Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) zhvilloi sot një seancë për shqyrtimin e kërkesës ankimore të Partisë Demokratike, e cila kërkon pavlefshmëri të zgjedhjeve në qarkun e Kukësit.

Pas shqyrtimit KAS vendosi rrëzimin e kërkesës së PD-së.
Sipas KAS lidhur me kërkesën e PD, nuk ka prova të mjaftueshme për shpalljen e pavlefshmërisë të zgjedhjeve në qarkun e Kukësit.
NJOFTIMI I KAS
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shpalli vendimin për kërkesën ankimore nr. 37, datë 23.05.2025, depozituar nga Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, me objekt: “1. Kundërshtimi i Vendimit Nr. 1309, datë 19.05.2025 – të KSHZ – “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Kukës, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025”. 2. Pavlefshmëria e zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore Qarku – Kukës. 3. Zgjidhjen e pasojave duke urdhëruar përsëritjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë në të gjithë zonën zgjedhore Qarku Kukës”.
Me shumicë votash, KAS vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 37, të Koalicionit PD-ASHM, për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore qarku Kukës, si të pa mbështetur në ligj dhe në prova. KAS vendosi lënien në fuqi të vendimit 1309/2025 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Kukës, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025”.
Kujtojmë se më 24 Maj Partia Demokratike dorëzoi zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Qarkun e Kukësit, duke kërkuar përsëritjen e tyre.
Në dokumentin e dorëzuar, PD renditi një sërë shkeljesh që, sipas saj, cënuan rëndë procesin zgjedhor në këtë qark. Ndër më kryesoret, PD përmend përdorimin e aseteve shtetërore gjatë fushatës në funksion të një partie politike, shitblerjen e votës dhe parregullsitë me votën e emigrantëve.
Sipas Partisë Demokratike, këto shkelje e kanë deformuar vullnetin e votuesve dhe e bëjnë të domosdoshme përsëritjen e procesit zgjedhor në Kukës.
© Panorama.al











