
Një ditë pas betejës urbane që tronditi Romën duke çoroditur mbrojtësit e rendit, tashmë janë ekspertët financiarë që po çoroditen. Sipas përllogaritjeve, bashkiaku i Romës, Xhani Alemano, shpalli një milion e gjashtëqind mijë dëme që duhet të paguajë shteti, të cilave duhet t’i shtohen edhe dëmet private. “Së shpejti, kabineti i Bashkisë do të shpallë edhe dëmet e privatëve. Kur të kemi një shumë të saktë të dëmeve, do të kërkojmë edhe ndihmën e qeverisë”, tha ai. Autoritetet italiane kanë deklaruar vendosmërinë për të ndëshkuar të gjithë ata që kthyen protestën ekonomike në një betejë me forcat e rendit dhe në një aksion shkatërrimi të institucioneve dhe dyqaneve. “Një nga masat që do të marrim si fillim, është identifikimi i personave duke shqyrtuar të gjitha videot e marra nga telekamerat e survejimit”, tha ai, duke iu referuar kamerave në stacionet e metrove. Sipas shoqërive që do të pastrojnë qytetin, shpenzimet arrijnë shifrën 254 mijë euro për personelin dhe mjetet e zakonshme. Me gjithë punën jashtë orarit dhe dëmeve të aparaturave, shuma rritet në rreth 400 000 euro, sepse përfshihen edhe gurët e trotuareve që janë shkulur për të goditur policët, të cilët së bashku mbulonin një hapësirë prej 20 metrash kub. Autoritetet thonë se e drejta për të protestuar nuk i hiqet askujt, por dhuna është e patolerueshme, ata kanë vendosur që do t’i arrestojnë të gjithë vandalët që kanë marrë pjesë në trazirat e së shtunës dhe nuk do t’i lirojnë për pak ditë, siç ndodhi me protestën e dhjetorit të kaluar.
Protestat vazhdojnë në Athinë, Nju Jork e Londër
Dita globale e protestës ka vazhduar të dielën në Nju Jork dhe Londër, ku protestuesit kanë vendosur çadrat e tyre në sheshin para institucioneve të larta financiare, duke kërkuar politika më të mira. Ndërsa në Nju Jork protesta “Pushtimi i Wall Street” vazhdon prej disa ditësh dhe vetëm dje janë arrestuar 74 protestues, në Londër kjo ishte dita e dytë që protestuesit u mblodhën në sheshin e katedrales “Shën Paul”. Në Greqi ka vazhduar protesta e doganierëve, të cilët pas anulimit nga gjykata të grevës së tyre dhjetëditore, kanë shpallur një grevë 24-orëshe.











