Diku para një jave, ambasadori ynë në Shkup, Arben Çejku, ka dhënë një intervistë për Gazetën Shqiptare, ku ngre publikisht dhe me shqetësim problemin e paraqitjes së identitetit dhe të historisë së shqiptarëve në tekstet shkollore si dhe në …Enciklopedinë Maqedonase. Ambasadori ynë thotë se këto botime përmbajnë “pasaktësi, shtrembërime dhe fyerje poshtëruese për etnitetin dhe historinë e shqiptarëve”. Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë ka reaguar pa vonesë, duke vënë në dukje se “Thekse të tilla në publik janë në kundërshtim të plotë me frymën e dëshiruar të bashkëpunimit dhe dialogut miqësor mes Maqedonisë dhe Shqipërisë në të gjitha nivelet”. Në po atë njoftim për shtyp, Ministria e Jashtme e Maqedonisë ngutet të përmendë se qëndrime të tilla “dëmtojnë marrëdhëniet e mira fqinjësore, nuk shkojnë në favor të forcimit të bashkëpunimit dhe perspektivave të përbashkëta europiane”.
Mësohet publikisht se një ditë më pas, reagimi maqedonas është përshkallëzuar. Sipas mediave, ambasadori Arben Çejku është lajmëruar për t’u paraqitur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë ditën e hënë, më 10 tetor, për të dhënë shpjegime rreth deklarimeve të tij. Nuk është mësuar se në ç’nivel do të paraqitet ambasadori Çejku për të dhënë shpjegimet e rastit.
Sigurisht që dalja publike e një ambasadori ka delikatesat e veta dhe duhet menduar me kujdes të veçantë deri në hollësirat më të mëdha, në mënyrë që mesazhet apo informacionet që ai përcjell t’i shërbejnë mirë qëllimit për të cilin ai është në post. Të gjitha arsyet kontekstuale flasin qartazi se ambasadori shqiptar në Shkup është për t’u shërbyer për mirë marrëdhënieve të vendit tonë me Republikën e Maqedonisë. Duke shqyrtuar konkretisht intervistën në fjalë, del pa mëdyshje në pah se ambasadori Çejku e mban mirë parasysh kuadrin e misionit të tij. Ai nuk thotë asgjë të re, duke iu shmangur me maturi çdo tundimi për sensacion e zhurmë, gjë që do të ishte jashtë natyrës së një diplomati të lartë e të pjekur. Faktet që sjell ai për ta ilustruar shqetësimin e vet janë të gjitha të njohura e të debatuara në publik edhe vitin e kaluar, edhe dy vjet më parë. Ambasadori Çejku ka zgjedhur me durim e vëmendje kohën për t’iu drejtuar publikut e që përkon me fillimin e vitit të ri shkollor edhe në Maqedoni, si gjithandej në Europë, që do të thotë se ai ka ushqyer deri në fund shpresën e mirë që rishikimi i natyrshëm i teksteve shkollore gjatë përgatitjeve për gatitjet për vitin e ri shkollor do të kishin përfshirë edhe pastrimin e tyre nga pasaktësitë, shtrembërimet dhe fyerjet poshtëruese ndaj shqiptarëve. Në kushtet kur e ka humbur këtë shpresë të mirë, ka zgjedhur rrugën e daljes në publik, gjë që nuk bie aspak ndesh me profilin e punës së një ambasadori. Në këto rrethana, do kujtuar hartuesve të deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë se dëmin marrëdhënieve të mira fqinjësore midis dy vendeve dhe dy popujve tanë nuk ua shkakton komunikimi i ambasadorit shqiptar me publikun, por hartuesit maqedonas të teksteve shkollore, si dhe Ministria maqedonase e Arsimit, që i miraton e i nxjerr në qarkullim për nxënësit ato tekste.
