Njëri po vinte dhe tjetri po ikte për në Greqi, në pranga i kërkuari për drogë dhe 21-vjeçari që po trafikonte hashash si udhëtar autobusi

Dec 18, 2025 | 19:14

Dy persona janë arrestuar ditën e sotme nga Policia Kufitare e Kapshticës për drogë.

Dogana-e-Kapshticës

Një prej tyre ishte i shpallur në kërkim me vendim gjykate dhe po kthehej për në Shqipëri, kurse tjetri po largohej drejt Greqisë si udhëtar në një prej linjave të autobusëve.

“Në kuadër të kontrolleve dhe intervistimeve të thelluara nga shërbimet e policisë kufitare në kufirin e gjelbër, në hyrje për në Shqipëri është ndaluar shtetasi P. H, 35 vjeç, banues në fshatin Sovjan, Maliq. Ndaj të cilit, Gjykata Korçë ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “shtytja e të miturve në krim”. Bënë me dije burime zyrtare për arrestimin e parë.

Por gjatë kontrolleve të shtuara, të kryera në bazë të analizës së riskut, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilët ata lëvizin, shërbimet e Policisë Kufitare Kapshticë dhe Korçë goditën një tjetër rast të paligjshmërisë.

“Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit O. J., 21 vjeç, banues në Greqi, pasagjer në një linjë autobusi, në dalje të Shqipërisë, iu gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa”, tha policia vendore.

Në përfundim të veprimeve procedurale ndaj 21-vjeçarit nisi procedimi penal, për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

© Panorama.al

Te lidhura