vjeçarit lidhet me detyrën e tij. Sipas Policisë, ka dyshime se flakët i janë vënë makinës për të shkrumbuar dhe dokumente që mund të gjendeshin në mjetin ku dhe u gjet i vdekur Isa Çopa. Nga ana e saj, Policia e Durrësit nuk ka autoritet që të verifikojë në zyrën e shefit të kundërzbulimit në SHISH, por ky fakt mund të zbërthehet nga vetë eprorët e Isa Çopës. Po dje është mësuar nga burime pranë SHISH në Durrës se Çopës nuk i ishte komunikuar ndonjëherë lirimi nga detyra, madje as nuk ishte përfolur një gjë e tillë.
Arma, misteri i qitjes së një plumbi
Policia e Durrësit ka konfirmuar se arma e gjetur në makinën “Opel Corsa” të shefit të SHISH-it është e punës së tij. Kjo armë ndodhet në duart e ekspertëve të Policisë Shkencore në Tiranë, të cilët do të japin dhe konkluzionin mbi qitjen e vetme të plumbit të Makarovit. Nga gjuajtja e armës është dëmtuar pjesa e tavanit të makinës, por pa u prekur viktima. Ekspertët do të saktësojnë mënyrën se si është shkrehur plumbi i vetëm dhe për të zbardhur faktin se nëse ka ndodhur nga nxehtësia, pse nuk kanë shpërthyer dhe tetë plumbat e tjerë në karikatorin e armës së punës që mbante Çopa.
Vdekja e oficerit të SHISH, Krimet e Rënda, 3 orë mbledhje në Durrës
Vdekja e mistershme e oficerit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Isa Çopa, banor i Lagjes Nr. 7 të qytetit të Durrësit, ka marrë përmasa të mëdha, derisa ajo i ka kaluar tashmë si çështje e veçantë edhe Drejtorisë së Krimeve të Rënda. Pas angazhimit të forcave policore të qytetit bregdetar si dhe Prokurorisë së Durrësit për ta ndjekur dhe dhënë kontributin e tyre në zbardhjen e kësaj ngjarje, një grup ekspertësh nga më të mirët e vendit në fushën e kriminalistikës si dhe mjekësisë ligjore të Tiranës, nën drejtimin e drejtorit të Krimeve të Rënda, Tonin Vocaj, kanë mbërritur në Durrës për të bërë shqyrtimin e situatës. Siç bëhet me dijeni paraprakisht, këta ekspertë hetimorë do të bëjnë një detajim të veçantë të të gjitha elementeve ekzistuese mbi vdekjen e 49-vjeçarit Çopa, për të zbuluar më pas pistat e mundshme mbi të cilat ajo mund të trajtohet. Një gjë e tillë konfirmohet zyrtarisht nga drejtues të Policisë së Durrësit vetëm pas takimit me drejtuesin e Krimeve të Rënda, Tonin Vocaj, i cili ka zgjatur plot tri orë në ambientet e Prokurorisë së qytetit bregdetar. Burime të sigurta në Prokurorinë e Durrësit bëjnë me dije se për të nxjerrë detaje mbi ngjarjen e rëndë është hartuar një plan i ri, Polici-Prokurori, për zbardhjen me çdo kusht të vdekjes misterioze.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











