Një dashuri e çmendur dhe budallaqe në “Millenium”

Oct 10, 2011 | 11:42

Që dashuria është e çmendur dhe e marrë, nuk është një fakt i panjohur. Por, pas një serie ngatërresash, regjisorët Glenn Ficarra e John Requa preferojnë të ngadalësojnë hapin dhe të kthejnë gjithçka në rendin e mëparshëm, duke e shndërruar komedinë e tyre sentimentale në një elozh për ndjenjat e vërteta. “Crazy Stupid Love” është komedia që ka nisur të shfaqet në Kinema Millenium në Tiranë, që rikthen në ekranin e madh aktoren Julianne Moore. Filmi na ofron një tris çiftesh, jeta e të cilëve përshkohet nga gjithfarë problemesh e të papriturash. Aksione zinxhir që përfshijnë që nga prindërit tek fëmijët. Duket se të gjitha familjet amerikane janë në krizë. Jo financiare, por dashurore. Steve Carrel është më i trishtuar se kurrë dhe brenda filmit shndërrohet nga viktimë në një hero të madh, ndërsa Ryan Gosling duket tmerrësisht “joshës”, teksa interpreton një mashkull ultraelegant. Plot talent shfaqet edhe Emma Stone, ndërsa Marisa Tomei vjen në një formë të shkëlqyer komike. Një notë e lehtë ironie shoqëron linjat e filmit. Kamera nuk ngurron të ndalet gjatë në buzëqeshjet e hidhura të personazheve, sytë e përlotur sa të të rriturve, aq edhe më të rinjve.

© Panorama.al

Te lidhura