Presidenti amerikan Barak Obama ka njoftuar planet se të gjitha trupat amerikane do të tërhiqen nga Iraku brenda këtij viti. Presidenti e bëri këtë deklaratë sot, pasi zhvilloi një video-konferencë me kryeministrin irakian Nuri al-Maliki. Në komentet në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama tha “Trupat tona në Irak pa diskutim do të jenë në atdhe për pushimet e fundvitit”.
Presidenti tha se ai dhe zoti Maliki ishin dakord në këtë pikë. Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Irakut, tha zoti Obama, po futen në një fazë të re bazuar në interesa dhe respekt reciprok. Ai shtoi se Amerika do të jetë partnere e Irakut në shërbim të paqes dhe sigurisë rajonale, dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara presin nga vendet e tjera të respektojnë sovranitetin e Irakut.
Më parë, ekzistonte ende mundësia që trupat amerikane të qëndronin në vend përtej afatit të 31 dhjetorit të caktuar në vitin 2008. Zoti Obama dhe zoti Maliki ishin në diskutime mbi këtë çështje prej disa kohësh.(voa)











