ADLEJ PICI
Eshtë ngjarje e vjetër tashmë mosmarrja e statusit të kandidatit për në BE, por ama, prapë nuk është shfaqur në debatin publik të deritanishëm një diskutim serioz për këtë refuzim, përveç shfajësimeve politike dhe transferimit të fajit tek armiku përballë. Problem nuk është kërkimi i ethshëm i justifikimeve nga ana e qeverisë se arsye që lidhen me opozitën e sollën këtë gjendje dhe i akuzave po aq të ethshme të opozitës se e gjithë kjo situatë ishte parashikuar prej tyre dhe nuk kishte si mos të ishte faji i qeverisë. Problem është se të gjithë komentatorët politikë dhe ideologjikë përleshen me ato që janë konsekuencat, ndërsa shkaqet e vërteta nuk diskutohen fare. Shkaqet nuk duan t’i diskutojnë në asnjë mënyrë sepse në atë rast do të duhej që këto shkaqe të pranoheshin dhe të diskutoheshin publikisht. Dhe shqiptarët, të gjithë shqiptarët, kur është rasti për të diskutuar seriozisht dhe hapur për probleme reale dhe aktuale, përvidhen dhe mundohen të përsërisin refrenin e së njëjtës këngë historike, që fajin na e kanë të tjerët ose dikush tjetër. Kushdo qoftë. Shqipëria u gjykua se nuk është e denjë për momentin për të kandiduar për të bërë pjesë në një klub kë tashmë bëjnë pjesë pothuaj të gjithë. Nuk ka asgjë për t’u çuditur nga një vendim i tillë, edhe pse vendime të ngjashme nuk janë të bazuara në të dhëna numerike ose studime akademike. Janë thjesht vendime politike, të cilat kanë për bazë gjykime burokratësh europianë mbi një seri sforcosh kolektive të një shteti (gjeografikisht i afërt me Europën) për të dhënë sinjale pozitive dhe sidomos serioze se në të ardhmen ky shtet do të sillet si ose ngjashmërisht me ata që janë ndërkohë pjesëtarë të këtij klubi. Shumë hipoteza janë ngritur në tavolinat e lokaleve në qytet dhe në fshat se cilat janë ose mund të jenë kriteret e pashkelshme të të bërit pjesë në këtë klub. Gjithashtu dhe shumë të vetëquajtur politologë e analistë kanë debatuar me tërë dijet e tyre mbi domethëniet e fshehura të raporteve me gjuhë të zbehtë e mediokre të servirura nga Brukseli. Është përmendur feja, naftësjellës të panumërt, mineralet e pafundme, Greqia, perla e Adriatikut (dhe e Jonit bashkë), strategji të rëndësishme ushtarake globale etj. Por, me sa shihet, të gjitha shkuan kot (edhe Greqia)! Nuk janë të mjaftueshme! Ç’është më demoralizuese është se vetëm vullneti i mirë nuk mjafton. Zëra të “indinjuar” kanë shkuar deri aty sa të pyesin pse Serbia dhe jo ne? Çne Mali i Zi? Serbia nuk ka si të jetë kandidate para Shqipërisë sepse nuk i takon. Nuk ka pasur të kaluar dhe vullnet të mirë dhe bën shantazh se do të martohet me Rusinë si për inat. Pse nuk bashkohemi me Kosovën dhe bëjmë namin! Kemi dhe Turqinë!!! Shqiptarët preferojnë ta shohin botën lineare. Serbia, në të vërtetë, është pjesë e rëndësishme e Europës si dhe komponent i historisë dhe kulturës së saj. Pavarësisht së kaluarës së afërme e të hidhur të saj, Serbia është në mes të një debati të rëndësishëm të brendshëm. Do t’i bashkohet klubit europian perëndimor, apo do t’i afrohet më tepër Rusisë? Do të preferojë Europën e butë dhe indulgjente, apo Rusinë e ashpër dhe putiniane në kërkim të ëndrrave të parealizuara? Ky është një debat shumë i rëndësishëm dhe i larmishëm për të ardhmen e një vendi që ndodhet në një udhëkryq të tillë një herë në jetë. Pasi të kenë vendosur kulturalisht dhe politikisht se cilin drejtim do të preferojnë, serbët do të bëjnë çmos të zhvillohen sa më shpejt në drejtimin që do të marrin. Serbia ka edhe probleme të ngjashme me ato të Shqipërisë, por jo aq akute dhe të pazgjidhshme. Shqipëria nuk është pjese e Europës me të njëjtin titull si Serbia. Shqipëria nuk ka sjellë ndonjëherë ndonjë kontribut kultural apo shoqëror e politik në Europë. Shqipëria ka qenë diku aty afër saj dhe aq. Kryesisht duke i ngjare Turqisë për shumë shekuj dhe Lindjes së Mesme këto vitet e fundit. Një numër i konsiderueshëm astrologësh të ricikluar si