
Një ndër ligjet më të diskutuara të këtyre ditëve, ai për menaxhimin e integruar të mbetjeve, tashmë do të përballet jo vetëm me kundërshtimin e individëve të veçantë, por me atë të një aleance. Dje mori jetë edhe nisma Aleanca Kundër Importit të Plehrave, në radhë të së cilës janë pozicionuar emra të njohur ambientalistësh, analistë apo aktivistë të njohur të shoqërisë civile. Kështu, ndër emrat e grupit nismëtar është ai i ambientalistit Lavdosh Feruni, ish-presidentit Moisiu, analistit Blendi Kajsiu e shumë të tjerë. Në një konferencë për shtyp për lançimin e krijimit të këtij grupi, u konfirmua se kjo aleancë është vazhdimi i Grupit të Reagimit Qytetar(GRQ), që në vitin 2004 iu kundërvu me sukses marrëveshjes për lejimin e importit dhe trajtimit të mbetjeve nga Italia në Kashar nga qeveria Nano.
Synimi i AKIP
Ligji i kthyer nga Presidenti Topi për rishqyrtim në Parlament ka shkaktuar debate të forta, sidomos neni 49 i tij. Në thelb, aleanca ka bërë thirrje që Parlamenti të reflektojë dhe të bëjë ndryshimet e duhura, duke mos lejuar importin e mbetjeve urbane, në të kundërt, ky grupim do të reagojë sipas hapësirave që lejon edhe ligji. “Në rast se Parlamenti shqiptar e rikalon ligjin, duke lejuar importin e mbetjeve urbane, Aleanca do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për ta ndaluar këtë akt të rrezikshëm. Këto rrugë përfshijnë dërgimin e ligjit në Gjykatë Kushtetuese dhe kërkesën për referendum”, thuhet në deklaratën e Aleancës. Sakaq, kjo e fundit rendit një sërë arsyesh se përse një ligj i tillë e dëmton Shqipërinë, e cila nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të trajtuar mbetjet nga importi. Kjo, sipas tyre, kërcënon seriozisht qytetarët shqiptarë. Për këtë arsye ne do të ushtrojmë presion qytetar dhe ligjor mbi vendimmarrësit për të ndaluar një vendimmarrje, që ndonëse mund t’i ofrojë fitime të mëdha një pakice të vogël, kërcënon ambientin dhe jetën e shumicës dërrmuese”, thuhet në deklaratën e AKIP. Kjo e fundit thekson se lejimi i importit të plehrave bie ndesh me Strategjinë Kombëtare të një Zhvillimi të Qëndrueshëm si dhe me Konventën e Aarusit.
Ligji sërish në Parlament
Ligji që Presidenti Topi nuk dekretoi pritet që të rikthehet edhe një herë në Parlament. Në vijim, komisionet përkatëse do të marrin në shqyrtim argumentimet e kreut të shtetit. Nëse nuk shihet nevoja për ndryshim, ligji kalon në Parlament, i cili ka të drejtë ta miratojë pa asnjë ndryshim.
Mungesa e kapaciteteve
Shqipëria nuk ka kapacitete të mjaftueshme administrative dhe as infrastrukturën ligjore dhe monitoruese për të garantuar që importi i plehrave nuk do të ketë efekte negative. Ky është edhe një ndër argumentet që AKIP sjell për të kundërshtuar ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.











