Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e sotme në një takim me vajzat dhe gratë në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit.

Rama foli edhe për mbylljen e TikTok, që sipas tij nuk do kishte ndodhur nëse qeveria nuk do kishte mbështetjen e grave.
Më tej kryeministri foli se qeverisja socialiste do bëjë më shumë për nënat e komunitetit rom, ndërsa ndjehet krenar për Ina Majkon, kandidaten socialiste për deputete nga komuniteti rom, që mund të jetë pjesë e qeverisjes së ardhshme.
Rama: Nuk e di nëse do e mbyllnim tiktok nëse nuk do kishim mbështetjen absolute të grave. Nëse do ishte vetëm muhabet burrash nuk do kishte kaq mbështetje mbyllja. Besoj se nuk duhet të ndalemi. Kemi bërë një risi tjetër, kemi përcaktuar në statut se organizatat socialiste kemi në 95% drejtuese gra dhe vajza. Duhet të bëjmë më shumë jo thjesht për t’i promovuar por edhe për të shfrytëzuar këtë fuqi kaq të ekuilibruar për të bërë shumë më tepër gratë dhe vajzat në shoqëri.
Siç kemi bërë për afro 10 mijë nëna. Siç kemi bërë me bonusin e bebes, kanë përfituar 277 mijë bebe. Kemi nevojë të bëjmë më shumë për shërbimet shëndetësore për gratë, nxitjen e punësimit për gratë. Edhe për nënat rome duhet të bëjmë më shumë. Jam krenar që PS për herë të parë bëhet promotore e një vajze kandidate për deputete e komunitetit rom. Mund të jetë zë i nevojshëm në Kuvend. Nëse nuk do jetë në Kuvendin, patjetër do jetë në qeverisjen e ardhshme. Do mbështesim nënat më shumë për të rritur sigurinë për fëmijët.
© Panorama.al