Ambasadori Çejku nuk shtron në këtë rast asnjë problem që do të mbetej në suazën e punëve të brendshme të Maqedonisë. Shtrembërimet e fakteve historike, fyerjet dhe poshtërimet ndaj shqiptarëve, me të cilat institucionet shtetërore të Maqedonisë synojnë t’i ushqejnë brezat e rinj të popullit të vet, shndërrohen detyrimisht në një problem të mprehtë edhe për institucionet shtetërore të Shqipërisë e të Kosovës. Madje nuk do të ishte fare çudi që të ndjeheshin të prekura edhe institucionet shtetërore të Malit të Zi. Edhe atje ka një bashkësi të qenësishme shqiptarësh, dhe nuk ka besoj se ka qeveri të zgjedhur demokratikisht, e cila të shpërfillte fyerjet e poshtërimet që cenojnë në identitetin e tyre një pjesë të qytetarëve të vendit të vet. Ambasadori Çejku qëmton vetëm botimet, në të cilat, direkt ose indirekt, përfshihet përgjegjësia shtetërore, siç janë tekstet shkollore dhe Enciklopedia e Maqedonisë, hartuar dhe nxjerrë në qarkullim nga Akademia e Shkencave të këtij vendi. Qartazi, pra, ai kujdeset të shmangë çdo hije dyshimi se po kërkon pretekste për sherr, siç mund të kishte qenë po t’i kishte shtuar listës së vet tituj të tjerë botimesh me të njëjtën përmbajtje e që nuk mungojnë në libraritë e Maqedonisë, por që formalisht vijnë në treg në rrugë private dhe ngarkojnë me përgjegjësi vetëm autorët dhe botuesit e tyre.
Përkujdesja diplomatike e ambasadorit Çejku shkon deri në fund kur ai, siç është e natyrshme për një komunikim të tillë, nuk harron të tregojë edhe fajtorët për këtë problematikë të mprehtë, të cilët, sipas tij, janë “mbeturina nostalgjike të periudhës titiste”. Sa e vërtetë është kjo? Ndër vëzhguesit e aktualitetit politik në Republikën e Maqedonisë janë gjithnjë e më të shumtë zërat që ngrenë shqetësimin e rritjes së një fryme nacionaliste, etnocentriste e mitomane në politikën qeverisëse të këtij vendi të vogël. Ambasadori Çejku, sigurisht në shenjë dashamirësie dhe miqësie ndaj vendit dhe popullit ku është me mision, nuk bashkohet me këta zëra dhe meriton lëvdata si diplomat, sado që duket se mbyllja me qëllim të mirë e njërit sy nuk është kuptuar fare nga kolegët e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë.
Deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë është fund e krye jashtë standardeve që përdor sot Diplomacia europiane dhe ajo amerikane. Ajo është një deklaratë thjesht nervoze dhe krejt jashtë logjikës së një partneri të sinqertë, i cili kërkon sqarimin e keqkuptimeve dhe sheshimin e problemeve. Në tekstin e saj mungojnë shumë gjëra thelbësore, por unë do të ndalem vetëm në tri prej tyre.
Aty qortohen rreptë “thekset e tilla në publik”, që do të thotë se drejtuesit e Diplomacisë maqedonase nuk pajtohen në parim me zgjedhjen që bën në këtë rast ambasadori Çejku për të zhvilluar diplomaci publike. Një nga aspektet më të përhapura sot në diplomacinë midis vendeve mike është diplomacia publike. Vetë Shkupi është ndoshta kryeqyteti europian ku diplomacia publike ushtrohet me intensitetin më të lartë. Ambasadori amerikan, ambasadori i Bashkimit Europian, ambasadori i OSBE-së, ambasadorët e vendeve të ndryshme europiane, përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar e plot të tjerë të këtyre niveleve janë rregullisht në media me gjykimet dhe analizat e tyre. Nga zyrat e shtetit maqedonas nuk guxon kush t’u kërkojë të mbyllin gojën përpara kamerave dhe mikrofonave të gazetarëve. Me ç’të drejtë, atëherë, kërkohet t’i hiqet kjo mundësi ambasadorit shqiptar? Diplomacia maqedonase dëshmon në këtë rast se ka ende nevojë të çlirohet nga kompleksi i inferioritetit ndaj të mëdhenjve, inferioritet që shfaqet si arrogancë e kotë kundrejt atyre që nuk janë pjesëtarë të familjes së të mëdhenjve.
