
Shpëtim Duro po kalon një nga momentet më të sikletshme dhe më absurde te Skënderbeu. Më tepër sesa për shkak të rezultateve, trajneri i kampionëve në fuqi të Shqipërisë po vuan atmosferën që është krijuar në Korçë. Dje pasdite është përhapur me shpejtësi lajmi se e kishin shkarkuar dhe se, në vend të tij ishte projektuar një trajner çek, por drejtuesit në vend që të sqaronin diçka, heshtën, duke e bërë edhe më konfuze situatën. Mjaftoi një njoftim i një grupimi fansash fanatikë të Skënderbeut në rrjetin social “Facebook” se trajneri Shpëtim Duro ishte shkarkuar, që media të vihej e tëra në lëvizje. Por, nëse nga burime të afërta të trajnerit, madje dhe nga vetë ky i fundit kjo u cilësua si një trillim, këtë nuk e mohoi presidenti i skuadrës, Agim Zeqo, apo ndonjë zyrtar tjetër i klubit. Megjithatë, situata u bë më serioze, kur burime pranë klubit korçar pohuan se drejtuesit e skuadrës kanë qenë në kontakt me disa trajnerë të huaj dhe se së fundmi bisedimet kanë qenë intensive me trajnerin Stanislav Levi. Ky i fundit ka drejtuar më parë ekipin e Hanoverit, madje thuhet gjithashtu se “shkes” për të ardhur në Korçë është bërë Altin Lala.