historianë dhe arkeologë janë munduar (dhe vazhdojnë të përpiqen) me të tëra forcat për të çuditur të paditurit dhe viktimat e komunizmit shqiptar me vjetërsinë heroike dhe bëmat unike të shqiptarëve. Natyrisht, kjo ndërmarrje a pashpresë është shpaguar vetëm me buzëqeshje dhe indiferencë nga ana e profesionistëve dhe personave të shkolluar. Shqipëria ndodhet në një udhëkryq në pamje shumë më të thjeshtë se vendet e tjera të rajonit. Udhëkryqi i Shqipërisë bëhet i vështirë jo aq për vendimet delikate që ajo duhet të marrë, por për pafuqinë e saj për të marrë vendime. Çfarëdolloj vendimesh. Fatkeqësisht! Shqipëria e ka të vështirë të bëhet Europë sepse nuk e ka këtë vendim në eksperiencat e saj historike dhe në organizimin e saj psiko-social. Vetëm elitat e saj kanë aspiruar me dëshpërim drejt saj, por këto të fundit kanë qenë gjithmonë të përkohshme dhe fatalisht të përmbysshme. Për faj të shqiptarëve. Shqipëria nuk ka mundësi të bëhet edhe njëherë me Lindjen, pavarësisht se një pjesë e madhe e shqiptarëve do të ndihej si në shtëpi me të. E ka të pamundur për arsye ekonomike, politike, sociale dhe logjistike. Për faj të shqiptarëve prapë. Asnjëherë në historinë e saj Shqipëria nuk ka arritur të jetë autosuficiente dhe të negociojë barazisht me këdo tjetër. Përveç periudhës dramatike të komunizmit, kur mbijetesa e mjerë sigurohej nga lëmoshat lindore të qëllimta të Rusisë dhe Kinës, Perëndimi ka financuar në mënyrë të pandërprerë, të përgjegjshme dhe të dizinteresuar ekzistencën e shqiptarëve. E ka bërë pa pritur ndonjë përfitim, duke e ditur që Shqipëria nuk ka çfarë të ofrojë, edhe pse i çuditur nga sjellja e çoroditur, tribale dhe joserioze e emisarëve të saj. Perëndimi ka qenë i vetmi kah gjeopolitik, i cili ka pasur dëshirën, përtej kufirit të një trilli kulturor, që Shqipëria të ekzistojë dhe ka bërë përpjekje reale për këtë. Dhe jo për meritë të shqiptarëve. Për këtë arsye, Shqipëria fatmirësisht nuk e ka fuqinë për të bërë zgjedhje të mëdha historike dhe gjeografike. Ajo ka luksin dhe lehtësinë e të përqendruarit vetëm në zgjedhjen e kahut të problemeve të brendshme. Por edhe kjo deri tani nuk ka funksionuar. Shqiptarët akoma nuk e bëjnë dot dallimin dhe nuk kanë vendosur ndarjen midis korrupsionit dhe qeverisjes, hajdutit dhe të ndershmit, policit dhe kriminelit, shtetit dhe bordellos, ekonomisë dhe bastisjes, shkollimit dhe blerjes se injorancës. Këto probleme nuk janë më objekt diskutimi sepse janë bërë pjesë e ekzistencës mjerane të të gjithë individëve të ushqyer nga politika aktuale që ka humbur çdo sens realiteti. Ky udhëkryq, gjithmonë për fajin e shqiptarëve, ka njëzet vjet që nuk arrihet të kalohet. Joserioziteti i politikanëve shqiptarë nuk është diçka që i ka kapur në befasi të gjithë. Ata janë projeksioni natyral i popullit shqiptar dhe i jetës së përditshme në Shqipëri. Në asnjë rast përfaqësuesit e shqiptarëve nuk kanë treguar as shenjën më të vogël të seriozitetit. Dhe çfarë është akoma më e rëndë, shqiptarët kanë treguar një aftësi të pashpjegueshme për të mos respektuar marrëveshjet, sidomos ato që me të vërtetë vlejnë për zhvillimin e vendit. Shteti dhe politika shqiptare ka arritur në nivelin pervers të mosrespektimit të çfarëdolloj marrëveshjeje, edhe me palë dashamirëse, në këmbim të kërkimit skizofren të përfitimeve momentale dritëshkurtra. Në këtë pikë edhe burokratët e Europës, me të drejtë indinjohen. Në rast se Serbia ose Mali i Zi përfitojnë ca më tepër sesa meritojnë në këtë moment, dhe kjo natyrisht edhe për arsyet e tyre historike, Shqipëria, në të kundërt, duhet ta djersijë çmimin e hyrjes në klubin e të tërëve. Dhe nuk bëhet fjalë për sakrifica biblike, por për ato gjëra pa të cilat asnjë europian nuk e percepton dot ekzistencën e tij. Në këtë pikë, shqiptarët janë me të vërtetë unikë, por nuk ua ka fajin asnjeri. Duhet të bëjnë atë që me të vërtetë e kanë më të vështirë nga të gjitha: të jenë seriozë.











