Nis censusi, me dëshirë deklarimi i fesë e kombësisë

Oct 1, 2011 | 11:08

Nis sot regjistrimi i popullsisë dhe banesave. Të 15.000 regjistruesit zyrtarë, të trajnuar nga Instituti i Statistikave, do të trokasin në dyert e shqiptarëve, duke çelur zyrtarisht censusin e shumëpërfolur. Procesi do të zgjasë deri më 21 tetor. Dje, në prag të hapjes së tij, ministri i Inovacionit, njëkohësisht kryetar i Komisionit Qendror të Censusit, Genc Pollo, u bëri apel qytetarëve të marrin pjesë në këtë proces, dhe u kërkoi të anashkalojnë thirrjet kundër këtij procesi. “Nëse kemi pasur një debat dhe disa thirrje të tepruara, sot është momenti t’i lëmë pas këto çaste e të bashkëpunojmë të tërë në këtë proces madhor. Kërkoj bashkëpunim nga të gjithë, sepse është një detyrim dhe një kontribut që gjithsecili jep për veten e tij”, tha Pollo. Sipas INSTAT-it, përkatësia etnike dhe ajo e besimit mbetet në dëshirën e deklaruesit ta bëjë të njohur apo jo, pra nuk është detyrim. Për këtë çështje jo pak të debatueshme dha sqarimet e tij edhe ministri Pollo. “Masat e marra nuk kanë të bëjnë fare me një grup të caktuar apo tjetër, qoftë i shumicës apo i pakicës. Është thjesht një normë standarde që nuk është kryesore, madje është anësore në këtë proces. Kryesorja është vetëbesimi i çdo individi që është qytetar dhe banor i Shqipërisë  dhe dëshira, madje krenaria për të deklaruar atë që është, për të thënë se ku banon dhe për të shpjeguar rrethanat e veta personale dhe familjare”, tha Pollo. Ai shprehu besimin se qytetarët dhe banorët e këtij vendi do ta bëjnë këtë pa përjashtim. “Dhe kjo, për të sjellë rezultatin që të përmirësojë të ardhmen tonë, por edhe për t’u bërë të krahasueshëm me të dhënat e tjera që mblidhen në vendet e BE-së, dhe në vende të tjera të mbarë botës”, theksoi ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë.

3 JAVE javë do të zgjasë procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave në të gjithë vendin.Censusi parashikon që brenda afateve të gjithë shqiptarët të plotësojnë formularët e standardizuar.

© Panorama.al

Te lidhura