“Nuk na përfaqësoni!”- Aktivisti mesazh ministrit Blendi Gonxhe: Kërkoni justifikime për të hequr përgjegjësinë! Jeni i dështuar si njeri dhe politikan! PS-ja, në delir

Jul 22, 2026 | 20:22

Aktivisti Ardesian Binjakaj, i ka dërguar një mesazh nga sheshi para kryeministrisë ministri Blendi Gonxhe, lidhur me deklaratat e këtij të fundit për koncertin e Kanye West, për të cilin qeveria akordoi 4.2 milionë euro për financimin e biletave të pa shitura, që sipas qeverisë, shkak u bë protesta.

Aktivisti deklaroi se ministri po kërkon të shmangë përgjegjësinë përmes justifikimeve dhe se ai është, sipas tij, një nga ministrat më të turpshëm të historisë së politikës shqiptare.

“Jo vetëm je përpjekur të na hedhësh baltë, jo vetëm je përpjekur të bësh shesh dështimin tënd si individ dhe politikan, por je përpjekur që të gjitha problematikat që ke ngritur, të na i hedhësh ne si protestues”, tha Binjakaj.

Më tej, ai kritikoi edhe Partinë Socialiste, duke thënë se sipas tij është shkëputur nga realiteti i qytetarëve dhe “ndodhet në delir”.

Aktivisti: Dua të them se ka disa pseudo-shqiptarë në mesin tonë. Një pjesë e mirë prej tyre janë në parlament, të cilët bëjnë sikur votojnë për ne dhe bëjnë sikur na qajnë hallin. Por, në të vërtetë, ata kanë vetëm interesat e tyre, votojnë për interesat e tyre dhe nuk u intereson asgjë tjetër veçse të zmadhojnë xhepat.

Për Blendi Gonxhen unë kisha një mesazh, të cilin e kam postuar edhe në media sociale, por po e them edhe një herë këtu. Blendi Gonxhe është ankuar dhe ka thënë se koncertin e dëbuam ne. Blendi Gonxhe, një ministër i dështuar, kërkon të gjejë justifikime për koncertin e tij të dështuar. Ne kemi vetëm për t’i thënë se ti, Blendi, nuk na përfaqëson.

Dhe jo vetëm kaq, por ke treguar se je një nga ministrat më të turpshëm të historisë së politikës shqiptare, pasi jo vetëm je përpjekur të na hedhësh baltë, jo vetëm je përpjekur të bësh shesh dështimin tënd si individ dhe politikan, por je përpjekur që të gjitha problematikat që ke ngritur, të na i hedhësh ne si protestues.

Asnjëherë, Blendi Gonxhe, nuk ke dalë dhe nuk ke pasur shtyllën kurrizore t’u thuash shqiptarëve: “Po, gabova”. Sepse nuk ka gjë të keqe të gabosh, pasi është njerëzore. Gjithsecili gabon dhe ka faj. Por ju, ju nuk keni shtyllë kurrizore, ju jeni zvarranikë. Sepse gjeni justifikime për t’u përpjekur të hiqni përgjegjësinë. Kjo është e turpshme.

Shqiptari nuk e ka zakon të shesë shqiptarin. Ndaj, Blendi Gonxhe, merre përgjegjësinë mbi supe, thuaj: “Gabova”. Deshe dhe i more ato para, deshe dhe i përdore siç të deshi qejfi, jo siç deshi vullneti i popullit në shesh. Nuk i bëre studimet, sepse ju jeni në delir. Partia Socialiste është në delir dhe ka harruar se shqiptarët jetojnë një realitet tjetër. Ju mendoni vetëm se si të pasuroheni vetë, si të rrisni milionat, ndërsa shqiptarët mezi nxjerrin bukën e gojës.

© Panorama.al

Te lidhura