Nuk mblidhen të dhënat, shtyhet censusi

Oct 22, 2011 | 11:59
Gjatë protestës së PDIU në Korçë

Shtyhet procesi  i regjistrimit të popullsisë. Edhe pse afati i fundit ka qenë dje në mbrëmje, në terren nuk ka përfunduar ende mbledhja e të dhënave nga anketuesit. Mijëra familje kanë mbetur pa regjistruar. Sipas INSTAT-it, volumi i madh i punës dhe numri më i lartë se parashikimi i banesave në qytetet e mëdha, ka bërë që të mendohet për një afat të dytë. Gjithçka e konfirmoi dje  edhe ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo. Sipas tij, afati tjetër do të përcaktohet sot në mesditë. Ndërkohë, sipas ligjit, regjistrimit në terren mund t’i jepet edhe vetëm një javë shtesë. “Unë do t’i bëja thirrje dhe këtë ditë se kush, për një arsye ose një tjetër, se nuk ka mundur, ose ka pasur një mendim të caktuar, është rasti për të bërë deklarimin, sepse nëse numërohesh, atëherë ekziston. Nëse numërohesh dhe figuron në statistikat e shtetit, atëherë edhe shteti mund të bëjë diçka për ty”, tha Genc Pollo. Sa u përket parregullsive, ministri theksoi se ato kanë qenë sporadike dhe nuk kanë cenuar thelbin e procesit.
“Ekziston mundësia për gjëra periferike, nëse në 3 mijë raste ndodh 1 rast problematik, media tenton të shkojë drejt sensacionit. Po të shikosh si ka ecur censusi në Shqipëri dhe në vende të tjera, unë do të thosha me plot gojën se ne kemi një nga proceset më cilësore në rajon”, tha Pollo. Rezultatet paraprake të regjistrimit do të dalin në nëntor dhe vetëm në fund të 2012-s do të arrihet në konkluzionet përfundimtare të tij. Të dhëna e marra nga ky proces do të kenë efekt vetëm statistikor dhe nuk do të reflektohen në Regjistrin Themeltar të Shtetasve. Censusi jep një përshkrim të detajuar të të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri. Sa njerëz banojnë në Shqipëri sot dhe si jetojnë ata, për çfarë shërbimesh kanë nevojë ata dhe shumë aspekte të tjera të shoqërisë. Të dhënat e censusit do të sigurojnë këtë informacion dhe do të ndihmojnë autoritetet përgjegjëse të planifikojnë mbi baza reale dhe të hartojnë politika për nevojat konkrete në fushat e shëndetësisë, edukimit, punësimit, infrastrukturës etj. Për më tepër, të dhënat e censusit mundësojnë krahasimin midis qyteteve dhe zonave, kështu që institucionet ndërkombëtare dhe shqiptare mund të ndjekin me lehtësi zhvillimet dhe të planifikojnë aktivitetet e tyre më me saktësi.

15 mije persona
janë të punësuar për numërimin, mbikëqyrjen, kontrollimin dhe mbështetjen e logjistikës. Anketuesi i zonës suaj do t’ju vijë në banesë dhe ai ose ajo do të plotësojë pyetësorin në përputhje me informacionin që ju do të jepni.

PDIU, protestë në Korçë para Konsullatës Greke
PDIU ka organizuar dje një protestë para Konsullatës Greke në qytetin e Korçës, pak orë pasi doli lajmi se konsulli Teodoros Ikonomus ishte larguar nga Shqipëria pas përfundimit të mandatit. Kryetari i PDIU-së kishte deklaruar se ikja e paparalajmëruar e konsullit nuk kishte hequr mentalitetin grek që kishte sjellë këtë konsull në Shqipëri. “Duke ardhur për në Korçë mësova se konsulli ishte larguar, këtë herë përfundimisht. Duke qenë se ka deklaruar largimin edhe herë të tjera, pas presionit të shoqërisë shqiptare dhe tuajën si korçarë patriotë, dua të siguroj se ai nuk do të kthehet sërish dhe se ne do të bëhemi garant për këtë. Por, mentaliteti që ka sjellë konsullin grek këtu, mentaliteti i megaloidhesë, ende nuk ka ikur. Amendamentet tona e kanë frenuar atë, ia kanë hequr mundësinë që të abuzohej me censusin. Tashmë asnjë që është shqiptar nuk mund të deklarohet ndryshe”, tha Idrizi.

Bollano: Regjistrimi, jo transparent
SARANDE – Në ditën e përfundimit zyrtarisht të censusit, kreu i organizatës OMONIA, Vasil Bollano, denoncoi gjatë daljes me një deklaratë për shtyp, procesin e regjistrimit. Ai e cilësoi këtë proces, si proces të parapërgatitur dhe të fabrikuar, i cili në vend që të zgjidhë problemet që duhet të zgjidhë i ndërlikon më keq. “Ne cilësojmë se dhe periudha kur u krye ky proces vërteton problemet që kanë qenë diktuar nga ne gjatë të gjithë procesit. Omonia, si organizatë përfaqësuese e minoritetit etnik grek do të përshkallëzojë të gjithë kërkesën për këtë proces, i cili nuk ishte as në cilësinë e duhur dhe as me transparencën e duhur. Në parim, ne jemi angazhuar përpara komunitetit grek, por edhe para opinionit ndërkombëtar se do të bëjmë studimet e duhura për të përgatitur një regjistrim të gjithë komunitetit etnik grek në Shqipëri”, ka përfunduar Vasil Bollano.

KORÇE: Ikën konsulli i thirrjeve nacionaliste
Largohet nga Korça konsulli grek, Teodoros Ikonomus. Burime nga konsullata kanë konfirmuar zyrtarisht se largimi i konsullit ka ardhur si shkak i përfundimit të mandatit të tij 2-vjeçar, ndërsa ende nuk dihet nëse për të do të ketë një mandat të dytë apo drejtimin e konsullatës do ta marrë në dorë një tjetër diplomat. Fundi i  mandatit të diplomatit grek, i njohur për thirrjet nacionaliste të lëshuara vazhdimisht në juglindje të vendit dhe për tentativat e tij të helenizimit, ka përkuar edhe me ditën e mbylljes së procesit të regjistrimit të popullsisë. Ndryshe nga çka ndodhur gjatë periudhës së qëndrimit 2-vjeçar në Korçë, ku Ikonomus për çdo fundjavë largohej në Greqi, gjatë censusit ai ka qëndruar në mënyrë konstante në qytet. dh.d

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura