“Nobeli”, nën hetim për bashkëpunim me bastet

Oct 12, 2011 | 11:51
Tomas Transtromer

As “Nobeli” nuk mbetet pa njollosur. Akademia e çmimeve “Nobel” është nën hetim për nxjerrje informacioni. Pas shpalljes së vendimit mbi fituesit e sivjetshëm të “Nobelit” për letërsinë, fituar nga poeti suedez Tomas Transtromer, ishin të shumta thashethemet që e lidhnin Akademinë me biznesin e basteve. Për këtë arsye, Prokuroria suedeze po heton mundësinë e “rrjedhjes” së informacionit për fituesin, përpara se ai të bëhej publik. Këtë e ka bërë të njohur për mediat suedeze kryeprokurori për antikorrupsionin, Alf Johannsson. Sipas tij, në qendrën britanike të basteve “Ladbrokers”, deri në ditën e enjte si kandidat kryesor për marrjen e çmimit “Nobel për letërsi” figuronte emri i poetit 81-vjeçar sirian Adonis, pas të cilit radhitej poeti suedez, Tomas Transtromer. Vetëm pak orë para shpalljes zyrtare të fituesit, Transtromer përnjëherë u shndërrua në favoritin kryesor (13-1 në 2-1). Një ngritje e tillë u duk e dyshimtë dhe u nënvizua menjëherë nga mediat vendëse. Një dyshim ky që tashmë ka vënë në lëvizje Departamentin për luftë kundër korrupsionit, pranë Prokurorisë së Suedisë.
Sipas Shefit të Zyrës së Akademisë Suedeze, Odd Zschiedrich, përveç 18 anëtarëve të Akademisë, ishin vetëm pesë të punësuar të tjerë në Akademi, që e dinin emrin e fituesit të sivjetmë të “Nobelit për letërsi”, para se ai të bëhej zyrtarisht publik. Krerët e Akademisë këmbëngulin se nga ana e tyre nuk ka rrjedhur asnjë informacion. “Ne as që do ta verifikojmë fare këtë dyshim”, deklaroi në mënyrë demonstrative shefi i jurisë, Peter Englund, për gazetën ditore suedeze “Expressen”.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që lindin dyshime të tilla mbi një “rrjedhje” informacioni, apo bashkëpunim të qendrave të basteve dhe Akademisë. E njëjta gjë ka ndodhur tre vjet më parë, kur në mënyrë të papritur u shpall fitues për letërsinë shkrimtari francez, Jean-Marie Gustave Le Clezio, e një vit më vonë ajo gjermane, Herta Muller. Pavarësisht se fitoret ishin të papritura, emrat e dy shkrimtarëve ishin në krye të të kuotuarve në qendrat e basteve.

© Panorama.al

Te lidhura