Nga fillimi në fund deklarata nuk thotë një fjalë nëse qëndrojnë apo jo problemet që shtron ambasadori Çejku. Qëndrimi ndaj fakteve të publikuara, duke i pranuar ose hedhur poshtë ato, është edhe profesionalisht i domosdoshëm për një dokument të tillë. Nuk e dinë këtë gjë diplomatët maqedonas, apo nuk e përfillin? Pak rëndësi ka supozimi i përgjigjes. Fakt është se ky qëndrim mungon, gjë që i heq deklaratës gjithë seriozitetin. Opinionit publik maqedonas ose të huaj i mbetet kështu vetëm një shkumë mllefi që nuk sjell dobi për asgjë. E sidomos jo për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Së treti, fillim e mbarim nuk gjejmë në këtë deklaratë as edhe një fjalë ku qeveria maqedonase të zotohet, qoftë edhe sa për sy e faqe, se do t’i shqyrtojë problemet e shtruara nga ambasadori shqiptar dhe do të ndërmarrë veprimet e nevojshme (nëse do të ketë vend) për t’u kryer korrigjimet. Kjo mungesë e ndjeshme në përmbajtjen e deklaratës nuk mund të jetë e rastësishme dhe as nuk vjen nga cektësia profesionale e hartuesve të saj. Në këtë pikë, qeveria maqedonase dëshmon pastërtisht mungesë vullneti për të punuar në shërbim “të perspektivave të përbashkëta europiane”. Ka një angazhim të të gjitha vendeve të Ballkanit, përfshirë këtu edhe Republikën e Maqedonisë, për të rishikuar tekstet e historisë me qëllim pastrimin e tyre pikërisht nga infektimet e llojit që shqetësojnë ambasadorin Çejku. Kjo është një ndërmarrje e madhe ndërkombëtare, e nxitur fillimisht nga Bashkimi Europian brenda vetvetes, sipas përvojës së pajtimit franko-gjerman e mandej e rimarrë para disa vitesh nga UNESCO me qëllim përgjithësimin e kësaj nisme tek të gjitha vendet që dëshirojnë sinqerisht të shkëputen njëherë e mirë nga e kaluara në emër të miqësimit të popujve si rruga më e sigurt për të rrënjosur paqen e përbashkët. Qeveria maqedonase, me këtë rast, qoftë edhe jo për t’u bërë qejfin shqiptarëve, por në respekt të angazhimeve të veta ndërkombëtare, mund ta ripohonte vullnetin e vet. Nuk e bëri, duke shënuar një akt jodiplomatik arrogance. Unë besoj se Ministria e Jashtme e Shqipërisë i ka bërë një analizë të vëmendshme kësaj deklarate dhe ka mbajtur shënimet përkatëse.
Gjithsesi, ambasadori Çejku dha një shembull se si diplomacia jonë mund ta përdorë edhe diplomacinë publike në mbështetje të veprimit të vet diplomatik, dhe për këtë duhet përgëzuar. Ky shembull mund edhe t’i frymëzojë pak kolegët e Çejkut. Mendja më shkon posaçërisht tek ambasadori ynë në Athinë, i cili ndoshta e ka marrë vesh se në kufirin shqiptaro-grek janë kthyer gjatë këtyre muajve mbrapsht me dhjetëra qytetarë të lirë e të nderuar shqiptarë, të cilëve u është mohuar një e drejtë themelore, siç është e drejta e qarkullimit të lirë, e drejtë kjo e garantuar konkretisht edhe me marrëveshjen e nënshkruar nga vendi ynë me Bashkimin Europian afro një vit më parë. Autoritetet greke kanë shkelur haptas dhe vazhdojnë të shkelin parimet themeluese të hapësirës “Shengen”.
© Panorama.al












