Nigel Farage mohoi akuzat për racizëm gjatë adoleshencës, kryebashkiaku i Londrës: Pretendon të bëhet kryeministër! Ende e kujtoj se si ndihesha

Nov 28, 2025 | 18:10

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, ka reaguar ndaj akuzave të ngritura kundër liderit të Reform, Nigel Farage, duke thënë se dëshmitë e më shumë se 20 personave për sjellje raciste dhe antisemitike në vitet e tij të shkollës kanë sjellë në sipërfaqe kujtime të dhimbshme nga e kaluara.

nigel farage

“Të të quajnë ‘P’ në atë moshë nuk të lëndon vetëm, por të ndryshon,” tha ai. “Të ndryshon mënyrën si shqipton emrin tënd. Ndryshon mënyrën si flet me miqtë e tu dhe mënyrën si ecën në rrugë. Këto janë përvoja që nuk i harron kurrë. Ende e kujtoj qartë se si jam ndier.”

Reagimi i tij vjen pasi disa ish-shokë të Farage në Dulwich College rrëfyen për The Guardian se lideri i Reform kishte përdorur gjuhë raciste dhe antisemitike nga mosha 13 deri në 18 vjeç.

Regjisori Peter Ettedgui, sot fitues i çmimeve Emmy dhe Bafta, tregoi se Farage “i afrohej dhe i pëshpëriste: ‘Hitleri kishte të drejtë’ ose ‘Gazojini’, duke imituar madje edhe zhurmën e dhomave të gazit”.

Farage ka mohuar kategorikisht akuzat, ndërsa më pas ka pranuar se mund të ketë thënë gjëra “që sot interpretohen ndryshe”, të cilat i ka cilësuar si “shaka të adoleshencës”.

Khan tha se nuk e kupton pse Farage nuk ka kërkuar falje ndaj personave që pretendojnë se janë abuzuar verbalish nga ai. “Refuzimi i tij për të kërkuar falje flet shumë për karakterin e një njeriu që pretendon se dëshiron të bëhet kryeministër,” u shpreh ai sipas The Guardian.

Kryeministri Keir Starmer, i pyetur për çështjen gjatë një vizite në Bushey United Synagogue, tha se akuzat janë “serioze” dhe kanë ndikim të thellë tek viktimat e racizmit dhe antisemitizmit. “Këto përvoja i shoqërojnë njerëzit për gjithë jetën,” deklaroi ai.

Qeveria ka reaguar ndaj publikimeve, ndërsa Farage ka pohuar se akuzat janë të motivuara politikisht.

© Panorama.al

Te lidhura